Kuvendi i Komunës së Podujevës, në mbledhjen e mbajtur sot, ka miratuar buxhetin për vitin 2022 dhe parashikimet buxhetore për vitin 2023-2024 në vlerë prej mbi 23 milionë eurosh, shkruan Llapi.info.

Ky buxhet është miratuar me 18 vota pro, VV, PDK dhe 1 këshilltare e AAK-së. Edhe këtë herë LDK ka votuar kundër dhe 2 këshilltarë të AAK-së, gjegjësisht Arbnor Fazliu dhe Burim Hasani.

Lidhur me këtë,, këshilltarët e LDK-së kanë dhënë shumë kritika për mosspecifikim të projekteve e për mospërfshirje në projekte të disa lokacioneve, duke akuzuar pushtetin se ky buxhet, sipas tyre, është i njëanshëm.

Ata e kanë quajtur të mangët këtë buxhet, për kontratën kolektive në arsim që sipas tyre nuk figuron në këtë dokument, për heqjen e fondit për dëme në bujqësi, mungesën e mjeteve për rini, e për mosinvestime tjera në lokalitetet prej nga vijnë këshilltarët.

Qëndrim Softolli nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka akuzuar pushtetin e VV-së se ka shtruar asfalt gjatë natës në fushatë zgjedhore. Ai ka thënë se pikërisht dokumentet që nuk specifikohen rrugët se cilat do të asfaltohen, sipas tij, me këto mjete do të paguhet asfalti që është shtruar natën në prag të zgjedhjeve.

Por, këto akuza i ka hedhur poshtë kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi. Ky i fundit ka thënë se pikërisht asfalti natën është shtruar nga LDK-ja.

“Nuk kemi punuar natën. S’kemi qitur asfalt natën. S’i kemi bërë trotuaret natë, e as ndriçimi publik. S’kemi punuar ditën e zgjedhjeve, s’kemi punuar të dielave. Ju e dini kush i ka bërë këto. Nuk është mirë për punët e këqija tuajat që dikur i keni bërë, me na akuzu neve. Nuk është mirë me punu natën, pasi ngrihet asfalti dhe bëhet si oriz. Jemi duke ua hekur orizin e juaj”, ka thënë Bulliqi.

Pas tij, këshilltari i LDK-së, Qëndrim Softolli, ka këmbëngulur se asfalti është shtruar natën, sipas tij, në fshatin Gllamnik.

Llapi.info, në bazë të pamjeve që patën dërguar banorë të zonave të shumta në Podujevë, në prag të zgjedhjeve të vitit 2020, kur qeveriste në Podujevë LDK-ja, pati raportuar se si shtrohej asfalti natën. Madje, në disa raste, asfalti kishte depërtuar edhe në oborret e shtëpive./Llapi.info

Më poshtë linqet:

 

Podujevë: Katër vjet në zyre, 1 muaj punë – asfalti “dygisht” nuk ndalet as në pikë të natës në prag të zgjedhjeve

Skandal: Ky është rezultati i asfaltit të shtruar natën në Podujevë, i lëvruar

Në Podujevë po asfaltohet gjithçka, LDK nga frika asfaltin natën po e dërgon deri në prag të shtëpive