Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpjetim Bulliqi, ka uruar besimtarët myslimanë me rastin e festës së Fitër Bajramit, raporton Llapi.info.

Përmes një video-mesazhi në Facebook, kreu i Podujevës ka thënë se kjo festë, sipas tij, simbolizon sakrificën, solidaritetin dhe tolerancën mes besimtarëve.

“Festa e Fitër Bajramit që simbolizon sakrificën, solidaritetin dhe tolerancën, na jep mesazh mbarë njerëzimit që asnjëherë të mos heqim dorë nga vlerat humane dhe të qëndrojmë pranë njëri-tjetrit, veçanërisht pranë atyre që kanë më së shumti nevojë. Ne si qeverisje lokale jemi angazhuar të paktën që secila familje nevojtare ta kenë sofrën plotë, për çka i falënderoj çdo donator. Urime festa e Fitër Bajramit, shëndet dhe begati për ju dhe familjet tuaja, Zoti ua pranoftë lutjet dhe u shtofshin të mirat në çdo familje. Ua uroj festën bashkatdhetarëve tanë që marrin rrugë të na bashkohen në kremtimin e kësaj feste, por situata e krijuar në botë me COVID-19 po u a pamundëson atyre dhe neve që të festojmë bashkërisht”, ka thënë Bulliqi.

Para pak minutash ka përfunduar edhe falja e namazit të Bajramit në xhamitë e kësaj Komune. Imami i xhamisë së re, “Sevdaim Kajtaz Sinani”, Berat Avdiu ka thënë se e veçanta e kësaj feste, siç ka thënë ai, është vizita e të afërmve për t’u uruar këtë festë.

“Jemi tubuar në këtë ditë feste, në Bajramin e parë në këtë xhami. Çdo popull i ka festat e veta dhe ne i kemi dy prej tyre, festën  e Fitër dhe Kurban Bajramit. Festa si kjo na mësojnë se vijnë pas një muaji të veçantë. Këto festa nuk janë të shfrenimit, ato fillojnë me namaz dhe tekbire. Ajo çka e karakterizon këtë ditë është ajo e vizitave te të afërmit dhe këtë duhet të shfrytëzojmë. Në këtë ditë lutemi dhe kujtojmë gjithë ato gjenerata të kaluar që kontribuuan për këtë liri që të vijmë dh të falemi pa pasur frikë. Amanetin e tyre duhet të çojmë në vendin e vetë, me angazhim për ndërtimin e këtij vendi”, është shprehur, derisa ka uruar besimtarët islamë për këtë festë./Llapi.info