Avokati Dastid Pallaska ka uruar festën e 28 Nëntorit. Në urimin e tij, Pallaska ka thënë se kapitulli më i rëndësishëm i Kosovës ende nuk është shkruar. Ky kapitull, sipas tij, do të shkruhet në momentin kur shqiptarët do të mund ta shfrytëzojnë plotësisht lirinë dhe pavarësinë.

“Mos harroni, kapitulli ma i rëndësishëm i historisë së shqiptarëve – që ka të bëjë me atë se si shqiptarët e shfrytëzuan lirinë dhe pavarësinë – ende nuk është shkruar”, ka shkruar avokati Dastid Pallaska në Facebook.

Sipas tij, një ndër pasojat më të rënda të qëndrimit të gjatë nën pushtim të huaj apo robëri është dobësimi i përgjegjësisë personale për fatin individual dhe kolektiv.

Ky është postimi i plotë i Pallaskës:

Një ndër pasojat më të rënda të qëndrimit të gjatë nën pushtim të huaj apo robëri është dobësimi i përgjegjësisë personale për fatin individual dhe kolektiv.

Përgjegjësia e dobësuar është një ndër arsyet pse shumë popuj edhe pas çlirimit nga pushtimi i huaj zgjedhin autokratë vendor si udhëheqës.

Këta udhëheqës autokratë me përvetësimin e padrejtë të të gjitha meritave për liri e pavarësi i shpronësojnë qytetarët nga dhënia e kontributit të tyre në ndërtimin e të ardhmes së përbashkët brenda shtetit të ri.

Dështimin për të ofruar mirëqenie për të gjithë, autokratët synojnë ta mbulojnë me mbjelljen e ndjenjës së viktimizimit tek qytetarët, gjithnjë duke keqpërdorur të kaluarën e hidhur.

Kjo ndjenjë e viktimizimit bënë që – në vend se të orientohemi nga e ardhmja dhe shfrytëzimi i mundësive që i ofron liria e pavarësia – të kthehemi tek e kaluara për të “gjetur” padrejtësitë historike që arsyetojnë dështimet e të tashmes.
Kjo është arsyeja pse vitet e tranzicionit nga robëria drejtë lirisë dhe pavarësisë janë më të vështira se sa vitet e fundit të robërisë.

Edhe pse Shqipëria është shtet qe 106 vite, fati i saj i keq me diktatorë e autokratë ka bërë që ende të mbetet në qarkun vicioz të tranzicionit nga robëria në liri.
Në këtë përvjetor uroj që shqiptarët të lirohen nga këto pengje që iu kanë pamundësuar shfrytëzimin e plotë të potencialit të tyre si qytetarë të lirë të Evropës.

Mos harroni, kapitulli ma i rëndësishëm i historisë së shqiptarëve – që ka të bëjë me atë se si shqiptarët e shfrytëzuan lirinë dhe pavarësinë – ende nuk është shkruar.
Na takon neve, dhe atyre që vijnë pas nesh, që ta shkruajmë.

Urime 28 nëntori e gëzofshim shumë të tjerë, të bashkuar në Evropë.