Kreu i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli u ka thënë simpatizantëve në Prizren se në muajt e ardhshëm do të ndodh liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës.
Duke kërkuar mbështetje nga rinia për zgjedhjet e 6 tetorit, Pacolli tha se dekada e ardhshme do të jetë 10 vjeçari i rinisë së Kosovës. Madje, sipas tij, 10 vjet më vonë nuk do të mjaftojë fuqia punëtore në Kosovë.
Në tubim me simpatizantë në qytetin e Prizrenit, Behgjet Pacolli bëri thirrje të votohet dikush që nuk ka abuzuar me buxhetin e shtetit, por që e ka kursyer atë. Pacolli tha se ai është i duhuri sepse nuk e ka vjedhur shtetin asnjëherë.
“Do të doja shumë që rinia jonë të jetë ajo që do të udhëheq me fatin e Kosovës, dhe unë e shoh ju duket ndoshta utopi, por e shoh dhe jam i bindur që 10 vjeçari i ardhshëm është 10 vjeçari i rinisë së Kosovës. Ju keni fat që jetoni në këtë periudhë, keni fat që jetoni dhe veproni në Kosovën e lirë, keni fat që keni moshë të re, zhvillimet, dinamizmi i jetës ka krijuar një mundësi tjetër, që ju do të jeni akterët kryesorë të proceseve. Sigurisht do të pyesni kur ne, ne jemi pa punë, ne bredhim rrugëve nuk kemi mundësi të udhëtojmë e të tjera, jam i bindur se në muajt e ardhshëm do të ndodh ajo që është dashur të ndodh shumë herët, edhe ju do të jeni ata që do të barazoheni me mundësitë që kanë të rinjtë tjerë në rajon, edhe ju do të udhëtoni lirshëm”, tha ai.
Pacolli premtoi ardhje të investitorëve në Kosovë, ndërkohë u bëri thirrje të rinjve që mos të largohen nga Kosova, por të qëndrojnë, meqë sipas tij, është rinia ajo që do të udhëheq me fatin e Kosovës.
“Ju garantoj se mbas 10 vjetësh do të fillojë periudha ku fuqia punëtore edhe këtu nuk do të mjaftojë, ky është një fenomen që do të ndodh, fare mos keni dert sepse ditë të mira për rininë tonë po vinë, është me rëndësi që ju të mbeteni në Kosovë mos ta lëshoni Kosovën, shteti i Kosovës sipas projektit të AKR-së, është se shteti i Kosovës duhet të krijojë platformë ligjore, infrastrukturë ligjore dinjitoze, sundim të ligjit, respektim të ligjit, shteti të trajtohet në mënyrë dinjitoze, mos të abuzohet me vendin e punës, mos të vidhet qytetari, mos t’i premtohet bosh qytetarit, nëse krejt këto parime të krijojnë një qeveritar të sinqertë dhe gjithmonë vjen pyetja, sinqeriteti a thua i nevojitet politikës, unë them, se po, sinqeriteti është kuptimplotë në politikë, do të ishte tragjedi nëse kemi politikan ose qeveritar jo të sinqertë, me qeveritarë jo të sinqertë jemi mësuar deri tani dhe nëse kemi një qeveri të sinqertë, kemi një shtet të cilit i besohet”, tha ai.
Pacolli tha se premtimet e të tjerëve për sjellje të investitorëve të mëdhenj në Kosovë janë gënjeshtra.
E kandidati për deputet, Ymer Rugova tha se dega në Prizren është më e mobilizuar se asnjëherë më parë për të dalë të suksesshëm në zgjedhjet e 6 tetorit.
“Gjithë Kosova duhet ta përkrahim dhe votojmë programin e AKR-së, sepse vetëm AKR mund ta nxjerrë nga kriza këtë vend. AKR do të përmirësojë edhe gjendjen e pensionistëve dhe ndërmarrësve e në veçanti të zejtarëve prizrenas”, tha ai.