Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministre, Vjosa Osmani ka thënë nëntoka nuk do të arrijë ta rrëzojë LDK-në asnjëherë.
Para simpatizantëve në Prishtinë, Osmani ka thënë se njerëzit e rrezikshëm dhe të papërgjegjshmen nuk do të mund ta njollosin asnjëherë.
Vjosa Osmani, e cila synon të jetë shefe e qeverisë së ardhshme të Kosovës, tha se përpjekjet për ta dëmtuar atë dhe LDK-në janë të kota.Ajo u bëri thirrje qytetarëve t’u tregojnë kundërshtarëve që synimet e tilla që vinë nga njerëz që tentojnë të fitojnë besimin me falsifikim, janë të kota.“Neve nuk munden me na njollosë njerëz të tillë të papërgjegjshëm e të rrezikshëm, LDK-në kurrë nuk kanë mund ta njollosin parti, të cilat janë ndërtuar mbi themelet e krimit dhe korrupsionit. LDK-në nuk do të mundet kurrë ta rrënojë nëntoka, këto janë përpjekjet e fundit të nëntokës, por besoni që janë të fundit sepse vetëm edhe dy ditë u kanë mbetur, vetëm edhe dy ditë duhet duruar pabesitë e tyre, e pas dy ditësh do të zgjidhemi në një fitore që mbi të gjitha ka me qenë e juaja”, tha Osmani.
Përveç Osmanit, në Degën e Tretë të LDK-së në Prishtinë ka folur edhe nënkryetari i partisë, Lutfi Haziri. Sipas tij, rivalët Vjosës i kapur paniku, dhe se uniteti i LDK-së dhe rritja e saj i ka bërë të tjerët të frikësohen.“Ne besimin që ja kemi falë Vjosës nuk e thyejmë, lë të lëshojnë çka të donë rrena, le të bëjnë çka të donë, mos u besoni aty … Ne jemi të ndershëm, ndershmërinë tonë s’mund ta spërkasin me paturpësinë e tyre, e kanë spërkat me gjak tonin, e kanë spërkat me goditje tinëzare”, tha Haziri.
Ai tha se LDK nuk e ka thyer besimin asnjëherë, duke shtuar se turpi është i atyre që po përpiqen ta dëmtojnë.“Nesër në Gjilan kemi me ua tregu vendin, edhe pasnesër, edhe të dielën me votë, secili prej nesh me votë me ua tregu vendin ku e kanë, dhe të çlirohemi njëherë prej këtij grupi politik që e ka lodhur Kosovën deri dje nën hije, nën tokë, e tash me ‘hafillak’, nuk përballohet kjo”, tha ai.
Haziri tha se LDK nuk shantazhohet me lajme të rrejshme dhe bëri thirrje që t’i besohet Vjosa Osmanit.