Gjykata Themelore në Gjilan ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj dy të dyshuarve për falsifikim parash.

Gjatë ditës së djeshme, Policia e Kosovës ka arrestuar në Gjilan dy qytetarë pasi që të njëjtëve u janë gjetur rreth 10 mijë euro të falsifikuara.

Sot, Gjykata Themelore e Gjilanit ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditë të pandehurve Q. A. dhe Sh. B..

“Tek të pandehurit Q. A. nga Komuna e Suharekës dhe Sh. B. nga Komuna e Prizrenit, pas një operacioni nga zyrtarët policorë janë gjetur kartëmonedha në vlerë prej 9.850 Euro, që dyshohet të jenë të falsifikuara”, thuhet në njoftim, shkruan lajmi.net.

Me këto veprime të pandehuritkanë kryer veprën penale ‘’falsifikim i parasë” vepër e sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda,pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve, pasi që masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin normal të procedurës penale.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.