Policia e Kosovës përmes një komunikate për media bën të ditur se një person ka vdekur e tre të tjerë janë lënduar në një aksident trafiku që ka ndodhur mbrëmë në rrugën Prishtinë – Pejë.
“Ju informojmë se me datën 09.10.2019 rreth orës 22:30 në rrugën Prishtinë-Pejë, në fshatin Gllarevë, ka ndodhur një aksident trafiku me fatalitet”, thuhet në komunikatë.
Në këtë aksident ishin të përfshira një automjet i markës Opel me targa vendore i drejtuar nga i dyshimti dhe një motokultivator i drejtuar nga viktima, ku si pasojë e aksidentit një person ka ndërruar jetë në vend të ngjarjes sipas ekipit mjekësor, i cili ka konfirmuar vdekjen e viktimës, ndërsa tre persona janë lënduar dhe të njëjtit pas tretmanit mjekësor janë liruar për në shtëpi.
Në vendngjarje kanë dalë njësitet relevante të Policisë së Kosovës dhe prokurori i shtetit. Hetuesit rajonalë për hetimin e aksidenteve janë duke u marrë me rastin në koordinim të plotë me prokurorin e shtetit dhe me urdhër të të njëjtit i dyshuari dërgohet në mbajtje, ndërsa trupi i pajetë i viktimës dërgohet në murgun e spitalit rajonal në Pejë.