Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, që udhëhiqet nga Shyqiri Bytyqi i Nismës, ka rehatuar një anëtar të vetin si inspektor të arsimit në Gjakovë.

Në një marrëveshje mes MASHT-it dhe komunës së Malishevës, po ashtu e udhëhequr nga Nisma, anëtari i kësaj partie Sabit Berisha nga drejtor shkolle në Gurbardh të Malishevës është transferuar në Inspektor i Arsimit në Gjakovë.

Edhe pse një inspektor nuk duhet të jetë anëtar i ndonjë subjekti politik, kjo nuk vlen për Berishën që në janarin e vitit 2017 ishte bashkuar me Nismën. Lidhur me pranimin pa konkurs të Berishës, ka reaguar edhe anëtarja e Komisionit për Arsim, deputetja Arbërie Nagavci nga Vetëvendosje.

“Ministria e Arsimit me këtë ministër dhe kabinet qeveritar nuk mund të përmirësojë cilësinë edhe ashtu të ulët të arsimit. Sekretari i përgjithshëm i MASHT paska nënshkruar marrëveshje me ‘Kryetarin e Kuvendit Komunal’ në Malishevë për të caktuar një inspektor të arsimit në Gjakovë. Marrëveshja është e kundërligjshme dhe dëmton rëndë kredibilitetin edhe ashtu të ulët të Departamentit të Inspektoratit. Si mund të presim që inspektorët të mbikëqyrin dhe monitorojnë punën në shkolla, kur ata vet janë angazhuar në mënyrë kundërligjore, pa konkurs publik dhe pa transparencë”, ka shkruar ajo në Facebook. “Roli i inspektoratit në ngritjen e cilësisë në arsim është shumë i rëndësishëm. Por, sigurisht për këtë do të duhej të kishim kuadrot më të pregatitura në aspekt profesional, me etikë të lartë e integritet personal në detyrën e inspektorëve të arsimit. Dhe të tillë ka në mesin tonë, por fatkeqësisht atyre nuk po u japin mundësinë”.

Sipas saj, duhet reagimi i menjëhershëm pasi “Ndryshe as nuk duhet të ankohemi kur shohim rezultatet e fëmijëve tanë në testin PISA ose kur shohim raporte si ai i Bankës Botërore, sipas të cilit shkollimi në Kosovë është pesë vjet prapa për nga cilësia e marrjes së mësimeve, në krahasim me shtetet me standarde normale”.

Në fund ka thënë se pret reagimin e kryetarit të Gjakovës, Ardian Gjini.