Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, përmes një postimi në Facebook ka vlerësuar listën e kandidatëve të këtij subjekti për deputetë, që do të jenë në garë gjatë zgjedhjeve të 6 tetorit.

Ai ndër të tjera këta kandidatë i quan të LDK-së dhe jo ardhacakë, ndërsa shton se renditja nuk pasqyron vlerat, as meritat e tyre, meqë, siç ka shkruar, “Po të ishte e mundur të gjithë do të kishin një numër”.

Në vazhdim postimi i plotë i kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa:

Veprimtare e veprimtarë me dije dhe profesione, të respektuar në mjedisin ku jetojnë për punën dhe sjelljen e tyre. Është kjo cilësi themelore e të gjithëve.

Renditja nuk është kriter i vlerës dhe meritës. Po të ishte e mundur të gjithë do të kishin një numër, në rrafsh me prijësen e listës dhe kandidaten për kryeministre, Vjosa Osmani.

LDK ka njerëz me të cilët do të qeverisë me standarde evropiane të dijes e me përgjegjësi e ndërgjegje familjare e ligjore. Lista jonë siguron që ligjet në të ardhmen të mos aprovohen në Parlament nga ata që kanë probleme me shtetin ligjor.

Lista reflekton një diversitet specifik: akademikë, profesorë universitarë, kuadro të shquara të kulturës, të biznesit, ministre dhe ministra të suksesshëm, mësues, drejtues shkollash e biznesesh, inxhinierë, juristë, ekonomistë, mjekë… Të gjithë të përkushtuar, në rend të parë, për shtetin e Kosovës – KOSOVACENTRIZMIN. Të përcaktuar që Kosova të forcohet ekonomikisht, kulturalisht dhe ndërkombëtarisht, pa ia prekur askush kufijtë, shtetësinë dhe simbolet e saj. Ta ndërtojmë një Kosovë evropiane, në miqësi të përhershme me SHBA-të, ashtu siç e predikonte Presidenti ynë i Parë, dr. Ibrahim Rugova.

Lista e LDK-së nuk është listë e ardhacakëve të ditëve të fundit nga partitë e tjera ose sferat sociale. Është listë e njerëzve të devotshëm e të dëshmuar për vizionin dhe vlerat e LDK-së. Ata që e kishin mendjen na u bashkëngjiten në procesin e zgjedhjeve të brendshme partiake. Lista përfaqëson kandidatët që janë propozuar nga çdo cep i Kosovës, të cilët kanë marrë përkrahjen e të gjitha organeve të LDK-së, atyre lokale dhe qendrore. Prandaj ne garantojmë para qytetarëve për çdonjërin që e kemi në listë se është i yni. Ndërkaq qytetarët vendosin për vlerat tona dhe vlerat e çdonjërit veç e veç! E LDK iu beson qytetarëve të Kosovës, e bindur se kemi vetëm një atdhe dhe vetëm një popull që vendos për te!, shkruan Isa Mustafa në postimin e tij përmes Facebook-ut.