Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka ftuar prodhuesit vendorë që të marrin masa të menjëhershme për të rritur cilësinë e produkteve për të përfituar në treg, pas rritjes në 100 për qind të taksës për mallrat e importuara nga Serbia dhe Bosnja.
Në një konferencë për media pas këtij vendimi, ministri i Tregtisë, Endrit Shala, ka thënë se prodhuesit vendorë, importuesit dhe tregtarët duhet të bashkohen në kauzën për zhvillim ekonomik të vendit.
“Qytetarë, prodhues, importues e tregtarë ju ftoj të gjithëve t’i bashkohemi kauzës për zhvillim të vendit e mirëqenie të popullit. Kërkoj nga prodhuesit të fokusohen më shumë në cilësi. Të arrini standardin dhe cilësinë më të lartë në mënyrë që qytetari i Kosovës të mos ketë mëdyshje për konsum ditor e të konsumojë prodhime vendore. Të bashkohemi të gjithë e të gjejmë zgjidhje kreative. Të gjejmë vende tjera për të importuar në Kosovë. S’është vetëm Serbia e Bosnja në këtë rajon”, ka thënë ai.
MTI ka thënë se masa prej 100 për qind rritje në taksën për mallrat e importuara nga Serbia vjen për të mbrojtur vendin.
“Unë e kam kryer detyrën time me këtë rast. Po i kryej detyrat e mija si ministër. Në kompetenca të mija si ministër dhe pas analizave të departamenteve përkatëse kemi propozuar këtë masë dhe kjo masë u mor në mbrojtje të ekonomisë së vendit e mbi të gjitha në mbrojtjen e sigurisë kombëtare të vendit tonë”, ka shtuar Shala.
Shala ka thënë se nga sot të gjitha agjencionet janë obliguar që të ndalohet importimi i çdo produkti që nuk e ka etiketën me emërtim Republika e Kosovës.
Ai ka thënë se kjo masë nuk do të kthehet deri sa Serbia dhe Bosnja ta trajtojnë Kosovën si shtet.
Për rritjen e çmimit të bukës pas taksës fillestare prej 10 për qind, Shala ka thënë se kanë informacione se çmimi është rritur me marrëveshje të tregtarëve, duke shtuar se kanë nisur të merren masa.
“Sa i kam informacionet, rritja e grurit ishte edhe para se të merrej masa. Kjo s’është si pasojë e masës, por edhe për shkak të rritjes së çmimit të grurit në berzë. Kam angazhuar inspektoratin e tregut që në bashkëpunim me të gjitha inspektoratet të monitorojnë dhe të evidentojnë çdo rritje apo çdo tentim rritje që është e paarsyeshme. Kërkoj nga agjenconi kosovar i konkurrencës sepse rritja e çmimit të bukës ka pas informacione se është bërë me marrëveshje mes kompanive dhe autoritet për hetimin e masa për këtë është Agjencioni Kosovar i konkurrencës”, ka shtuar Shala.