Policia e Shqipërisë ka arrestuar një 21-vjeçar nga Kosova, i cili tentoi të korruptonte punonjësit e Policisë më qëllim kalimin e kufirit me një automjet të dyshuar të trafikuar.

Në njoftimin e Policisë së Shtetit në Facebook thuhet se Shërbimet e Policisë, në vijim të kontrollit, i kanë kërkuar 21-vjeçarit që të paraqesë dokumentet përkatëse të automjetit.

“Ky shtetas, për të shmangur verifikimin e dokumenteve, ka tentuar të korruptojë punonjësit e Policisë, duke u dorëzuar një dokument mjeti, së bashku me një kartëmonedhë me prerje 50 euro”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Policisë së Shqipërisë.

Postimi i plotë:

Morinë, Kukës

Goditet, gjatë kontrolleve me përzgjedhje, një rast i tentativës për të korruptuar punonjësit e Policisë Kufitare.

Tentoi të korruptonte punonjësit e Policisë, me qëllim kalimin e kufirit me një motomjet të dyshuar të trafikuar, vihet në pranga 21-vjeçari kosovar.

Shërbimet e Policisë Kufitare Morinë, në vijim të kontrolleve të pandërprera, për goditjen e veprimtarive të paligjshme në kufi, përmes kontrolleve me përzgjedhje, në hyrje të RSH-së, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, motomjetin me drejtues shtetasin B. Th., 21 vjeç, banues në Prizren, Kosovë.

Shërbimet e Policisë, në vijim të kontrollit, i kanë kërkuar 21-vjeçarit që të paraqesë dokumentet përkatëse të motomjetit. Ky shtetas, për të shmangur verifikimin e dokumenteve, ka tentuar të korruptojë punonjësit e Policisë, duke u dorëzuar një dokument mjeti, së bashku me një kartëmonedhë me prerje 50 euro.

Nga verifikimi rezultoi se ky shtetas kishte dorëzuar një dokument që i përkiste një motomjeti tjetër, të ndryshëm nga motomjeti që ai drejtonte.

Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve në DVP Kukës arrestuan në flagrancë shtetasin B. Th., 21 vjeç, banues në Prizren, Kosovë, për veprat penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Trafikimi i mjeteve motorike”.

Motomjeti u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme.