Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, me anë të një shkrimi në facebook ka thënë se partitë opozitare kanë filluar një garë se kush e kush i pari t’ia bëjë koorumin Kurtit për formimin e institucioneve.

Molliqaj thotë se të njëjtit me këtë që po bëjnë do ta humbin veten edhe më tej.

Ai tutje thotë se pranimi i shantazhit që vjen nga rezultati i dobët është rrugë e gabuar që nuk e këndell askënd.

Reagimi i plotë:

Kundër shantazhit

Partitë opozitare kanë filluar një garë negative. Kush e kush më parë t’ia bëj kuorumin Kurtit për formim institucionesh. Kështu ato do ta humbin veten edhe më tej.

Konsensusi që emërues të përbashkët ka pushtetin e Kurtit është nënshtrim përballë shantazhit që ai e ka paralajmëruar qyshkur. Pranimi i shantazhit që vjen nga rezultati i dobët është rrugë e gabuar që nuk e këndell askënd. Më mirë parlament monist sesa lustër demokracie. Qëndrimi në sallë do ta përmbushte celebrimin e natyrës së pushtetit. Mendësia totalitare disiplinon. Po, përgjigjet opozita, ne i morëm mësimet. E kundërta duhet të ndodhë. Opozita dhe secili duhet të qëndrojë jashtë këtij universi.

Po ashtu, përpjekjet për reforma nuk e arsyetojnë emrin nëse nuk zgjerohen në reflektime mbi shkaqet e humbjes dhe sidomos natyrën e pushtetit të cilit do t’i bëjnë opozitë.

Në kushtet e fuqizimit të Partisë-Shtet, opozita është kusht për frymëmarrjen demokratike. Por, ajo mund të bëhet pengesë nëse nuk arrin të mbrojë e artikulojë të papërfaqësuarit, ata që për propagandën zyrtare nuk janë tamam popull. Opozita që nuk ndërton kauza nuk bënë dot projekt politik.