Ministri i Punëve të Jashtme të Bosnje dhe Hercegovinës,Igor Crnadak, vendimin e sotëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës për rritje të taksës në 100 për qind edhe për produktet që importohen nga Bosnja e quan një vendim politik që vjen nga dështimi i djeshëm për anëtarësim në INTERPOL.

Ai thotë se ky është një vendim i pamëshirshëm nga Kosova.

“Ky është një akti i drejtpërdrejtë armiqësor. Kur dikush vendose tarifa prej 10 për qind ajo mund të ketë një logjikë ekonomike, por anulimi i plotë me një taks prej 100 për qind është një mesazh se pala tjetër nuk dëshiron të bashkëpunojë”, ka thënë ai për portalin boshnjak ‘klix.ba’, transmeton Gazeta Express.

Crnadak thotë se ky vendim do të ketë pasoja, por thotë se janë duke pritur qëndrimin e Bashkimit Evropian për këtë gjë.

“Shpresoj që të ketë një qëndrim të prerë të BE-së, sepse vetëm një vendim verbal nuk do të ketë efekt”, ka shtuar tutje ministri i Jashtëm i Bosnjës.

Ai ka thënë se këtë çështje do ta ngrit edhe në takimin e ministrave të Jashtëm që pritet të mbahet me 29 nëntor në Mal të Zi.

“Do të shohim edhe qëndrimin e BE, dhe pastaj do të shohim se si do të reagojmë”, ka përfunduar Crnadak.