Autor: Gani Mehmeti

Shtrihet në dy grykat: në atë të lumit Llap dhe në Grykën e Mavriqit, aty ku bashkohen lumenjtë, lumi i Mavriqit  me lumin Llap. Vendbanimi përbëhet prej disa lagjeve, të cilat janë të vendosura buzë lumit Llap dhe të lumit të Mavriqit. Disa shtëpi janë të vendosura në kodrinat e afërta[1]. Pollata e ka pozitën e përshtatshme gjeografike, sepse zë dy gryka të kësaj ane: Grykën e burimit të lumit Llap në të majte dhe grykën e Mavriqit që shkon në të djathtë. Pollata ka pak tokë pune. Në të dy këto lugina toka bëhet e pëlleshme, mbasi ajo ka mundësi ujitjeje nga të dy lumenjtë. Ajo ka livadhe dhe male të mjaftueshme për kullosë dhe për dru. Pollata ka pozitë të përshtatshme për pemëtari.

Nuk ka një sipërfaqe të madhe territoriale, por është i njohur si fshat. Rreth origjinës  së emrit Pollatë janë dhënë disa versione edhe sa i përket prejardhjes së emrit të tij, janë mjaft bindëse. Versioni i parë se emri Pollatë vjen nga rasti i romanizimit të këtij fshati pas pushtimit të ilirëve nga romakët, që thuhet me këtë rast se janë latinizuar (po latin), me ç’ rast janë bashkuar dy fjalët po+latin dhe ka dalë Polatin. E, nga kjo Polatin pastaj del Pollatë.  Versioni i dytë thotë se Pallata ka qenë  pallat, dhe nga  pallat  ka dalë, pra, Pallatë, duke u shndërruar në gjininë femërore nga Pallat-i, nw Pollat-a. Ndërkaq, Dr. Muharem Carëbregu emrin Pallatë e bie  nga pollë-a, që e kemi edhe në Istri. Ai thotë se në bazë të termit pollë-a[2], përkatësisht të trajtave të tij, kemi thirrjen e vendbanimit Pollatë-a në Drenicë dhe në Llap, pastaj të visit Pollatë-a në Alpet tona[3], bazë është termi hidrografi që ka të bëjë me vendburim[4]. Rreth emrit të Pollatës ekzistojnë edhe dy variante legjendash. Njëra nga legjendat thotë se njëherë në një kohë qenkan ndeshur në luftë dy fuqi mes veti (nuk dihet kush me kë dhe kur). Ato dy fuqi qenkan marrë vesh ndërmjet veti që këtë vend ta ndajnë më dysh; duke iu takuar nga njëra pjesë secilës prej atyre dy fuqive. Dhe, kështu, thonë “Polla, PollaPollatin” e nga Pollatin, thuhet se i ka mbetur Pallatë-a, që do të thotë përgjysmë apo gjysma. Legjenda tjetër, e ruajtur në popull, thotë se në Pollatë ka qenë ndonjë pallat, ndonjë vendbanim me rëndësi, prej të cilit e ka marrë emrin më vonë katundi i sotëm Pallatë[5].

Në vendin Qarret e Monollëve (Pallatës), në mes të rrjedhës së dy lumenjve, të cilët pak më poshtë bashkohen, në një vend të ngritur ekzistojnë gurë të mëdhenj, themele të shtëpive, lisa të mëdhenj. Si duket këtu ka ekzistuar një pallat i madh, kishë apo manastir e edhe varreza. Kjo dëshmohet me gurët e mëdhenj të cilët, sipas formës dhe përmbajtjes nuk ka të tillë në këtë rrethinë. Rreth atij lokaliteti, i cili është i ngritur, kanë dalë edhe eshtra të varrezave. Është pronë e vakëfit[6].

Pikërisht këtu, tek Qarrat e Pollatës, kanë qenë vendosur shtëpitë e para në kohën kur vendbanimet po ndërtoheshin nëpër kodrina, sepse është një vend i ngritur bukur lart nga pjesa  tjetër e rrafshët si dhe nga lumenjtë. Kjo, me gjasë, me sa njihet historikisht, ka ndodhur mbasi banorët nuk po jetonin më në shtëpitë mbi lumenj. Lidhur me këtë nuk kanë bërë gjurmime, por shihet qartë se nën rrënjët e qarrave të mëdhenj ka gurë në formë  rrasash të mëdha  të vendosura me dorë mbi varre të vjetra, që për ta dhënë fjalën se të kujt janë dhe cilës kohë i takojnë, duhet të japin fjalën e tyre arkeologët, njerëz profesionalistë.

Rezultatet kërkimore  të arkeologëve E. Çershekov dhe I. Zdravkoviq japin mundësi të konstatohet  se në drejtim të rrugës që vinte nga Shatorica dhe e cila shkonte drejt lumit dhe grykës në drejtim të Polatit dhe Shën Pjetrit në Llap, ka pasur gjurmë të objekteve mesjetare. Ndërkaq, nga radhitja dhe numri i tyre, shihet se treva ku është shtrirë Bellasica gjatë mesjetës ka pasur shtrirje bukur të madhe[7].  Bazuar në materialet e gjetura dhe të emrit të cekur të fshatit Pollatë, ne supozojmë se ky vend ka qenë banuar e zhvilluar më herët se shfrytëzimi i xeherores Belasicë në kohën e mesjetës, e shfrytëzues të së cilës ishin Sasët. Pra, Pollata ka qenë zhvilluar  diku në kohën antike, mund të themi në kohën ilire apo iliro-romake, ngaqë, përmes Pollatës të shpie rruga për në Belasicë, e cila nuk ka mundur të shfrytëzohet e të bartet përmes ndonjë rruge tjetër.

Në defterin kadastral osman të Vilajetit Vëllk të vitit 1455 kishte 8 shtëpi, një (1) të vejë dhe një (1) beqar[8].  Në defterin sumar  të Sanxhakut të Vushtrrisë Pollata kishte sërish vetëm 8 shtëpi, një (1) të vejë dhe  4 beqarë[9]. Ndërsa, në Regjistrin kadastral të Vushtrrisë  të vitit 1566-74 kishte 7 shtëpi e 2 beqarë[10].

Si shumë fshatra tjera , edhe Pollata, më 1690 pësoi dëme të mëdha, si nga ushtria austriake, ashtu edhe nga sëmundja e mortajës. Mbasi popullata kishte pranuar besimin islam, e kishin ndërtuar xhaminë, e cila qe rrënuar nga serbët në vitin 1877, por më vonë qe ndërtuar sërish.

Në sallnamet  e Vilajetit të Kosovës të vitit 1893 (1311 h), të vitit 1896 (1314 h), është i regjistruar me emrin Polatne dhe në atë të vitit 1900 (1318 h) me emrin Pollata[11].

Sipas një harte etnografike në fund të shek. XIX dhe në fillim të shek. XX, ky vendbanim kishte 22 shtëpi shqiptare, pa asnjë shtëpi serbe[12]. Mbas vitit 1913 shumë familje u shpërngulën nga ky vendbanim dhe shkuan në Turqi.

Nga sa u tha, mund të supozohet që emri i këtij fshati na del mjaft i errët. Ndonjë gjurmë arkeologjike që ka gjasa të ekzistojë Te Qarrat apo aty pranë, do të ndihmonte për sqarimin e origjinës së emrit. Emri i fshatit Dvorishtë, që gjendet afër Pallatës do të orientonte  tek tema Pallat-i nga fjala latino-romake palatium apo greke palati “pallat, ndërtesë”;  ndoshta edhe emri i fshatit Dvorishtë, që duket më i zbërthyeshëm përmes sllavishtes dvor “ oborr; pallat” mund të merret si përkthim i trajtës Pallat.

POPULLSIA E POLLATËS

Sipas regjistrimeve të zhvilluara në kohë të ndryshme, Pollata ka pasur:

më 1913, së bashku me lagjen Bellosha kishte 211 banorë.

më1921 kishte 29 shtëpi me 326 banorë;

në vitin 1948 kishte 418 banorë;

në vitin 1953 kishte 56 shtëpi me 428 banorë;

në vitin 1961 kishte 70 shtëpi me 503 banorë (495 shqiptarë dhe 6 serbë, 1 malazez, 1 të tjerë).

në vitin 1971 – 70 shtëpi  me 460 banorë (459 shqiptarë, 1 malazez e 1 të tjerë);

Sipas regjistrimit të familjeve (jo edhe të banorëve) në vitin 1977 në këtë fshat jetonin gjithsej 45 familje: Monollë 37 familje, derisa 17 familje të tjera të kësaj vëllazërie ishin të shpërngulura. Ramocë të Pollatës kishte mbetur vetëm edhe një familje në fshat ndërsa 5 ishin shpërngulur. Prej 14 familjeve të lagjes Beselicë, vetëm tri po jetonin deri në këtë kohë në Pollatë. Pra 11 të tjera ishin shpërngulur. Nga 4  familje të Vuthajve, tri ishin shpërngulur dhe vetëm edhe një ishte në Pollatë. Kështu, nga gjithsej  81 familje, 36 sosh ishin shpërngulur vetëm nga fshati Pollatë. Krejt kjo ishte bërë në mungesë të kushteve për jetesë më të mirë, sepse deri atëherë mungonte energjia elektrike si dhe rruga e paasfaltuar, dhe emigrimi vazhdon[13].

Në vitin 1979 Pollata ka pasur 43 shtëpi në fshat si dhe 36 familje (shtëpi) tjera të shpërngulura. Pra është dashur  të jen-ë 79 familje, me ato të shpërngulurat[14].

Në vitin 1981 kishte 56 shtëpi me 509 banorë shqiptarë[15].

Popullsia e sotme e Pollatës nuk është ajo popullsia e mëhershme që ka qenë prej kohësh. Popullsia ka lëvizur shpesh në shumë vendbanime, pra edhe në Pollatë. Në zhvendosjen e banorëve kanë ndikuar disa faktorë:  rrethanat shoqërore, rrethanat historike, rrethanat klimatike dhe ato shëndetësore.

Rrethanat shoqërore janë (sipas nesh) atëherë kur familje të shumta marrin jetën  në sy dhe shkojnë nga një vend në tjetrin për shkak të mungesës së shkollës, të shëndetësisë, të zhvillimit të gjithëmbarshëm ekonomik si dhe të sigurisë. Ndodh që familje të dobëta ndjehen të rrezikuara dhe nuk mund të jetojnë të vetmuara në një vendbanim dhe kështu, e lëshojnë vendbanimin e deriatëhershëm. Rrethanat historike kanë ndikuar dhe ndikojnë në mbetjen në trojet e veta. Kjo ndodh me rastin e ndërrimeve të sistemeve dhe të sunduesve. Duke mos mundur të durojnë sundimin e egër të ndonjë sunduesi barbar e diskriminues, popullata ka ikur edhe natën nga ai vend dhe ka shkuar në vende tjera ku është ndier më i sigurt. Këso rastesh kemi përplot  që njihen në historinë e popullit shqiptar, si shkuarja e shqiptarëve në Itali mbas vdekjes  së Skënderbeut, zhvendosja  e të tjerëve në rrethinën e Shkodres dhe vendosja e tyre në Zarë (sot të Kroacisë), pastaj zhvendosjet e shumta dhe kthimi sërish në vendbanimet e mëparshme gjatë luftërave të shumta me serbët gjatë gjithë shekullit XX e deri edhe në vitin 1999, pa e harruar dëbimin e shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit në vitet 1877 e 1878, në të cilat troje kurrë deri më sot nuk mundën të kthehen.

Pollata, në hyrje nga Krypimehi. Kodra në mes përballë, quhet Kodra e Stanicës

Sipas regjistrimit tim, bërë këto vitet e fundit, nergut për këtë punim, Monollë të Pallatës, jashtë dhe brenda Pallatës janë  120 shtëpi me 786 banorë – 407 meshkuj dhe 379 femra, shprehur në përqindje ende na dalin më shumë meshkuj me 51.8% sesa femra që janë 48.2%. Me shkollim fillor janë 332 ose 42%, me shkollim të mesëm 248 ose 31,5%, me shkollim të lartë 25 ose 3,1%, me fakultet 25 me 3,1% dhe studentë janë 14 ose 1,8%. Autodidaktë janë 2 veta ose 0,25%, analfabetë 21 veta ose 2,1% dhe fëmijë të moshës parashkollore janë 88 ose 11,2% të banorëve. Jashtë Kosovës janë  73  ose 9,3% meshkuj dhe 58 ose 7,3% nga femra, që gjithsej bëjnë 131 ose 16,7% e monollëve.

Pollata sot ka 49 shtëpi me 280 banorë. Prej tyre 142 meshkuj dhe 138 femra.

Këta  banorë shkuan jashtë vendit, kryesisht  pas vitit 1990, kur Kosovës iu mor Kushtetuta e vitit 1974 dhe kur u futën nëpër organizata e institucione masat e dhunshme serbo-çetnike millosheviqiane.

Struktura shkollore është : 121 me fillore, 83 me shkollim të mesme, 10 me shkollim të lartë, 5 me fakultet, 4 studentë, autodidaktë 2, 14 analfabetë dhe 30 fëmijë të moshës parashkollore. Banorë të sotëm të Pollatës me punë të përkohshme jashtë vendit shihet se janë 59 – 32 meshkuj dhe 27 femra.

Fshati Pollatë shtrihet në vendin ku bashkohen dy lumenjtë e kësaj ane:

Lumi Llap që vjen nga Murgulla dhe Lumi i “Zi” që vjen nga Sllatina, gjegjësisht lumi që lidh fshatrat e Grykës së Mavriqit, për çka edhe mund të quhet i “Zi”. Aty dikur ishte e ndërtuar bazilika e më vonë kisha. Fshati është formuar në kohën ilire dhe jetoi edhe në kohën romake e bizantine dhe deri më sot. Nëpër fshat kalonin dy rrugë të rëndësishme: Rruga e xehetarëve që vinte nga Labuca dhe rruga që vinte nga Mali i Argjendtë: Sllatinë – Pollatë.[16] Më 1487 Pollata kishte 8 shtëpi; katër të pamartuar, një vejushë dhe si tokë të punuar një arë. Ishte timar i Lazlu Hizrit të Ali Jeniçerit[17]. Më 1690 fshati pësoi dëme të mëdha, si nga ushtria austriake, ashtu edhe nga sëmundja e mortajës. Kur e pranuan besimin islam, e ndërtuan xhaminë, e cila më 1877 u rrënua nga serbët, por më vonë u ndërtua, e cila është edhe sot e kësaj dite[18].

Pallata është fshat malore-kodrinor. I vetmi nga fshatrat e Mavriqit shtrihet në dy gryka: në Grykën e Lumit Llap deri në fshatrat Sylevicë e  Zhiti në perëndim dhe me fshatin Brecë në veriperëndim, në veri me Sllatinën, në verilindje me Dvorishtën dhe në lindje Pallata kufizohet me Potokun. Dvorishtës dhe Brecës u ka hyrë në mes si pykë, duke mos i lënë të bashkohen njëra me tjetrën. Nuk dihet të ketë pasur ndonjë emër tjetër në të kaluarën[19].

Pollata ka një sipërfaqe prej  afro 7 km2 ose më saktësisht 671,47,28 h, shumica është me male e me pak tokë të punueshme me ara, livadhe e kopshtije. Megjithatë, ashtu siç është mbarë Mavriqi, Pallata është fshat  i përshtatshëm për kultivimin e bagëtisë.

Pallata ka qenë e banuar edhe më përpara se të vinte këtu Man Pollata apo Man Mavriqi. Pollata ka qenë pronë e zotërinjve, banorët tjerë kanë qenë çifçinj. Deri tani nuk dihet se kush ishin zotërinjtë në fshat dhe cilët   çifçinjtë. Sot, si banorët më të vjetër merren Manët (Monollët) e Pollatës, të cilët janë pasardhës të Manit, prej të cilit sot numërohen tri lagje: Demajt, Latifët dhe Azemët. Latifët qenë vendosur në hyrje të Grykës së Mavriqit, njëherit edhe në hyrje të vetë fshatit Pollatë. Demajt qenë vendosur sipër Latifëve në rrafshlartë. Qarrat e Pallatës në perëndim, ndërsa Azemët janë vendosur në Grykën e lumit Llap që vjen nga Murgulla rreth 1,5 km në perëndim të Demëve.

Kështu, Manët, që quhen me një emër, kishin zënë tri kyqet kryesore të dy grykave në fjalë.

Pronë e Monollëve është edhe Bellosha. Bellosha ka qenë e blerë prej Manit kur po jetonte ende në Dvorishtë, tek lagjja e quajtur Xhylakë. Mani njëherë e kishte  blerë Belloshën pastaj  Pallatën. Thuhet se Mani ishte  qehaja në kohën e Perandorisë Turke në këtë anë. Pra, ishte një lloj sundimtari i Belloshës. Mani ka qenë vendosur në Dvorishtë, me gjasë, përpara tragjedisë së Demë Ahmetit. Ai  i kishte  pasur rojet në Belloshë. Xhylakët janë të vëllait të Manit, mbasi thuhet se i pari tyre ishte nip i Manit[20].

Monollët mbahen më të afërm me banorët tjerë të Dvorishtës, sesa me Kosumët.[21] Kjo edhe mund të jetë e vërtetë, sepse Kosumi është pasardhës i Hasanit, vëllait të Demë Ahmetit. Mirëpo, nuk duhet përjashtuar faktin se, të gjithë banorët jo muhaxhirë të Mavriqit janë të afërm mes tyre. Megjithatë, afrinë ndërmjet tyre nuk kemi mundur ta vërtetojmë. Ajo do të dukej si më poshtë:

 

Pasardhës të Ademit janë Ramocët. Ademi nuk dimë i kujt është, pra nuk ia dimë emrin e babait. Me gjasë ka qenë i konfesionit katolik (i krishterë).

Pasardhës të Bahtirit të Asllanit janë Monollët dhe Xhylakët.

Pasardhës të Aliut të Asllanit janë Dvorishtët e tjerë.

Pasardhës të Ahmetit të Shabanit janë Hasani, Neziri e Demë Ahmeti. Me një fjalë, shihet se të gjithë lidhen tek Gjoni i Leks t`Peps t`Kols t`Reçit.

Këtu dikund lidhen me Mavriqët edhe Muçollët e Herticës, Podvoricët e Dumoshit dhe Sopët e Letancit, ashu sikur edhe Mavrajt e Dukagjinit (Pejës e Burimit – Istogut) dhe Mavriqët e anës së Gjilanit e Dardanës.

Se janë të afërm, mund të shihet te Trungu i mësipërm: Aliu i Asllanit e ka xhaxha Shabanin, i cili djalit të tij i vë emrin Shaban, që, njëherit është gjyshi i Demë Ahmetit. Emrin Shaban, i vë djalit të tij edhe Nimani i Demë Ahmetit.

Edhe tek trungu tjetër, shihet se Uka i Aliut, i vë emrin Man djalit të tij, pra në emër të xhaxhait. Kjo, në një mënyrë lë të kuptohet se janë të afërm mes vete.

Monollët janë të ardhur prej Nishit. ( sipas Jahir Potokut). Kjo na shtyn të mendojmë se  ka qenë një shpërndarje (shkapërderdhje)  e lirshme dhe e madhe në Sanxhakun e Nishit , ata herë janë larguar e herë janë afruar me vendbanim, sepse numri i popullsisë ishte i vogël dhe kishin tokë të mjaftueshme që të vendoseshin e të jetonin ku të donin. Është e paqartë se si mundi të vinte Mani nga Nishi në Mavriq! Po, në anën tjetër, ai thuhet se më parë u vendos në Dvorishtë, bleu Belloshën e më pastaj bleu Poollatën dhe u vendos në të! Kjo, jo që të shtyn të mendosh se ai erdhi nga Nishi, por e vërteton këtë. Mirëpo, në anën tjetër, Mani është në afri gjaku me banorët tjerë të Mavriqit, janë edhe të një fisi, madje edhe lidhen në një trung. Kjo ka ndikuar që ata edhe të mos martoheshin ndërmjet vetit.

Shtëpitë e para qenë ngritur pak më lart se Qarrat e Pallatës, ku supozohet të ketë qenë ndonjë manastir, kishë a diçka prej faltoreve. Këtu vendi mban toponimin Trojet e Behramit t`Demës[22]. Shtëpia e parë e Man Pollatës ka qenë ngritur në vendin ku sot është trualli i shtëpisë së Ilaz Demës. Deri sa Mani po jetonte në Dvorishtë, ai është quajtur Man Mavriqi. Mbasi vjen në Pollatë, më vonë nuk është quajtur  Mavriqi, por e mori emrin toponimik Pollata, dhe u quajt, Man Pollata, e më pastaj pasardhësit e tij, pasardhësit e të tre djemve të tij identifikoheshin me Monollë, Monollë të Pallatës. Mani kishte qenë i Shabanit e Shabani i Imerit[23]. Pra, janë tri lagje kryesore pasardhëse të Man Pollatës (Mavriqit): Lagjja e Azemëve, mbajnë mbiemrin Azemi të gjithë. Lagjja e Demëve, mbajnë mbiemrat Dema, Hyseni, Hoxha, Behrami, Ademi   e Rushiti, dhe, Lagjja e Latifëve që për mbiemra kanë: Latifi, Monolli dhe Salihu.

            Lagje tjera në Pallatë janë edhe Ramocët e Pallatës, pa ditur se kur erdhën e u ngulitën  këtu, në  perëndim të xhamisë së Pallatës në një shpat shumë të rrëpishëm, që njihen si lagje e Ramocëve, por me mbiemrin Hajdini. Ramocët e Pallatës nuk trajtohen si muhaxhirë, por si vendës, mbasi ata ishin në Mavriq edhe më herët, që kishin ndërruar vetëm fshatin. Këtu ka qenë ngritur për herë të parë shkolla e Pallatës.

Në Pollatë qenë vendosur disa familje të përndjekura nga Toplica në vitet  1877/1878, që sot konsiderohen muhaxhirë. Këto familje janë: Beselicët, Tërmkollët, Bunjakët[24] dhe Igrishtët. Banorët e ardhur nga vise të ndryshme të Kosovës apo të fshatrave përreth, nuk konsiderohen si muhaxhirë. Të tilla janë familjet Vuthaj me mbiemrin Vuthaj dhe Shala, me mbiemrin Rashiti, të vendosura në afërsi me fshatin Zhiti, në perëndim të Pallatës.

Në vitin 1956, në Pollatë qe vendosur edhe një familje e zbritur nga Murgulla. Ishte ky Mursel Sinani, i cili kishte nisur të punonte si korier i Zyrës së Vendit në Pollatë. Mbasi Murgulla ishte larg dhe rrugë tjetër nuk kishte, ai ishte vendosur përkohësisht në një banesë përskaj Zyrës së Vendit në Pollatë. Këtu ishte vendosur dhe kishte mbetur për gjithë kohën. Sot këtu jeton biri i tij, Vesel Sinani me familjen e tij, ku ka bërë edhe shtëpinë rrëzë malit dhe afër ambulancës së Qendrës së Mjekësisë Familjare në Pollatë.

Thuhet se Ramocët e Pollatës paskan ardhur më përpara se Mani, sepse Mani një kohë ka qenë ndalur në mes të Sllatinës e Dvorishtës, pikërisht në vendin ku sot janë  Xhylakët e Dvorishtës, të cilët edhe sot e kësaj dite nuk e kanë ndërruar vendbanimin në Mavriq, përveç atyre që  e kanë lëshuar krejt Mavriqin e janë vendosur në Podujevë, Prishtinë a gjetiu. Mani pas Dvorishtës, vendoset në Pollatë, në veriperëndim të Qarrave të Pollatës, por jo shumë larg tyre. Trojet i vendosin përbri rrugës  në fshatrat tjera si për në Brecë, Zhiti etj. (në anë të djathtë) që të shpie nga Pollata për në Zhiti e fshatra tjera të Grykës së lumit Llap, Brecë e Murgullë.


 

 

Tabela nr 1: Numri i shtëpive të Pollatës sipas lagjeve  dhe vendbanimeve sot

Nr.Rend.

 

 

 

Numri i shtëpive të Pollatës sipas lagjeve  dhe vendbanimeve sot Azemët Demët Latifët Beselicët Vuthët Ramocët Mazgitit Sylevicët Të O.Ramës Murgullase GJITHSEJ
1. Pollatë 9 17 19           3 1 49
2. Podujevë 4 13 21 25   3   1 9   76
3. Prishtinë 7 3 3 22     1 1     37
4. Krypimeh 4                   4
5. Peran   3   5             8
6. Dumnicë         4 2         6
7. Shtedim         3           3
8. Sfeçël         3           3
9. Obrançë         1           1
10 Fushë Kosovë   1 5 2             8
11 Mitrovicë 1                   1
12                             Prizren   1                 1
13 Gjermani       1             1
14 SHBA 1                   1
15  Mazgit           3 5       8
16 Kastriot           5         5
17 Pakashticë               1     1
  GJITHSEJ 26 38 48 55 11 13 6 3 12 1 213


 

 

POPULLSIA VENDËSE E POLLATËS

 

Me popullsi vendëse kuptojmë ata banorë apo atë popullsi, e cila ka banuar aty prej kohësh, apo që ka ardhur nga ndonjë vendbanim tjetër jo  si e përndjekur nga pushtuesit, por që ka zgjedhur atë vend për banim. Në botë, për shkaqe të ndryshme, janë bërë shumë lëvizje njerëzish e banorësh. Njerëzit kanë lindur në një vend, por ndodh që janë rritur a mplakur në ndonjë vend tjetër. Duke qenë e drejtë e secilit që të zgjedhë vendbanimin e tij ku i pëlqen, ata edhe kanë ndërruar vendbanimet e tyre. Janë të ndryshme profesionet, pasionet, ndjenjat ndaj natyrës e vendit, ndaj njerëzve, ndaj profesioni, dhe, të gjitha këto bëjnë të veten që njerëzit të lëvizin. Thuhet se s`ka shoq pa shoq. Pra, njerëzit afrohen secili tek shoku i tij i ideve, profesionit, punës etj. Të marrim sot lëvizjet që bëhen. Natyrisht, në mungesë të komunikacionit, në të kaluarën kanë qenë më të vogla, por kur e ka lëshuar një vend, ai njeri i ka ndërprerë kontaktet me njerëzit e tij sepse nuk ka mundur kurrë të kontaktojë me ta. Po, ai njeri, nëse është vendosur diku ku nuk ka pasur banorë të tjerë, në një anë, ai është quajtur vendës, sepse është vendosur i pari, e ka populluar i pari atë vend. E vend ka pasur mjaft, sepse numri i popullsisë ka qenë i vogël në krahasim me tokën e gjerë e të hapur që ishte.

Të gjithë banorët e përndjekur nga pushtuesi, u quajtën muhaxhirë, pra refugjatë. Të këtillë ka pasur mjaft nga shqiptarët, sepse ata, duke qenë bujarë, i pranonin në fillim të huajt, por, këta të huaj, u treguan, sa që më vonë i treguan dhëmbët e tyre, dhe, në befasi u binin vendësve, duke i përndjekur nga vendbanimet e tyre autoktone. Kështu ndodhi edhe me shqiptarët e serbët.  Serbët u ndihmuan nga shqiptarët kur ishin keq, po ata u treguan pushtues e të paskrupullt ndaj bamirësve të tyre, dhe sot, përpiqen t`i shfarosin, për t`ua marrë tokat e tyre. Në asnjë kohë nuk mbahet mend të jenë ndjekur serbët nga shqiptarët. Vazhdimisht u ndoqën shqiptarët nga serbët.

Kemi edhe një kategori banorësh që nuk trajtohen as si muhaxhirë e as si vendës. Këta janë ata që zgjedhën vendbanim më të mirë nga ku ishin deri atëherë. Disa sish edhe nga këta është dashur të ikun nga vendbanimi i tyre për ndonjë vepër  të pahijshme, vrasje apo diçka tjetër. Sido që të ketë qenë, këta nuk trajtohen si muhaxhirë. Ka pasur që kanë shkuar në miras, janë afruar tek dajat, miqtë, nipërit a diçka tjetër.

 

LAGJJA E AZEMËVE

Lagjja Azemi quhet ne emër të të parit të tyre. Ishte Azemi djali i madh i Man Pollatës, i cili edhe kishte pasur fatin të vdesë para babait të tij – Manit. Si djalë më të madh, apo si nipër, mbasi Azemi kishte vdekur, ai, Mani, i kishte vendosur në një vend , në një kompleks të veçantë në perëndim të Qarrave te Pollatës. Kështu, u formua një lagje e veçantë, dhe, u quajt, po edhe quhet Lagjja e Azemëve e vendosur në rrëzë të kodrës së Brezovanit  me  ara të rrafshëta në të dy anët e saja buzë lumit Llap. Kjo lagje ka dhënë njerëz të shquar që kanë kontribuar mjaft për këtë anë si për kryetar të komunës në Pollatë, ashtu edhe për hoxhë dhe për mësues. Ka qenë shquar sidomos me traditat bujare e mikpritëse shqiptare. Oda e tyre ka pasur derën hapur për të gjithë ata që ia mësynin – të njohur ose të panjohur.

Kjo lagje nuk është shtuar shumë, mbasi në fillim, disa breza kishin vetëm nga një djalë për trashëgimi, siç janë Azemi e Bahtiri. Pra Azemi kishte vetëm Bahtirin dhe Bahtiri kishte vetëm Selmanin. Selmani ka dy djem, ndërsa djemtë e tij kanë nga pesë a katër djem. Sot  në lagjen e Azemëve janë gjithsej  80 meshkuj në 26 shtëpi ose 54%, 68 femra ose 46%, gjithsej 148 anëtar. Prej tyre 62 janë me shkollim fillor ose 42%, 48 me shkollim të mesëm ose 32.4%, 5 me të lartë 3.4%, 6 me fakultet ose  4%, 6 studentë ose 4%, vetëm 2 analfabetë ose 1.3%  6 autodidaktë ose 4% dhe 9 fëmijë të moshës parashkollore apo 6%. Ndërkaq 24 veta gjithsej gjenden jashtë shtetit kosovar apo 16%: 15 meshkuj e 9 femra. Kuptohet, ka edhe fëmijë, pra janë me familje.

Mulliri i Monollëve të Pollatës, uji i të cilit vjen nga lumi Llap. Shumë familje ka ushqyer me bluarjen e drithit gjatë kohës para mullinjve elektrikë. Në këtë dhe në mullinjtë tjerë të Përmalinës, ka bluar i tërë rrafshi i Llapit verë e dimër. I vendosur mes dy grykave, në fund të Qarrave të Pollatës. Është pronë e Demajve të Monollëve. Këtu më poshtë po japim trungun gjenealogjik të Azemajve si dhe tabelën e regjistrimit të popullsisë së tyre. Për t`u shtuar sikur edhe te tjerët, është dashur që Azemi i parë t`i ketë katër pesë djem, pastaj, Bahtiri, Selmani e kështu me radhë.

Shtëpi e djegur nga serbët në Pollatë, më 1999, pronë e prof. Ymer Rushitit.

LAGJJA E DEMËVE

Dema, djali i dytë i Man Pollatës ka pasur shtatë djem, prandaj me të parën janë shtuar shumë. Dhe me të drejtë, pothuaj vetëm pasardhës të Rushitit, djalit të madh të Demës janë shtuar përafërsisht sa krejt  pasardhësit e Azemit. Këta edhe mbajnë mbiemrat Hoxha, në emër të Osmanit të Rushitit, i cili ka qenë Hoxhë dhe është quajtur Hoxhë Pollata. Shpesh ngatërrohen edhe me Osman Pollatën. Pasardhësit e Imerit thirren Rushiti.

Janë shtuar në 65 shtëpi me 388 anëtarë – 197 meshkuj dhe 191 femra. 181 janë me shkollim fillor, me shkolla të mesme 127, me shkollim të lartë janë 9, me fakultet 8,  studentë 9, analfabetë 8, 57 janë fëmijë të moshës parashkollore. Jashtë Kosovës janë gjithsej 63 – 35 meshkuj dhe 28 femra. Analfabetizmi shihet se ka rënë vetëm në 2%, deri sa  në vitin 1953 analfabetizmi ishte 70.8% të moshës mbi 10 vjeçare, e për vitin 1961 ishte për një% më e madhe – 71.8%. E sot, në viset më malore kjo ka rënë në 2%. Edhe këta janë kryesisht të moshuar, të përcjellë nga koha më e largët[25]. Mbajnë mbiemrin Dema.

Mbajnë mbiemrat Behrami, Dema, Ademi dhe Hyseni.

Shpia pa djel` t`ri e pa kie pleq, nuk mahet. (Raif Dema, Pollatë). mbiemrat Behrami, Dema, Ademi dhe Hyseni.

Mulliri i Demëve në Pollatës

 

LAGJA E  LATIFËVE

 

Sipas tre djemve që kishte Man Pollata, u formuan tri lagje në këtë fshat: Lagjja e Azemëve, Lagjja e Demëve dhe Lagjja  e Latifëve.

Latifët janë shtuar numerikisht bukur shumë. Latifi ishte djali më i vogël i Manit. Janë të vendosur në fillim të Pollatës dhe pronat e tyre shtrihen në të dy grykat e saj – në grykën e lumit Llap dhe të lumit të Mavriqit. Latifët e Pollatës kanë luftuar pa ndërprerë më shumë se të gjithë kundër serboçetnikëve. Pak prej tyre kanë vdekur në shtrat.

Janë të njohur për kundërshtar të përhershëm të armiqve të popullit shqiptar, siç thuhet, denbabaden. Kështu ishte Ajeti i Latifit, Osmani i Halitit, i njohur si Osman Monolli – Pollata. Pastaj vijnë bijtë e Murselit si: Hajrullah, Tafil, Isuf,  Shefki, Avdi, e Hashim Latifi me të birin Besimin, i vrarë nga forcat ushtarako-policore serbe më 13 shtator 1990 bashkë me Skënder Monollin, për të cilët, si edhe për të tjerët, do të shkruajmë veç e veç në një rast tjetër për ta dhe për Mavriqët në përgjithësi. Vetëm bij të Murselit janë vrarë nga pushka e armikut katër: Hajrullahu. Isufi, Tafili, Shefkiu dhe nipi Besimi. Kanë rezistuar kundër të gjithë armiqve; kundër turqve dhe kundër serbëve sa herë që e ka kërkuar nevoja. Shumë prej tyre kanë rënë nga dora e armikut, por mbas një qëndrese heroike. I fundit ishte Shefki  Latifi – Monolli, i mbytur me dru nga policia serbe më 4 korrik 1995 në Podujevë.

 

Numri i të rënëve për liri nga Latifët është bukur i madh. O ashtu, ka pasur edhe mjaft të burgosur politikë prej tyre. Këta më shumë ë se të tjerët në Llap (e ndoshta edhe në Kosovë), asnjëherë nuk i janë bindur asnjë regjimi të vendosur kundër popullit 

POLLATASIT E MAZGITIT

Vuajtjet, robëria dhe përndjekjet  që u janë bërë shqiptarëve nëpër kohëra të ndryshme e kanë bërë të vetën: kanë ndarë familje, kanë ndarë vëllezër e kanë ndarë deri edhe fëmijët prej nënës – e nënën nga fëmijët. Kjo ka ndodhur edhe me pollatasit e Mazgitit. Këtu janë gjithsej gjashtë familje. Katra jetojnë në Mazgit, ndërsa dy syresh kanë shkuar në Prishtinë, njëra prej të cilave jeton jashtë, në Zvicër                                  . Nga të gjithë këta, sot nuk dinë se me kë lidhen në Pallatë. Ata vetëm thonë se këtu kishte qenë vendosur i pari i tyre Sheqiri, për të cilin nuk dinë se i kujt ishte. Djali i Sheqirit ishte Haliti. Haliti kishte mësyrë të shkonte në Turqi, por ishte mbyllur dera, siç thonë. Ky ndalet në Mazgit përmes dikujt të njohur. Kishte pasur vetëm një djalë – Qerimin. Qerimi  kishte vdekur  i  ri. Ai nuk kishte arritur t`u tregonte fëmijëve të tyre se kë kishin më të afërmin në Pallatë. Komunikimi kishte munguar plotësisht, dhe, tani është një degë e shkëputur pa mundur ta lidhim në trungun e tyre.

Pollatasit e Mazgitit janë të afërm me pollatasit e Nedakocit, të cilët quhen Popovë. Këta quhen Popovë nga se janë të ardhur nga Popova e Toplicës, por, para se të vendoseshin në Nedakoc, kishin qëndruar në Pollatë deri rreth viteve të njëzeta të shekullit XX. Atëhere kishin mësyrë Turqinë, por sikur për shumë të tjerë, edhe për këta, kishte qenë mshelur dera dhe kishin mbetur në rrugë. Përmes ndonjë miku, më nuk ishin kthyer në Pollatë, ishin ndalur në Mazgit. Një vëlla tjetër kishte shkuar në Nedakoc e nga Nedakoci i Vushtrrisë, disa familje kishin migruar në Kryshec të Kastriotit, ku janë edhe sot. Do të thotë se këto familje, gjegjësisht, të parët e tyre, kishin qëndruar në Pollatë prej vitit 1878 e deri më 1923, pra rreth mbi 40 vjet.  Këtyre në Mazgit u vdes gjyshi, pastaj edhe i ati dhe mbesin të rinj, pa ditur se me kë kanë lidhje në Pollatë, që në realitet, këta nuk kanë dikë të tyre në Pollatë, por në Nedakoc e në Kryshec, ndërsa tri familje të tjera kishin shkuar për në Turqi. Këto familje morën për mbiemër emrin e fshatit Pollatë, të cilin e mbajnë edhe sot e kësaj dite.

Edhe Dr. Sabit Uka[26] i përmend si Pollatë në Nedakovc, i cili i kishte marrë nga Dr. Emin Pllana. Fshat me emrin Pollatë nuk ka në Toplicë, por Dr. Emin Pllana nuk e ka ditur se ata vërtetë kanë ardhur nga Popova e Toplicës dhe se janë ndalur në Pollatë të Mavriqit për periudhën mbi dyzet vjeçare dhe se këtë mbiemër e trashëguan nga Pollata e Mavriqit[27].

Te Dr. Jusuf Osmani përmenden Pollatët e Nedakocit si muhaxhirë të ardhur drejtpërdrejt nga Toplica[28]. Por, më vonë, edhe Dr. Jusuf Osmani tregon se shpërngulja e Pollatëve nga Nedakoci është bërë pas vitit 1918, 5 shtëpi, në krye me Tilk Pollatën[29].

Për vendbanimin Mavriq, Dr. Jusuf Osmani vetëm tregon se fshati ka qenë në kuadrin e fshatit Pestovë deri vonë dhe se ai vendbanim është themeluar nga Hasan Mavriqi i Mavriqit të Llapit, i cili më vonë shpërngulet në Turqi[30]. Nuk kemi informata më të hollësishme se nga cili fshat i Mavriqit ishte Hasan Mavriqi, gjë që kjo është bukur me rendësi, sepse Mavriqi i Llapit i ka pesë fshatra. Ne nuk dimë për Hasanin se kur ka shkuar nga Mavriqi në Mavriq të Pestovës, i cili u bë themelues i këtij fshati.


PASARDHËSIT E OSMANIT TË RAMËS

            Pasardhësit e Osmanit të Ramës janë të afërt me banorët e Sylevicës. Ata janë të një fisi dhe të një vëllazërie. I përkasin fisit Shalë. i pari i Osmanit t` Ram`s nuk ishte ndalur në Sylevicë, por ngjitur me Sylevicën, në tre kufirin Pollatë, Sylevicë dhe Zhiti. Kishte një territor të gjërë maloro-kodrinor e shpatinor. Nuk e dimë se cili ishte paraardhësi i Osmanit të Ramë Pollatës që ishte vendosur në Pollatë, gjegjësisht në territorin e atëhershëm mes këtyre tri fshatrave. Mirëpo, sipas  asaj që është përcjellë deri sot gojarisht, thuhet se bri lagjes së Azemajve të Pollatës, kishin qenë duke jetuar shqiptarët me mbiemrin Buzolli, aty fund Brezovanit, menjëherë përmbi trojet e sotme të Azemajve, në perëndim, në krah me Sylevicën. Nuk dihet se për çfarë arsye, ata ishin shpërngulur diku për në Vushtrri[31]. Në kohën e shpërnguljes së Buzollëve, ishte gjyshi i Osmanit, Rashiti. Në token e Rashitit ishin vendosur edhe Vuthajt, porse Vuthajt, që deri atëherë po jetonin në Kralefcin e Pakashticës, erdhën mbasi ishte vrarë Rama i Rashitit  dhe Osmani kishte mbetur jetim (bonjak).

Nga pasardhësit Osmanit t`Ram`s t`Rashtit sot janë gjithsej 12 shtëpi me 41 meshkuj dhe 39 femra ose 80 anëtarë gjithsej. Kur ta llogaritet, në të kaluarën deri në tetëdhjetë anëtarë kanë jetuar në një bashkësi familjare, porse tani janë (në) 12 familje, sepse, nëse shikohet trungu gjenealogjik i kësaj familjeje, nuk kanë shkuar më larg nga kushërinj të dytë, çka do të thotë se janë shumë të afërt. Mirëpo, sot nuk jeton më në një bashkësi familjare as vëllai me vëllanë, por secili vetëm me familjen e tij të ngushtë. Në pak familje sot  jetojnë vëllezërit në një bashkësi familjare vetëm deri sa i kanë prindërit , dhe, me vdekjen e prindërve, të’ gjithë shkëpusin bashkësinë familjare. Nuk e kemi nevojën të komentojmë se si është më mirë apo më keq, sepse edhe njëra edhe tjetra i ka anët pozitive dhe negative.   48 anëtarë janë me shkollë fillore ose 60%, me shkollë të mesme janë 16 veta ose 20%, me shkollim të lartë janë 2 ose 2,5%, studentë 1 ose 1,25%, analfabetë konsiderohen 3 veta ose 3,75% dhe fëmijë të moshës parashkollore janë 10 ose 12,5% .

            Janë të një vëllazërie me banorët e fshatrave të Zhitisë, Brecës dhe të Repës, mbasi të gjithë i përkasin fisit Shalë. Pra, janë të vendosur që herët aty, dhe se, këta kanë pasur një pasuri të madhe këtu.

Më 1918 a 1920 vritet Tahiri i Rrahmanit dhe Rama i Rashitit në Pollatë. Osmani ishte nip i Vuthajve, dhe tani, për të qenë afër tij e për t’i ndihmuar, ata (Vuthajt) ua shesin tokën kastratëve e vetë shkojnë në Pollatë, në pronën e Osmanit të Ramës dhe zënë vend aty.

Rama i Rashitit kishte pasur prona të mëdha. Pasuria e tij ishte në Pollatë mes fshatrave Sylevicë dhe Zhiti. I përkasin fisit shalë dhe janë të afërm me banorët e fsharave Sylevicë, Brecë, Zhiti e Repë.


 

VUTHAJT E POLLATËS

Në bazë të asaj se  si quhen – Vuthaj, nënkuptohet se ata prejardhjen e tyre e kanë  nga vendi Vuthaj i Malit të Zi. Në vitet e dyzeta të shekullit XIX, njëri nga tre vëllezërit e Vuthajve, pa e ditur saktësisht shkakun, kishte marrë arratinë, duke u larguar nga Vuthaj njëherë e përgjithmonë. Sesi kishte këputur nëpër Vilajetin e Kosovës dhe kishte arritur deri në Tpolicën e atëhershme shqiptare, duke u ndalur në Kiçmar tek Mehanët, i cili, duke shtegtuar, po kërkonte dikë të fisit të vet ku gjen dhe ndalet tek kelmendasit  në Kiçmar. Këtu i kishte rënë të jetonte vetëm diku nja tridhjetë vjet, dhe tani, pa dëshirën e tij, bashkë me gjithë shqiptarët e asaj kohe, detyrohet ta lëshojë Kiçmarin dhe Toplicën e nxehtë, të pëlleshme e shumë frytdhënëse, më 1878. Me këtë rast, ai ishte ndalur në Kralefc të Pakashticës. Këtu kishin jetuar Vuthajt për nja 40 e më tepër vjet. Në këtë kohë në vitet e 1920-ta, kur po zhvilloheshin ngjarje shumë tragjike për popullin shqiptar në Kosovë, shqiptarët po vriteshin prej serbëve e bullgarëve si delet. Më 1918 a 1920 vritet Tahiri i Rrahmanit dhe Rama i Rashitit në Pollatë. Osmani ishte nip i Vuthajve, dhe tani, për të qenë afër tij e për t’i ndihmuar, ata (Vuthajt) ua shesin tokën kastratëve e vetë shkojnë në Pollatë, në pronën e Osmanit të Ramës dhe zënë vend aty deri sot.

Rama i Rashitit kishte pasur prona të mëdha. Pasuria e tij ishte në Pollatë mes  fshatrave Sylevicë dhe Zhiti.


RAMOCËT E POLLATËS

Nuk jemi te njoftuar se si u gjendën në Pollatë disa nga Ramocët. Këta  mbajnë mbiemrin Hajdini. Hajdini ishte djali i madh i Ramocës. Kishte ardhur e ishte vendosur në Pollatë, në grykën e Mavriqit, në shpatin përballë xhamisë së sotme të Pollatës. Madje, për herë të parë, pas Luftës së Dytë Botërore në një dhomë të vogël  të një shtëpie të Hajdinëve ishte hapur shkolla e parë shqipe. Kjo shtëpi ka qenë deri në vitet e shtatëdhjeta të shekullit XX. Ramocët e Pollatës jetonin në shpatinën në perëndim të Xhamisë së Pollatës, përmbi ta ishin vendosur Beselicët., rruga e të cilëve kalonte edhe nga Ramocët e Pollatës. Ramocët përfundimisht u shpërngulën nga Pollata nga fillimi i viteve të tetëdhjeta të shekullit XX.

 

 

 

Qarrat e Pollatës, guri mbi një varr e nën qarr

 

MURGULLASIT E POLLATËS

Mursel Sinani erdhi në Pollatë në vitet e 50-ta të shekullit XX. Ai këtu erdhi si punëtor – korier i Zyrës së vendit dhe mbeti. Sot këtu jeton biri i tij, Veseli me familje. Pranë shtëpisë së tij kishte qenë Zyra e Vendit si dhe stacioni policor në Pollatë, e ndërtuar në gurë.

 

Në foto  shihet  stacioni policor në Pollatë për mbarë Mavriqin, që më përpara  quhej Komuna e Mavriqit e jo e Pollatës, sepse të gjitha fshatrat e kësaj ane quheshin vetëm Mavriq  nga banorët jashtë Mavriqit si dhe nga pushteti. Ndërkaq, banorët e Mavriqit mes vetes identifikoheshin sipas fshatrave që u përkisnin.

 SYLEVICËT E POLLATËS

Në kohë të vonshme, rreth viteve te 1960-ta, në perëndim të Pollatës, qenë vendosur Sylevicët. Këtu qe vendosur një familje, vëllezërit Met, Hamit dhe Fazli Rrahmani.

Për hiçgjë, duke u kthyer nga Podujeva për në shtëpi, në vendin e quajtur Te Bunari i Bradashit, në qerre me kuaj që po transportonte udhëtarë, se ç`flet Hamit Rrahmani i Sylevicës diçka kundër sistemit sllavo-komunist. Aty qëllon një polic serb dhe e lajmëron. Policia serbo-sllave e merr, e maltreton duke e rrahur deri në atë shkallë sa që Fazliut ia dëmtojnë trurin dhe tani, më nuk ishte në gjendje ta kontrollonte veten se ç~fliste rrugës, dyqaneve apo kudo qëgjendej.  Jetoi sa jetoi dhe vdiq pa e shijuar kurrë jetën e tij.

Met Rrahmani, i vëllai i Hamitit ishte punësuar në Organizatën Pyjore të Podujevës dhe punonte se pylltar. Ky, më vonë u shpërngul në fshatin Pakashticë të Poshtme, djemtë e ti cilit jetojnë këtu edhe sot e kësaj dite.

Fazliu ishte një djalë punëtor e mjaft i zgjuar. Kishte marrë kualifikim të lartë në drejtimin e vinçave dhe ishte punësuar në KNI “Ramiz Sadiku” në Prishtinë.

Një ditë, se ç`kishte  mbetur pa iu vënë pengesa rrotave të vinçit mbi binarë, nëpër të cilët duhej të lëvizte, dhe, papritmas, vinçi del nga binarët lartësia e të cilit ishte me dhjetëra metra, dhe, vinçi rrëzohet e bashkë me të, përplaset nëpër tokë edhe kabina e Fazliut, prej ku komandonte vinçin. Këtu merr fund jeta e tij. Fazliu la dy djem të vegjël: i madhi, Ilazi me aftësi të kufizuar mentale.

 

MUHAXHIRËT E POLLATËS

 

            Fjala muhaxhir, nga arabishtja do të thotë mërgimtar. Kështu edhe nga turqishtja, mërgimtar, emigrant, që ka kuptimin e të shpërngulurit, të atij që vjen nga një vend tjetër[32]. Këtu duhet të kuptojmë se në të përditshmen e sotme se këtë kuptim e ka ai që ndiqet, ai që shpërngulet nga vend ii tij pa dëshirën e tij, por që detyrohet. Sot ka edhe kuptimin e refugjatit. Kuptimi i fjalës refugjat i përket më mire, që thot nga latinishtja: (strehë, strehim), ai që ikën nga vend i vet, ku jeton përherë për t`i shpëtuar një fatkeqësie të përgjithshme, strehues[33]. Pra, muhaxhirë u quajtën gjithë popullsia shqiptare e ndjekur nga vendbanimet e tyre, ku ishin etnikisht të pastër, më vonë  të përzier me popullsi serbe e popullsi tjera, por që shumicë ishin shqiptarët. Këta u detyruan t`i lëshonin vatrat e tyre mijëra vjeçare ose të asimiloheshin, apo të shfaroseshin nga serbët në vitet 1877/1878.

Lagjja  e Beselicëve. Këtu, në këtë  krye të këtij lugu ishte vendosur pas shumë peripetish që kishte pasur pas dëbimit të tyre nga fshati Beselicë e Toplicës.Atje, ku shihet një pikë e bardhë është shtëpia që mund të vërehet nga larg e kësaj lagjeje. Sot kanë mbetur vetëm edhe dy shtëpi të parrënuara. shih pak më poshtë.

T`MJERËT MUHAXHERËT KAH PO SHKOJNË

Çka kanë bjeshkët qi po ushtojnë,

t` mjert muhaxherë kah po shkojnë,

nëpër shi e nëpër borë,

po ju desin thmija n`dorë,

asnja udhën s`po mun t`fillojnë,

kush a musliman qi ban sevap,

muhaxherve m`u ban konak,

u dhez zjerm e u jep darkë,

u shtron mirë, t`flejnë rahat,

prej qi  janë dalë prej t`zezës shpi,

s`kanë pasë buk` qi piqet n`hi,

s`kanë pasë qerep, s`kanë pasë kaci.

Sheh Ahmeti fjalë ka çue:

“Mue zenra m`ka kushtue,

muhaxhert n`kangë me i knue,

kah kanë ikë, kah kanë shkue”.

More mret, thonë muhaxheria!

More mret, more mret i ri,

Shite Bosnje e Rumeli,

a po e sheh çka u ba me thmi?

na u kanë ngri t`shkretit sabi,

pa pasë plang e pa pasë shpi

thmija s`ftofti na u kanë mërdhi,

dath`  e desh`  n`borë e n`shi…[34]

 

Pra, me sa shihet, shkurt por qartë, flet vetë kënga për ndjekjet, vuajtjet dhe  mjerimet e shqiptarëve gjatë asaj kohe, për çka, për të shpëtuar jetën jo vetëm të të rriturve, por në përpjekje që t`i shpëtojnë fëmijët e tyre, u është dashur të marrin arratinë, duke i lënë shtëpitë e gjithë pasurinë e tyre të luajtshme e të paluajtshme. Të këtillë të ndjekur e të mjeruar, ishin ndalur edhe në Pollatë. Në Pollatë, pas një bredhjeje që kishin bërë nëpër fshatra të ndryshme të Llapit, ata ndalen në Pollatë. Muhaxhirët e vendosur në Pallatë ishin: Beselicët, Bunjakët dhe Tërmkollët[35]. Mirëpo, sot nga të gjithë këta muhaxhirë, nuk ka mbetur në Pollatë asnjë shtëpi. Janë shpërngulur të gjithë në vise të ndryshme të trevës së Llapit dhe të Kosovës. Mënyrën se si ishin përndjekur shqiptarët, po japim më poshtë:

 

RRËFIMI  I  FAZLI TULLARIT PËR  NDJEKJEN E SHQIPTARËVE NGA TOPLICA NË VITIN 1878

 

Millosh Obrenoviqi Toplicën e kishte zbarzur përmes imamëve shqiptarë të xhamive. Në radhë të parë ai i kish thirrur të 37 imamët e 37 xhamive. U kishte dhënë nga një okë dukat (ari) të gjithëve, që të agjitonin e të propagandonin tek shqiptarët, që, ose të ndërronin fenë, e, nga muslimanë të kthehen (konvertohen) në ortodoksë – sllavë, ose ta lëshonin Toplicën.[36]

Lidhur me këtë, kishte rrëfyer Fazli Tullari, nga fshati Tullar i Toplicës, i cili, kur e kishin lëshuar atë (fshatin e tyre Tullar), ai (Fazliu) kishte qenë 16 vjeçar.  Babai i tij kishte pasur 12 argatë gra në arë duke korrur grurë. Grurë si i atij viti, as nuk kishte pasur më përpara e as më vonë. Fazliut i kishte thënë babai i tij që të shkonte në shtëpi e ta merrte bukën për drekë. Kur kishte shkuar në shtëpi, në kapixhik ishte parë imami i xhamisë me dy xhandarë e një zyrtar tjetër serb.

–    Ku e ke babën? – e kishin pyetur Fazli Tullarin.

–    Tue  korrë në arë! – u ishte përgjigjur ai.

–   Shko na e thërret! – e kishin urdhëruar. Fazliu shkon. E thërret babain. Babai i tij (të cilit nuk ia dimë emrin), imami i xhamisë i drejtohet

  • A po e ndërroni fenë e po baheni shkie, apo po e lëshoni vendin e po shpërnguleni krejt prej këtuhit? Ose dil, ose bëhu shka!
  • Jo, shka nuk muj bahna!. Menjihere po dal! Qëtash! – përgjigjet babai i Fazliut. Dhe, menjëherë është çuar, duke e lënë gjithë pasurinë atje, me krejt çka kanë pasur. Vetëm anëtarët e familjes i kishte marrë dhe kishte ardhur në Obrançë, afër Podujevës.

Pra, për këtë kishte kontribuar edhe hoxha, jo vetëm një  prej tyre, por të gjithë kishin qenë të lidhur a të shtrënguar ta bëjnë këtë,  por të paktën hoxhët nuk është dashur të jenë në shërbim të armikut.

Le të mbetet ky vetëm një nga shembujt se si populli shqiptar i asaj kohe i ka lënë trojet e veta në Sanxhakun e Nishit pa luftë.

Më në fund, një gjë është e qartë: Shqiptarët e shpërngulur nga Sanxhaku i Nishit, nuk kishin bërë rezistencë kundër kësaj shpërnguljeje. As nuk ishin organizuar, e as që kishin kundërshtuar, me çka, njeriu mund të bindet në punën e mbrapshtë të imamëve shqiptarë që kishin kontribuar në këtë drejtim.

Këtu mund ta lidhim edhe me një fakt: Është pikëpyetje e madhe të vërtetohet se imamët ishin shqiptarë apo shkie, rusë e sllavë të tjerë.

 

BESELICËT

Prejardhjen e kanë nga Leskovci. Ata ishin shpërngulur prej Leskovci në Livadhet e Beselicës. I shpërnguluri nga Leskovci në Beselicë kishte qenë Brahimi, i pari i Beselicëve të Pollatës që  sot   janë përhapur në Llap e Prishtinë dhe në disa vende  në Turqi. Pasi kishin lëshuar Beselicën , ishin vendosur në Kralefc të Pakashticës. Këtu mbreti ua kishte dhënë një hektar tokë. Brahimi i kishte pasur fëmijët e rritur, ndoshta ndonjëri prej tyre kishte qenë edhe i martuar dhe kishte mbajtur shumë bagëti e nuk mundin të qëndrojnë aty. Dalin çipçi në tokë të të parëve të Hetemit të Lahit, me gjasë në tokë të Lahut në  Repë,  në anën e majtë të rrugës që të shpie për në Pollatë, rrëzë Kodrës që quhet Boka. Aty ka pasur edhe vreshta. Me gjasë, për shumë bagëti, edhe këtu nuk i mjaftonte kullosa, dhe Ibrahimi, i pari i tyre me gjithë djemtë, mbasi edhe kishin pasur mosmarrëveshje me Repën, vendos e shkon në Pollatë. Atje e blen tokën prej Miftar Pollatës[37]. Në fillim shtëpitë i kanë pasur në kodër e më vonë i kanë ndërtuar edhe në rrafsh, tek xhamia e Pollatës.

Beselicët janë muhaxhirë në Pollatë. Këta kanë ardhur këtu me rastin e shpërnguljeve të mëdha të shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit në vitet 1877/1878 nga përndjekjet serbe. Siç shihet, këta quhen Beselicë, që janë të ardhur nga fshati me të njëjtin emër të Toplicës – Beselicë. Kanë ardhur tri familje[38] Sot nuk jeton asnjë familje në Pollatë. Ata janë vendosur sot në vende  të ndryshme, duke u nisur nga Podujeva dhe fshatrat e trevës së Llapit, pastaj në Prishtinë e deri në Kanada. Që herët kanë qenë shpërngulur edhe në Turqi disa familje për të shpëtuar nga dhuna e egër serbe. Derisa ishin vendosur në Pollatë, Beselicët kishin shtegtuar nëpër vende të ndryshme. Në fillim mbreti u kishte dhënë dy parmendë tokë në Kralefcin e Pakashticës. Brahimi i kishte pasur miqtë nga Selaci ,dhe, nga Leskovci kishte dashur të shkonte atje.

Zymer Beselica kishte qenë oficer por nuk dimë se çfarë grade kishte pasur, i cili ishte i lidhur ngusht me Demën e Reçicës. Dema  me Zymerin kishin qenë  organizatorë  dhe prijës të një ushtrie shqiptare ilegale.

Beselicët, vendin ku janë ngulitur në Pollatë, e kishin  blerë prej një Miftar Pollatës, i cili kishte ardhur nga Vushtrria për t`ua shitur, i cili ishte shpërngulur nga Pollata në Vushtrri mbasi Pollatën ia kishte shitur Man Pollatës më përpara. Beselicët e kishin blerë mbasi ishin marrë vesh me Demën e Reçicës dhe me  Manin e Pollatës. Është paksa vështirë të shpjegojmë se kush ishte ky Miftar Pollata, meqë nuk kemi shënime. Beselicët kishin qenë treguar paksa problematikë, prandaj nuk kishin qenë shumë të mirëseardhur edhe për pollatasit vendas, pasardhësit e Man Pollatës. Megjithatë, pas vendosjes së Beselicëve në Pollatë, ata kalojnë mirë me fqinjët e rinj – pollatasit dhe nuk mbahet mend të kenë pasur ndonjë mosmarrëveshje, por bashkërisht kanë qëndruar kundër okupatorit serb deri në fund.

Bijtë e Isuf Beselicës, Sahiti ka vdekur në burgun e Stambollit dhe Xhemajli janë vrarë në kohën e ërrfisë më 1921, ndërsa Mulla Shabani ka qenë plagosur.

Azemi e Muharremi, djemtë e Zekës, kanë vdekur të rinj dhe nuk kanë lënë trashëgimtarë, ndërsa Rexhepi i ka lënë vetëm dy vajza.

Halimi dhe Mahmuti kishin qenë kufitar. Ishin edhe të varfër dhe ndodhte të hynin brenda kufirit për të plaçkitur. Qëllimi ishte që edhe t`ua shtinin frikën serbëve brenda kufirit, sepse edhe andej kishte qenë toka e tyre, por ua kishin marrë me zor. Prandaj nuk  përtonin të hynin brenda kufirit. Terrenin e njihnin, pse jo, thoshin ata. Një mbrëmje kishin shkuar në një ahur për të marrë një lopë. Shkau kishte qenë fjetur në grazhd edhe çohet. Përlahen me Mahmutin. Kishte qenë edhe shkau i fortë. Në përlamje e sipër, rrëzohen të dy në ahur. Mahmuti thërret Halimin. Halimi vjen, por nuk shihte asgjë në ahur. Prekte me tytën e pushkës. Kur prek, e pyet, “A je ti?” “Jo!” –thot Mahmuti. Atëherë shkrep pushkën dhe e vret shkaun. Çohen dhe ikin sa mundin, por në vend se të vijnë drejt Llapit, ata shkojnë tutje edhe për dy fshatra. Kthehen deri në mëngjes kur do t`ia japë dielli, këta mbërrijnë në kufi. Këtu i zë gjumi. Po Halimi fle në një rrem dushku, ndërsa Mahmuti nuk fle fare. Ai nga larg, po shikonte duke luajtur me top dy kufitarët e të dy armiqve tanë – njëri turk e tjetri serb. Kufitarit turk i bie topit si shumë, e përse i re topit aq shumë, rraset shuplakë turkoshaku. Dhe as që bëzante fare.  I vjen inat, më në fund, nuk i dhimbsej,  e gjuan pushkë  dhe e vret shkaun. Ahmatin nuk po guxonte ta pyeste turku se nëse e kishte vrarë ai, por e pyet Halimin. Mbasi turku i thot ne besë, Halimi i tregon. Sepse kur Mahmuti kishte gjuajtur, Halimi ishte trembur që ishte në gjumë. Vijnë çepqexhinjtë (gjykatësit) për të hetuar, por nuk merret vesh. Nuk dihet. E pyesin Mahmutin, por ai u përgjigjet shkurt: A kam mundur unë ta vrasë prej Pollatës? Edhe turku nuk e kishte treguar. Më vonë, ishte bërë sikur nuk e kishte ditur dhe e pyet Mahmutin, një ditë kur po shkonin në përcjellje të dorëzimit të monedhave (lirave) turke për paga (rroga).

–   Nuk ke besim në mua? – e kishte pyetur turku.

–   Babai më ka thënë: Besnik bëhu, por besë mos zë! – ia kthen.

–  0, po, unë! A nuk kam pasur ushtarë të Anadollit këtu mjaft që t`i marrë me vete, po u kam marrë pikërisht ju dyve, sepse një djalë e kam, po kurrgjë nuk e dua më shumë se ju të dyve! Pse kam besim në juve, ju kam marrë.

–   Po,  thotë. Unë e kam vra. Nuk munda ta shohë në atë gjendje dhe e vrava.

Edhe turkoshaku e kishte mbajtur fjalën e nuk kishte treguar se e kishte vrarë shkaun.

Mahmuti, edhe ashtu, më vonë ka qenë shpërngulur në Turqi me gjithë bijt e tij Hajrullahun e Smajlin pas vitit 1912, por nuk dimë se në cilin vit saktësisht.

Prej Beselicës të rritshëm kanë ardhur Isufi, Sahiti, Imeri e Zymeri. Me të ardhur nga Beselica, mbreti ua kishte dhënë një hektar tokë në Kralefc të Pakashticës. Mirëpo, kishin pasur shumë kafshë shtëpiake e sikur aty nuk kishin kullosë të mjaftueshme, prandaj shkojnë në tokë të Hetemit t`Lahit, në Metehi, te Vidhat, permbi rrugën Krypimeh – Pollatë, rrëzë kodrinës së quajtur Bokat, ngjitur me Repën. Aty kishte pasur njëfarë shtëpie. Aty kishin shkuar si çipçi.

Zymeri me të birin, Sejdiun, kanë marrë pjesë vullnetarisht në Luftën kundër Greqisë në Plevlën e Vogël. Ai kishte thënë se, kur ne shkonim në luftë, tabet i gjenim  përplot koka grekërish, pa ditur se nga kush ishin  prerë. Zymeri me Sejdiun kanë mbetur gazali (vullnetar).

Isufi e Zymeri kanë qenë ushtarë të perandorisë Turke.

Siç është e ditur, nga viti 1878 e këtej, kufirin në mes Kosovës dhe Serbisë nuk e kanë mbrojtur ushtarët turq. Atë e kanë mbrojtur shqiptarët vet. Prej turqve kanë pasur vetëm ndonjë oficer aso kohe, gjoja sa për të komanduar dhe asgjë tjetër. Kështu, ushtarë në mbrojtje të kufirit kanë qenë nga Beselicët Halimi dhe Mahmuti. Këta, shpesh, hynin edhe thellë në territorin e Serbisë, sepse ata e njihnin terrenin bukur, u bënin zullume serbëve dhe ktheheshin sërish në kufi gjatë natës, duke mos i lënë rehat serbët afër kufirit. Ndoshta edhe nga ky shkak, në pak vende kishte shtëpi serbësh afër kufirit.

Në një rast, thuhet, se vetëm se ia kishte shuplakuar oficerin turk, Mahmuti, nuk toleron fare dhe ishte shumë i rreptë. Ai kishte parë serbin kah i bien shuplakë anadoll`lisë. Në momentin që ishte ca si larg, dhe serbit nuk po i shkonte mendja se ishte duke e parë dikush. Mirëpo, serbi ngase  mundej, i kishte rënë anadollakut, e Mahmuti, sado që ishte larg, e merr në shënjestër, dhe e vret shkaun. Këtë e kishte bërë Mahmuti edhe nga shkaku se oficeri turk e kishte dëgjuar gjithherë Mahmutin, për gjithçka që i kishte kërkuar.

Zymeri nga Beselica kishte shkuar drejt e në truallin e Ukshin Kovaçicës.

Pasardhësit e Zymerit, bijtë e Ramës, kanë qenë shpërngulur në Turqi, aty kah viti 1918, diku në Izmir jetojnë sot djemtë e Ramës me familjet e tyre. Atë kohë ka qenë bërë edhe si modë për shkuarje në Turqi, ashtu siç janë shqiptarët, që nëse një niset për dikah, mbas tij shkojnë të gjithë. Rushiti e Brahim Beselica kishin shkuar edhe më heret në Turqi. Hajdini ishte kufitar. Kishte qenë i angazhuar në ushtrinë serbe. Me shërbim kishte qenë në Suboticë atë kohë. Atje ishte martuar me një serbe! Ai edhe si i martuar me serbe, nuk u besonte atyre, prandaj me gjithë serben, shkon në Turqi, e cila nuk kishte jetuar gjatë dhe i kishte vdekur.

Të gjithë Beselicët kishin tentuar të shpërnguleshin për në Turqi. Dikush e kishte shitur tokën e dikush jo. Dikush e kishte bërë pazar, por dikush jo. Dikush i kishte marrë paret e dikush jo. Mulla Shabani kishte shkuar atje me krejt familjen. Pasi kishte ndenjur nja një vit a dy, dhe, kur Isufi, Zeka e  Hajrizi, që kishin shkuar ta shohin vendin e nuk u pëlqen,  kthehen në Kosovë. Me ta kthehet edhe Mulla Shabani me gjithë familje në Kosovë. Mulla Shabani e kishte shitur tokën, por kur kthehet, e blen pak e nga pak. Ata ishin ndalur në Edrene, por kishin thënë se do t`i dërgonin në Kojë e nuk ua merr mendja të shkonin atje.

Mehmeti i Isufit ishte vrarë nga serbët më 1919.

Bijtë e Sahitit, Xhemajli dhe Sahiti kanë qenë prerë nga serbët me rastin e errfisë më 1922, ndërsa Mulla Shabani ka qenë plagosur, për të cilin thuhet se ka qenë mësuesi i parë në Pollatë e Mavriq.

Te Beselicët kishin qenë vendosur dy shtëpi serbe: Një farë Radovani dhe një Milloradi. Më vonë, kur Mulla Shabani shkoi në Turqi, në tokën e tij u vendos një vëlla i Milloradit.

Sofia e Halitit ka qenë martuar në Carallukë pas vitit 1919. Kjo ka ardhur këtu për shkak të  lëvizjeve të mëdha, dyndjeve shqiptare nga forcat serbe. Beselicët, me rastin e riokupimit të Kosovës prej serbëve, kishin lëshuar Mavriqin. Ata, për të shpëtuar kokat e tyre dhe anëtarëve të familjeve të tyre, ishin detyruar të ikun. Kishin shkuar në Carallukë. Atje kishin qëndruar një kohë. Aty edhe e kishin njohur njëri-tjetrin, dhe më pastaj, pasi Beselicët ishin kthyer në Pollatë, i carallukësi, kishte shkuar tek ta e u kishte kërkuar vajzën, Sofijen për djalë. Edhe Beselicët, nuk kishin mundur t`i kthejnë mbrapshtë. Kjo kishte ndodhur për të mbajtur lidhjet familjare mes tyre. E, ne themi se kjo kishte karakter pozitiv të njohjes mes vete dhe lidhjeve ndër shqiptare. Sot janë nipërit e Beselicëve në Carallukë.

Beselicët kishin qëndruar në shtëpinë e Hamzë Halitit në Carallukë të Malishevës rreth viteve 1918-1920. Mbasi ishin kthyer në Pollatë, i dërgojnë mahramën (mbështjellëse e kokës) Hamzës, ndërsa për birin e tij, Hazirin,  më vonë e fejojnë Sofijen e Halit Beselicës[39].

Mahmut  Beselica ka shkuar në Vushtrri. Prej Vushtrrisë ka shkuar në Turqi. Në Turqi ka shkuar edhe Hasani. Hasani ka qenë luftëtar i Isa Boletinit. Në kohën e Turqisë ka luftuar turkun, ndërsa pas vitit 1912 ka luftuar kundër serbëve dhe ka dalë edhe kaçak deri sa ka shkuar në Turqi[40].

Beselicët kanë dhënë kontribut të madh edhe në kohën e fundit të luftës për çlirimin e Kosovës nga Serbia. Kontributin e tyre e kanë dhënë në shumë drejtime; me luftëtarë, me punë e me ndihma materiale, sepse disa nga familjet e tyre ishin në pozitë të mirë materiale.

Në vitet e 90-ta të shekullit XX  kishin qenë burgosur Ismet e Ismail Beselica si pjesëmarrës në demonstratat e atëhershme për jetësimin e Republikës së Kosovës, në mënyrë që edhe shqiptarët të ishin të barabartë me të gjithë popujt e tjerë të Jugosllavisë. Këta i kishin mbajtur nga 18 muaj burg në kazamatet serbe.

Beselicët e Podujevës kanë qenë disa herë të rrethuar nga forcat speciale të policisë serbe për shkakun se vërtetë ata ishin mjaft aktiv për kauzën e shqiptarëve.  Policët u kishin marrë pasaportat atyre Beselicëve që po punonin jashtë, me paratë e fituara ata po ndihmonin rezistencën shqiptare në Kosovë. Dikush nga Beselicët, atë ditë ka gjuajtur policinë dikush. Dhe, mbasi është gjuajtur, ata kanë nisur të tërhiqen dhe se nxënës e studentë kanë qenë liruar[41].

Sahiti i Ibrahim Beselicës ka vdekur në burg në Turqi. Ai kur ka shkuar në burg, ka shkuar prej Repës, sepse ende ishin duke ndenjur aty atë kohë. Pra është koha me një here mbasi kishin ardhur nga Beselica. Në vitet e tetëdhjeta të shekullit XIX.

Rushit Beselica (hoxha) dhe Hajdin Beselica janë shpërngulur në Turqi më 1922.

Mahmut Beselica është shpërngulur në Turqi në vitin 1918

Në majë të kësaj lëndine ka qenë stacioni policor. Shihet edhe vend me i ngritur dhe themelet e objektit. Nga kjo maje shihet rreth e për qark Mavriqi i Llapit dhe fshatrat tjera  të kësaj ane: Murgulla, Zhitia, Sylevica dhe Kodrat e Brecës. Është pikë mjaft strategjike për këtë anë. Nga këtu duket edhe rrafshi i Llapit deri në Podujevë. Turqit, me vendosjen e kufirit Serbi – Kosovë më 1878, nga këtu kishin përcjellë lëvizjet përgjatë kufirit. E, nga këtu e deri në kufi ka në mes fshatra të tëra, sepse kjo Kodër shkon me Pollatën, ndërsa deri në kufi janë të gjitha fshatrat tjera të Mavriqit, që shkojnë përreth kësaj maje nga veriperëndimi, veriu, verilindja e deri në lindje të kësaj maje. Kur ishte vënë këtu karaulla. Në fshatrat kufitare ishin vendosur vetëm njësi tejet të vogla ushtarësh, apo, më mirë të themi kufirin e mbronin vetë shqiptarët, gjegjësisht, banorët shqiptarë, prandaj dhe kemi një numër bukur të madh të rënësh nga këto fshatra kundër sulmuesve serbë, që herë pas here po përpiqeshin të hynin këtej. Disa herë kishin plaçkitur fshatrat e brezit kufitar, disa herë kishin vrarë edhe barinjtë, për t`ua plaçkitur bagëtinë.

Beselicët e kanë bërë shprehi të dalin për çdo vit në vendin e tyre. Atje  e kalojnë një ditë vikendi, një ditë të bukur, një ditë pa brenga, një ditë idilike, romantike, një ditë me aromë të bukur fshatare, një ditë me ajër të pastër, një ditë me pemë të ëmbla e të pastra fshati, një ditë për ta mbajtur mend, një ditë ku janë të bashkuar dhe njihen e rinjihen mes veti.

Shtëpia e Adem Ymerit –  Beselicës në  Pollatë, tani e zbrazët, nuk banon më askush nga Beselicët në Pollatë, prej 55 shtëpive që janë shtuar

 

Pasardhësit e Isuf  Beselicës së Pollatës

EMËRVENDET E FSHATIT  POLLATË

Lagjja e Latifëve dhe e Demëve

Pikë orientimi:   QARRAT E POLLATËS[42]

  • Ara e Meh’s,VP, Nuk dihet se kush ka qenë ai Meha[43], Sipas të cilit i ka mbetur emri këtij vendi. Tash është pronë e Hajdinit t’Raif Demës.
  • Ara e Ozmonit (VP), mund të jetë shqiptim i gabuar i emrit t’Halitit t’Latifit t’Manit (Osmanit).
  • Ara n’prrue (VP). Këto livadhe i ndan Prroni i Kokorovicës, gjysma e livadheve janë pronë të Beselicëve dhe gjysma tjetër të Ilazit t’Hasanit.
  • Ara e Jov’s P. Jova, thuhet se ka qenë raje në kohën e Turqisë, para vitit 1878, popullsia e Pollatës nuk di gjë për të, vetëm se ka qenë raje dhe se një mori vendesh mbajnë emrin e tij.
  • Arat mas shpie P, këto shtëpi janë prapa shtëpive të Demajve. Është pronë e Ilazit, Sheqirit dhe Selimit.
  • Arat e Gata VP, quhen të gjata, sepse janë të tilla. Janë prona të Selimit, Bajramit e Mustafës.
  • Arat e Vogla, V, ara.
  • Ara e Konakut  V, ndoshta dikush nga ata që kanë jetuar në Pollatë i ka pasur konaqet këtu, andaj quhet Ara e Konakut. Është arë.
  • Arat e Shpatit VP, janë të mbjellura me bari.
  • Arat e Rrafshit P, gjysma e arave janë të Demajve e gjysma tjetër e Latifajve.
  • Arat e Fazlisë VP, këto ara  shtrihen pranë lagjës së Beselicëve edhe tash janë ara. Kush ka qenë ai Fazliu, nuk dihet.
  • Arat e Hajdinëve V, tash janë pronë e Beselicëve, Sahit Demës, Sadik Behramit, Mustafë Hoxhës dhe Demë Hysenit.
  • Arra e Tahirit (P), dru arre, pemë.
  • Bregu i Mjedisëm P. Mal. Mere.
  • Birat e Dhelpnave VP, Vrima – shpella, mal. Birat e Dhelpnave nuk janë diç tjetër, vetëm vendstrehimi i dhelprave, të cilat, duke e gërryer dheun i kanë bërë disa vrima (bira) e në to strehohen e shumohen.
  • Boka e Kuqe VP, mal, mere.
  • Çajret mi shpia VP. Kullosa.
  • Çarrat e Pollat’s Q. Vendi është lëndinë, por këtu janë disa lisa shumëvjeçarë të çarrit, ku shihen edhe gërmadhat e një kishe të vjetër. Vendësit këtë vend e quajnë edhe te Çarrat. Këtu ka edhe varreza të vjetra, të cilat kanë nga një guri të madh sipri. Nën këta Çarra mëshohet diçka nga e kaluara. Këtu, vërtet mund të thuhet se ka qenë edhe ndonjë pallat, prej të cilit ka mundur t`i mbetet emri Pollatë. Eshte mirë të bëhen hulumtime nga njerëz profesionalistësh fushash të ndryshme për të gjurmuar dhe vërtetuar këtë. Gur të mëdhenj gjenden sipri të varrezave. Banorët e kësaj ane të më hershëm kanë deklaruar se më heret kanë dalë bri rrugës eshtra këmbësh të njerëzve shumë të mëdhenj. Tani është zgjëruar rruga dhe nuk shplohen eshtra të tjerë pa i zbuluar njeriu.

Ndryshe quhet edhe Çarrat e Monoviçe, që ne e kemi marrë si     pikëorientim.

  • Fjerinat VP, vend me fier.
  • Hajdinovit V, troje. Këtu ka qenë një lagje që ka mbetë vetëm edhe një familje, e cila s’ka as trashëgimtarë. Është kjo familja e Sherifit – njeri shumë i varfër dhe pa askënd.
  • Kolibat e Muhaxher’ve P. Kasolle. Këto janë kolibat, në të cilat kanë ndejtë muhaxhirët në kohën kur bëhej shpërngulja e shqiptarëve nga

Toplica. Këtu janë vendosur përkohësisht dhe pastaj kanë marrë jetën në sy për të gjetë vende më të përshtatshme.

  • Krojt e Dem’s P. Kroje. Tash quhet kroni (i) Hasanit.
  • Kroni (i) Halitit P. Krua.
  • Koliba e Osmanit P. Ish kasollë. Pollatasit kanë qenë shumë të torturuar gjatë Jugosllavisë së vjetër prej serbëve. Për këtë flet më së miri ngjarja mbi Osmanin e Halitit t’Latifit, nipi i Man Mavriqit.

Osmani nuk mundi ta durojë torturën që i bëhej popullsisë së kësaj ane, ndaj kishte dalë në mal, kaçak, siç e kishin quajtur në këto anë. Serbët, mbasi nuk mundën ta zënë vetë Osmanin, të revoltuar e të zemëruar deri në kulm, me dhunë e detyruan popullin dhe fshatarët e kësaj ane për ta rrethuar dhe për ta zënë atë. Rrethimi dhe zënia e tij duhej të bëhej doemos ose, do ta çfarosnin mbarë Pollatën. Osmanin, mbasi e plagosin, e zënë. Të plagosur, e nisin për në Podujevë. Atëherë, i vëllai, Murseli me të jatin, Halitin, u mësyen prapa dhe i zënë ende pa hyrë në Krypimeh. Aty u bërtasin xhandarëve dhe e kallin luftën.

Disa nga xhandarmët vriten e tjerët ikin, ndërsa Osmani, mbasi lirohet, vritet prej xhindarmëve në vitin 1921.

  • Kroni (i) Ftoftë VP. Krua.
  • Kërshat e Hajdinoviçe VP. Shkëmb.
  • Kroni (i) Xhanar’ve VP. Krua.
  • Krojtë e Beselic’ve VP. Përpara janë quajtur Krojt e Miftarit.
  • Kodra e Stanic’s VP. Kodër. Shtrihet në veriperëndim të Pollatës. Kjo kodër niset që nga Çarrat e Pollatës (Manoviçe) e ngrihet deri lart, mbi lagjën e Beselicëve, që vazhdon në Kokorovicë. Përpara (e nga disa edhe sot quhet) është quajtur kodra e Kokorovicës, sepse në këtë kodër është mikroregjioni me emrin Kokorovicë.

Me të dëbuarit e turqve nga kjo trevë, qenë vendosur serbët. Menjëher pas vendosjes së tyre, e patën ngritur një objekt në të cilën qenë vendosur xhindarmët e Serbisë, gjegjësisht Jugosllavisësë vjetër, në të cilën i patën shkuar njerëzit në dru. Ky objekt ishte stacion i xhindarmëve. Prej këtij vendi qenë tërhequr xhandarmët rreth vitit 1932, të cilët patën rënë në Pollatë. Sot nuk ekziston stacioni më, por Kodrës i mbeti emri Kodra e Stanic’s.

  • Kërshi i Hutit VL. Shkëmb. Nuk dihet pse quhet i Hutit. Ka gjasa të ketë ndenjur Huti në të. Përreth shkëmbit është mal, pronë e Latif Latifit.
  • Lama e Ahmetit P. Oborr e kullosë. këtu e ka grumbulluar ushqimin e kafshëve Ahmeti. Është pronë e Avdylamitit.
  • Lama e Ahmetit L. Livadh. Është pronë e Dem’s t’Hysenit.
  • Livadhi (i) Keq P. Tash është mal. Quhet livadhi i keq, sepse nuk ka qitur bari mirë asnjëherë.
  • Livadhi (i) Vogël P. Livadh.
  • Lugu i Bok’s  t’Kuqe VP. Mal, mere.
  • Lugu i Bunarit VP. Në këtë përrua, që nuk është i madh, është bunari, sipas të cilit e ka marrë emrin lugu. Bunari është i Latifajve.
  • Lama e Ef’s P. Livadh. Është pronë e Demës t’Hysenit.
  • Lama e Bregut V. Livadh. Është pronë e Latifit dhe Fazlisë.
  • Livadhi (i) Jazit J. Ara e livadhe.
  • Lugu i Miftarit V. Luginë. Pollata ka qenë e banuar ende para se të vinin Monollët, gjegjësisht, përpara se të vendosej këtu Man Mavriqi. Mirëpo, nuk dihet se kush ka qenë ai Miftari, Ahmeti e të tjerë, që një mori vendesh quhen në emër të tyre.

Thuhet se Miftari dhe Ahmeti kanë qenë vëllezër dhe se Ahmeti e kishte pasë pronë të tijën pjesën lindore të lumit të Sllatinës, ndërsa pjesën perëndimore të tij e kishte pasur Miftari, i vëllai. Ky lugu i Miftarit është territorialisht bukur i madh dhe kështu në të ka mal, fushë, arë e kopësht.

  • Lugu i Rakit’s L. Luginë me drunj shkoze.
  • Livadhet e Potokut VL. Livadhe. Shtrihen në Kodrën e Potokut, përmbi Pollatë.
  • Lugu i Kronit P. Luginë.
  • Lugu i Fazlisë V. Përrua.
  • Livadhi (i) Sadrisë V. Livadhe e ara. Deri në vitin 1935 këtu ka qenë xhamia e Pollatës. Kush ka qenë Sadriu nuk dihet.
  • Livadhi (i) Ahmetit VL e JL. Arë e Livadhe.
  • Llazi (i) Hoxhoviqe L. Shtek i malit. Pjesë pa drunj në mes të malit.
  • Llazi (i) Hysenit P. Livadh.
  • Llazi (i) Mjedisëm P. Lëndinë, mere.
  • Llazi (i) Sheqirit VP. Livadh.
  • Mullini (i) Ahmetit JL.  Mulli. Mulliri më i vjetër i Pollatës është Mullini (i) Ahmnetit.
  • Mullini (i) Bujakve VP. Tash nuk ekziston dhe është mere vendi.
  • Mullini (i) Latifit P. Mulli. Përpara është quajtur Mullini (i) Madh.
  • Mullini (i) Dem’s J. Ky është mullir i Demës t’Man Mavriqit dhe të gjithë Demajt kanë pjesë në të.
  • Mullini (i) Sheqirit t’Ramocve V. Mulli. Ekziztojnë vetëm edhe muret nën pullaz të këtij mulliri, që është në rrënim e sipër, ngase ka dalë prej përdorimit qysh moti. Gjindet pranë Xhamisë së Pollatës.
  • Osoja e Moçme  VP. Mal. Mere.
  • Osoja e Birave t’Dhelpnave VP. Mal.
  • Osoja e Miftarit VP. Mal. Mere.
  • Orrnica e Madhe VP. Arë.
  • Prroni (i) Madh P. Mal.
  • Prroni (i) Halitit P. Livadh.
  • Prrojt e Brec’s P. Mal, përronj me drunj.
  • Pusat e Thiut P. Pusa. Janë pusa në formë të moçaleve. Këtu janë larë thitë, prandaj u ka mbetë emri i tillë. Kuptohet, thitë e egër.
  • Roga e Zabelit P. Mere, lëndinë.
  • Roga e Rrezes VL. Lëndinë.
  • Roga e Qurshisë VL. Lëndinë. Sdihet të ketë pasur këtu ndonjherë ndonjë qershi.
  • Rrezja mi Maxhup P. Mal. Jo gjatë, kanë banuar këtu edhe vetë ata.
  • Rrezet e Shpatit P. Mal.
  • Rrafshi (i) Çuk’s VP. Lëndinë.
  • Rrezja e Kërshit t’Hutit VL. Mal.
  • Shpia e Sahitit t’Sinanit V. Shtëpi.
  • Shpiat e Beselicëve VP. Troje. Beselicët janë të ardhur nga fshati Beselicë e Toplicës rreth vitit 1877-78. Nga Beselica kanë dalur duke i lënë tokë e shtëpi dhe janë vendosur këtu në Lugun e Fazlisë.
  • Shpia e Raifit  VL. Truall.
  • Shpiat e Hoxhoviqe L. Shtëpi, troje.
  • Shpia e Latifit V. Shtëpi.
  • Shpia e Jahir Beselicës V. Është krye Lugut t’Miftarit.
  • Shpia e Sheqirit V. Shtëpi.
  • Trolli (i) Behramit VP. Livadh. Meqenëse në këtë vend u vdisnin meshkujt dhe nuk shtoheshin, Behrami qe detyruar ta ndërrojë trollin dhe bie pak më poshtë, aty ku sot është Sadiku.
  • Udha e Llazit Miekaj (mesëm) P. Udhë. Quhet  edhe udha e Llazit Mesëm.
  • Udha e Prronit t’Halitit P. Rrugë.
  • Udha e Kokorovicës VP. Rrugë. Kjo rrugë nis nga Çarrat e Manoviçe e shkon deri në Kokorovicë.
  • Udha e Lugut t’Kronit P. Rrugë. Lidhë Lugun e Kronit me lagjen e Demajve.
  • Udha e Lam’s t’Bregut P. Kjo rrugë lidhë Lamën e Bregut me dy lagjet: Demaj e Latifi.
  • Udha e Kodrës t’Potokut L. Është rrugë që  shpie Kodrës së Potokut për në Potok. Kjo kodër është e përbashkët mes Pollatës dhe Potokut dhe kështu, Potokasit e quajnë Kodra e Pollatës, ndërsa pollatasit e quajnë Kodra e Potokut.
  • Udha qi shkon n’Potok L. Rrugicë.
  • Ura e Sheqirit V. Urë mbi lumin e Sllatinës.
  • Ura e Latifit V. Urë.
  • Ura e Fazlisë dhe e Sheqirit V. Urë.
  • Ura e Raifit V. Urë
  • Xhamia e Pollat’s V. Xhami. Këtu, ku sot është Xhamia, përpara ka qenë “Opshtina e Dvorisht’s” (Komuna e Dvorishtës). Ka qenë një ndërtesë me një zyrë, Zyren e Vendit.
  • Zabelet n’Fjorina VP

 

Lagja e Azemajve

Pikorientimi: Ura e Madhe. Q.

  • Ara e Avdullahit P. Livadh.
  • Ara e Bregut JL. Arë.
  • Ara e Epër (Te Zostoja) L. Arë. Quhet me dy emra: Ara e Epër dhe Ara te Zoztoja.
  • Ara e Jazit P. Arë.
  • Ara e Gatë JP. Arë.
  • Ara te Haxha (te zostoja) L.Arë. Edhe kjo thirret me dy emra: Ara te Haxha dhe Ara te Zostoja.
  • Ara e Mehmetit JP. Arë.
  • Ara e Re. P. Livadh.
  • Ara e Rrafshit J. Ara
  • Ara te Tantat V. Arë. Tantë quhet vendi ku uji ndalet në lumë një pjesë e të cilit kthehet për në mulli ose për në arë e livadh. Pendë.
  • Ara tu Shelnjet L. Arë
  • Ara e Kull’s. P. Pronë e Rrustemit
  • Ara e Kërrshit P. Arë.
  • Ara e Hajdarit L. Arë.
  • Dardha e Markut L.
  • Bashqja L. Kopsht.
  • Bashqja me Pemë P. Kopsht me pemë.
  • Brezovani JP. Është kodrina që ngrihet në jugperëndim të kësaj lagjeje. Kjo kodër kufizohet me katundin Sylevicë e cila edhe prej Sylevicasve quhet me të njëjtin emër – Brezovan. Këtu turqit e kanë mbajt ushtrinë , andaj kemi edhe emrin: Merçez, që do ta shënojmë më poshtë.
  • Çuka e Brezovanit JP. Lëndinë – mere.
  • Funi (i) Ars t’Bregut JL.
  • Kroni (i) Mehmetit P.
  • Kroni (i) Nizomve P. Krua
  • Kroni (i) Pusave P.
  • Kroni (i) Rrahmanit P.
  • Lagja e Azemajve P. Lagjja e Azemajve vjen në perëndim të katundit Pollatë. Janë të vendosur në mesin e rrugës që të shpie në Zhiti – Brecë – Murgullë. Azemajt janë të afërt me pollatasit. Azemi ishte djali i Madh i Man Mavriqit. Këta thirren të gjithë me mbiemrin Azemi, pra, ne emrin e të parit të tyre.
  • Lugu i Llazit P.
  • Llazi mi Shpi t’Selmanit JP.
  • Livadhi mi Shpia P.
  • Livadhi tu Vorri L.
  • Lugu i Kronit t’Nizomve.
  • Llazi P.
  • Mali i Kronit t’Nizomve P.
  • Mali (i) Mexharit P. Quhet i Mexharit sepse gjindet në mexh me katundin Sylevicë. Pra i Mexharit e ka marr nga Mexhë-a.
  • Mali n’Prrue P.
  • Mali te Vorret L.
  • Mrizi te Kroni (i) Pusave P.
  • Mexhari P.
  • Mullini L. Mulli. Është mulliri i Azemajve.
  • N’Ballë t’Xhades t’Haxh’s VP:
  • Orrnicat e Prronit P.
  • Prroni (i) Ynë P. Përrua me therra.
  • Sharra L. Sharrë që me ndihmen e ujit pret trupa dhe i bën dërrasa.
  • Shpati te Tanta V.
  • Tanta e Mullinit VP. Pendë.
  • Tanta e Livadhit VP. Pendë.
  • Tanta e Sharr’s VP. Pendë. Tanta e Mullinit dhe e Sharrës është një, por herë quhet e Mullinit e herë e Sharrës.
  • Trojet JP. Tash nuk ka troje. Është arë.
  • Trolli (i) AlisëVL.
  • Te dardha Shorte J. Dardha shorte do të thotë e shortuar.
  • Te udha n’Baltë P. Kuptohet, rrugë që rri të shumten e kohës me baltë.
  • Te vorret matan Reke VL. Janë varrezat që xhinden përballë Azemajve pranë rrugës Zhiti – Pollatë.
  • Te Furra e Qyreqit VP.
  • Tu Zoztoja VL. Deriçkë me Pallzina.
  • Tu Hulaqat P. Vendi ku hulaten (luhaten) fëmijët.
  • Te Pusat J.
  • Udha e Mullinit L. Rrugë që të shpie për tek Mulliri.
  • Udha e Ar’s t’Gatë P.
  • Udha e Prronit tonë P.
  • Udha e Llazit P.
  • Ura e Jazit P.
  • Ulica e Mullinit L.
  • Ura qi del n’Brezoven JL. Është ura mbi të cilën kalohet për të shkuar në Brezoven e pastaj edhe për në fshatin Sylevicë. Kjo urë është mbi lumin Llap.
  • Ura n’Fun t’prronit t’Jov’s, JL. Kjo urë lidhë rrugën Pollatë – Zhiti. Kuptohet, është e vendosur mbi Përroin e Jovës, tani Përroi i Pajtimit.

 

Informatorët për Pollatë:

  1. Raif Dema, 1902, analfabet, bujk, Pollatë, 23.XI.1976
  2. Ajet Latifi, 1920, pensioner, Pollatë
  3. Hashim Latifi, 1922, mësues, Pollatë
  4. Rifat Salihu, 1945, Fak. i mbrojtjes
  5. Muhamet Latifi, 1955, jurist
  6. Ismet Hoxha
  7. Vesel Sinani, Pollatë, 7.I.2007
  8. Ymer Rushiti, Ekonomist, 1949
  9. Adem Ymeri, 1922, Podujevë
  10. Isuf Beselica, 1925, Podujevë
  11. Rrahim Jusufi, 1930, bujk. Peran më 2.I.2006
  12. Remzi Beselica, 1945, Prishtinë
  13. Mustafa Ymeri, 1948, Podujevë
  14. Halit Jusufi , 1951, mësues, Peran, më 2.I.2006
  15. Bejtush Beselica, 1956 Podujevë
  16. Shaban Ymeri, 1963, Podujevë
  17. Afërditë Beselica – Beqiri, Prishtinë, 21.I.2007.
  18. Afrim Ibrahimi, Prishtinë,
  19. Bahtir Rrustemi, 1936, bujk. Podujevë. 25.VII.2006
  20. Sabit Vuthaj, 1950, axhystator Sfeçël. Marrë më 16.VII.20063.
  21. Behxhet Vuthaj, 1962, me SHME, Sfeçël, më 16.VII.2006.
  1. Sahit Latifi, punëtor, me tetëvjeçare.
  2. Shefki Latifi, 1935, punëtor. Dëshmor , emrin e të cilit me krenari e mban Shkolla Fillore dhe e Mesme e Ulët në Pollatë.
  3. Selim Latifi, kurir shkolle, 1935, autodidakt.
  4. Xhavit Dema, 1958, profesor i historisë, Pollatë.
  5. Ali Azemi, 1936, me tetëvjeçare, bujk.

 

Vërejtjet dhe këshillat qëllimmira janë të mirëseardhura.

[1]  Dr. Jusuf Osmani: Vendbanimet e Kosovës – Besiana (Podujeva), Prishtinë, 2005, faqe 220.

[2]  Në gjuhën shqipe me pollë-a ka edhe kuptimin e anës, që tregon kahjen, por kjo ndodh tek rrobat, që tregon pjesën a pjesët,visit.

[3]  Dr. Muharem Carëbregu, vepër e cituar, faqe 478.

[4]  Dr. Fehmi Pushkolli “Demë Ahmeti”,  faqe 27.

[5]  Gani I. Mehmeti: “Toponomastika dhe mikrotoponimia e Mavriqit të Llapit”, Punim diplome, dorëshkrim, 1981, Fakulteti Filozofik (Filologjik) Prishtinë,f. 4-5.

[6] Dr. Jusuf Osmani: “Vendbanimet e Kosovës – Besiana  (Podujeva”,  Prishtinë, 2005

  1. 220. Ishte konstatuar në vizitën e bërë këtij vendi më 3 janar 2005 bashkë me prof. dr. Shefki Sejdiun dhe me dr. Jusuf Osmanin.

[7]   Qendra e Kulturës e Podujevës: TRASHËGIMIA ETNOKULTURORE DHE HISTORIKE E LLAPIT, Prishtinë, 1995, faqe 110.

[8] Oblast Brankovića, fq. 312.

[9]  Defteri sumar i Sanxhakut të Vushtrrisë, nr. 22. i vitit 1487.

[10]  Selami Pulaha: “Popullsia shqiptare e Kosovës gjatë shekujve XV-XVI, Tiranë, 1972, fq. 691.

[11]  Dr. Jusuf Osmani Vendbanimet e Kosovës …, fq. 221.

[12]  Dr. Jusuf Osmani, po aty.

[13]  Gani Mehmeti: “Toponomastika dhe …” fq. 3.

[14]  Gani Mehmeti , “Toponomastika dhe…”, faqe 4. Pra, shihet se edhe atë kohë shpërngulja nga fshatrat malore-kodrinore ka qenë e madhe.

[15]  Dr. Jusuf Osmani, fq. 222.

[16]  Dr. Fehmi Pushkolli: “Llapi gjatë historisë”, faqe  390 e 391.

[17]  “Oblast Brankoviqa”, f.  312 e 313.

[18]  Dr. Fehmi Pushkolli,  po aty, faqe 391.

[19]  Gani I. Mehmeti, si më lart, faqe 4.

[20]  Marrë më 7. I. 2007 nga Xhavit Dema, profesor i historisë.

[21]  Marrë nga Jahir Islami – Potoku, 1918. Autodidakt.

[22]  Thuhet, dhe  është e vërtetë, se Behrami i Demës t`Man Pollatës, kur ka qenë ndarë nga vëllezërit, ka dalë këtu me truall. Behrami vetë i kishte pasur katër djem: Tahirin, Zenelin, Sherifin dhe Smajlin. . Mirëpo, këta nuk janë shtuar. Edhe sot janë vetëm dy familje; ajo e Sadikut t`Smajlit dhe e Rrahimit të Zenelit, të cilët e kanë luajtur truallin, duke thënë, se nuk po u shkonte mbarë shtimi i meshkujve, përkundër që Behrami e Zeneli i kishin pasur nga shtatë djem e më shumë, atyre u kishte mbetur vetëm nga një djalë. Sadiku ka sot shtatë, kuptohet, përveç Behramit, të rënë dëshmor më 1999, por edhe ai ka lënë djemtë. Pra, këtu ka pasur diçka, siç thonë edhe vetë pollatasit.

[23]  Sipas Rifat Salihut nga Pollata, me banim në Podujevë. Marrë gojarisht më 18. VII. 2006.

[24]  Dr. Sabit Uka: “Dëbimi i shqiptarëve nga  Sanxhaku i Nishit 1877-1878” I, Prishtinë, 1994, faqe 169.

[25]  Dr. Kosovka Ristič: Malo Kosovo, antropogeografska studija, Priština, 1971, faqe 136.

[26]  Dr. Sabit Uka: Vendosja dhe pozita e shqiptarëve në Kosovë 1878 – 1912, 3, Prishtinë, 1994, f.74.

[27]  Sipas Rifat Sopjani, nga Sllatina e Madhe, nip i pollatasëve të Mazgitit, i cili dinte të shpjegonte më mirë ai për dajat e tij, sesa vetë dajat për vete.

[28]  Dr. Jusuf Osmani: Vendbanimet e Kosovës – Vushtrria. Prishtinë, 2005, faqe 12.

[29]  Po aty, f. 13.

[30]  Dr. Jusuf Osmani: Vendbanimet e Kosovës – Vushtrria, Prishtinë, 2005. Faqe 192 e 193.

[31]  Është për të menduar, se për çfarë arsye shumica të zhvendosurit nga Mavriqi i Llapit, shkojnë për në Vushtrri. Këtë, na e thot mendja se e kanë bërë për shkakun se Vushtrria atë kohë ka qenë seli e Perandorisë Osmane, dhe, sipas gjasave, në të kanë pare perspektivën për kohën kur janë vendosur këta të zhvendosur. Kjo do të ishte e barabartë me kohën e sotme, që, të gjithë ata që duan të shpërngulen nga periferia, shkojnë në qendrën kryesore, e për sot, në Prishtinë, ashtu siç kanë shkuar atë kohë në Vushtrri. Kështu, në Vushtrri ishin shpërngulur Buzollët, Miftar Pollata, i cili token ua kishte shitur Manit po më vonë edhe Beselicëve.

[32]   Mikel Ndreca: Fjalor fjalësh e shprehjesh të huaja, Prishtinë, 1986, faqe 482.

[33]   Po aty, faqe 598.

[34]   Marrë nga Dr. Sabit Uka “Dëbimi dhe vendosja e shqiptarëve  nga Sanxhaku i Nishit” 1877-1878, Prishtinë, 1994, faqe 9.

[35]   Po aty, faqe 169.

[36]  SIopas Jahir Islamit – Potokut

[37]  Miftar Pollata paska qenë nga Vushtrria. Pronën e kishte pasur në Pollatë. Me  gjasë ai ka qenë pronari i deriatëhershëm i Pollatës, sepse asnjë tokë në fshatra tjera nuk ka qenë blerë prej dikujt që nuk dihej se prej kujt. Po kuptohet se vetëm Pollata ka qenë prone e dikujt tjetër e i fundit para monollëve, paska qenë Miftari, ngaqë, thuhet se edhe Mani e kishte blerë prej Miftar Pollatës Pollatën, por natyrisht, e ka blerë shumë më herët para Beselicëve. Deri atëherë Mani ka jetuar në Dvorishtë, tek Xhylakët, me të cilët ishte më i afërmi. Miftari e kishte pasur shtëpinë në token ku e blejnë Beselicët. Thuhet se e kishte vetëm një djalë dhe donte të largohej nga Mavriqi, gjegjësisht nga Pollata.

[38]  Dr. Sabit Uka, vepra e cituar I, faqe 169.

 

 

[39]  Marrë gojarisht nga Hazir Thaçi  i Carallukës së Malishevës më 26. VII. 2006 në Prishtinë.

[40] Marrë nga  Jahir Islami – Potoku, Podujevë, më 15. I. 007

[41]  Isuf Beselica,      Podujevë, marrë gojarisht, më 20. XI. 2005

[42] Në këtë pikëorientim janë përfshirë emrat e lagjeve të Pollatës: Demajve e Latifajve, ngase janë të përzierë.

[43] Meha – është demunitiv i emrit Mehmet.