Në situatën e rritjes së çmimeve, dikush ka zgjedhur të mendojë për personat të cilët nuk kanë mundësi ekonomike ta sigurojnë miellin. Një akt i tillë humanitar vjen nga një fermer nga Gjakova i cili tash e 32 vjet jeton në SHBA dhe arën të cilën e ka mbjellë me grurë, ka vendosur ta japë për personat në nevojë.

Kolë Syla nga Vogova e Gjakovës i cili tash e 32 vjet jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka mbjellur sipërfaqe me grurë në vendlindjen e tij.

Por miellin e dy hektarëve të cilin do ta nxjerrë nga të korrat e sivjetme ka vendosur ta dhurojë për njerëzit në nevojë.

“Siç po shihet edhe për këtë vit rendimenti duke e llogaritur edhe plehun e bagëtive dhe atë artificial e ka pas efektin e vet. Kam marr fryt prej kësaj toke gjashtë mijë kilogramë grurë. Prej këtij fryti unë nuk e kam marr asnjë kilogram .Ju kam dhurua njerëzve që kanë pas nevojë”, tha Kolë Syla për RTK.

Kjo nuk është hera e parë që ai e bën një gjë të tillë. Një akt të tillë por edhe ndërtimin e urës së re, hapjen dhe pastrimin e rrugës kryesore që lidhë Vogovën me fshatrat tjera, hapja e rrugëve fushore, rregullimi i rrjetit elektrik, janë disa nga kontributet që I ka financuar për bashkëfshatarët e tij. E kjo gjë po vlerësohet nga banorët e kësaj ane.

“Kolë Syla ka bërë për këtë vend shumë. Sa herë ka ardhur prej Amerike na ka ndihmua diçka. Ka rregullua rrugën, na ka pru asfaltin, ka ndërtua urën, ka ba gjithçka për Vogoven”, tha bashkëfshatari Gjon Syla.

“Ky edhe pse punon në Amerikë vjen edhe këtu punon edhe pse nuk ka nevojë. Ky e ka qitë në dritë këtë vend “, tha bashkëfshatari tjetër Pren Komani.

Kola thotë se ky angazhim për bashkëvendësit e tij është vetëm një borxh ndaj vendlindjes, përderisa ka një lutje për institucionet vendore që t’i ndihmojnë e përkrahin bujqit e kësaj ane të cilët vërtetë kanë vullnet për punë por që iu mungon makineria bujqësore.