Përbërja e legjislaturës së fundit duhet që të mos përsëritet kurrë më, thotë Melihate Tërmkolli, kandidate për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).
Sipas saj, ky mandat ka treguar nivelin më të ulët të prezantimit të qytetarëve dhe shtetit, raporton Ekonomia Online.
Tërmkolli shpreson që qytetarët të bëjnë zgjedhjet e duhur për të ngritë siç thotë ajo dinjitetin individual dhe institucional.
“Përvoja e deri tanishme herë pas here, ka shkuar valë-valë. Nganjëherë të mirë dhe jo të mira. Në mandatet e pasluftës e sidomos 3 mandatet e para kanë qenë një nivel reprezentativ të deputetëve pavarësisht partive politike. Pavarësisht kundërshtimeve të mëdha që kemi pasur, sidomos PDK me LDK”.
“Por këto mandatat e fundit do të doja që kurrë të mos përsëritën më. Sidomos mandati i fundit, legjislatura e deputetëve të mos përsëritet kurrë më në këtë vend, sepse ka treguar nivelin më të ultë të shfaqjes dhe prezantimit të qytetarëve dhe shtetit të Kosovës. Fillimi dhe përfundimi i një mandatit më fyerje dhe sharje është një nivel tepër i ultë. Shpresoj që në këto zgjedhje, qytetarët të dinë të votojnë vërtet për kandidat të dëshmuar dhe të cilët ngritë nivelin e dinjitetit individual dhe institucional”, tha Tërmkolli.
Tërmkoll tha se përmes fitores së LDK-së do t’i japim fund shkatërrimit material e shpirtëror të qytetarëve.
Sipas saj, me LDK-në do të fillojë një periudhë e re e cila ka synim ndalimin e zmbrapsjen së qytetarëve, e cila siç tha ajo ka ardhur si shkak i një politike të gabuar.
“Jam me besim të plotë të qytetarët e Kosovës që nga fillimi i veprimtarisë sime politike. Kjo moto që e kemi nuk është e rastësishme, sepse kemi hyrë me besim dhe qëndrojmë fuqishëm me besim ndaj qytetarëve dhe shtetit. E rëndësishme është që duhet t’i japim fund një periudhe tepër të rëndë, të shkatërrimit edhe material, megjithatë shpirtëror të këtij populli dhe shtetit”.
“Të fillojmë një periudhë të re, të ringjalljes dhe të zhvillimet e mëtutjeshme ekonomike, politike e shëndetësore si dhe ta ndalim zmbrapsjen e qytetarëve, e cila është synimi kryesor. Është dhimbja më e madhe, kulmi i krejt një politike të mbrapsht dhe të gabuar që është zhvilluar deri tani”, ka thënë ajo.
Tërmkolli theksoi se në krye me Vjosa Osmanin në qeverisje, ndryshimi do të jetë i pakrahasueshëm.
“Përkrahja është absolute. Të gjithë LDK-ja dhe gjithë strukturat si dhe aktivistet jashtë strukturave e anëtarësia jemi të përqendruar në mobilizimin e plotë të fitores së madhe të LDK-së me kryeministre Vjosa Osmani. Ndryshimi do të jetë i pakrahasueshme. LDK-ja do të ketë një model dhe mënyrë krejt tjetër të qeverisjes. Nuk do të ndryshojmë vetëm qeveritë, por mënyrën e qeverisjes”.
“Do të luftohet pa kompromis, korrupsioni e krimi. Do të fokusohemi në zhvillimin e vendit, në punësimin e të rinjve dhe në ndalimin e zmbrapsjes së Kosovës dhe rikthimin e raporteve me miqtë tanë, respektivisht me ShBA-në”, tha ajo.