Të gjithë janë të rinj.
E qëllimi i tyre një ditë është që t’i ndihmojnë qytetit të Podujevës që me anë të aftësimit profesional të rregullojnë qarkullimin në komunikacion, shkruan Llapi.info.
Nxënësit e shkollës së mesme teknike në Podujevë Fan S. Noli, sot kanë filluar të mbajnë praktikë 5 ditore në qendër të qytetit në bashkëpunim me profesorë dhe me stacionin policor të Podujevës.
Profesori i lëndës “Praktika profesionale” dhe “Rregullimi i qarkullimit në komunikacion” në SHME Teknike, Bujar Blaku i cili u ka mësuar teorinë nxënësve të tyre, thotë se nga kjo praktikë nxënësit po mësojnë më shume pasi që i shohin me sy ato të cilat i mësojnë në teori.
“Aktiviteti i sotëm ka të bëjë pikërisht në lidhje me praktikën profesionale dhe është në planëprogram të cilin e kemi për ta zbatuar kështu që jemi në bashkëpunim me stacionin policor në Podujevë. Çdo vit bëjmë një praktikë të tillë. Kjo ndodh për shkak se mësojnë nxënësit shumë nga kjo meqenëse është edhe në plan nga MASHT, mirëpo për nxënësit çdo herë është më e mira praktika sesa teoria sepse po mësojnë shumë gjëra të cilat janë në teren dhe i shohin me sy dhe njëkohësisht munden të bashkëbisedojnë me qytetarët dhe lidhur me automjetet të cilat i mësojnë në mënyrë teorike në shkollën Fan Noli.”, tha ai.
Që ky aktivitet është shumë i rëndësishëm e pranoi edhe Altin Agushi, nxënës në klasës së Xl nga kjo shkollë i cili tregoi se bashkëpunimi me qytetarë dhe policinë ishte tejet i madh
“Ky aktivitet ishte shumë i rëndësishëm për mua por edhe për shkollën tonë e cila na ka mundësuar këtë aktivitet. Kemi kaluar mirë dhe nuk kemi pasur asnjë problem. Gjithçka ka vazhduar në rregull deri tani dhe bashkëpunimi ka qenë tepër i mirë me qytetarët.” tha ai.
Komandanti i stacionit policor në Podujevë, Bekim Bislimi tha se si çdo vit, edhe këtë vit policia me kërkesë të nxënësve të SHME Teknike ua ka mundësuar këtë praktikë në qendër të qytetit për një periudhë të caktuar
“Kemi pasur kërkesë prej shkollës së mesme Fan S. Noli nga nxënësit e shkollës së mesme për mbajtjen e praktikës profesionale ka qenë drejtimi i komunikacionit rrugor që pjesën praktike ta zhvillojnë me ndihmën e stacionit policor në Podujevë. Këtë ua kemi mundësuar si herëve të kaluara dhe kemi qenë konkret të angazhuar në qytet të Podujevës për një periudhë të caktuar kohore. Kjo do të jetë edhe në ditët e ardhshme, gjithsej do të vazhdoi për 5 ditë ose një javë ditë pune.”, tha Bislimi.
Ky aktivitet me ndihmën e policisë së Kosovës, po mbahet çdo vit në Podujevë me ç’rast nxënësit po kanë mundësi të bëjnë praktikën e tyre në qendër të qytetit./Llapi.info/