Shkolla fillore dhe e mesme e ulët “Xhemail Mustafa” në Prishtinë është institucioni shkollor i radhës që është mbyllur për shkak të numrit të madh të rasteve me COVID-19.

Në këtë shkollë, që ka rreth 1.200 nxënës, janë regjistruar 20 raste, prej tyre 16 nxënës dhe 4 mësimdhënës. Për këtë arsye, nga e hëna, për dy javë, mësimin do ta vazhdojnë online.

Sekretarja e shkollës, Antigona Jetullahu, ka bërë të ditur se vetëm në një klasë kanë dalë pozitivë 9 nxënës, raporton KOHA.

“Testimi i të gjithë nxënësve dhe mësimdhënësve është bërë por tash rezultatet nuk i kemi marrë për të gjithë, po vetëm për disa. Sot ka filluar pastrimi i gjeneral i shkollës nga punëtorët teknikë dhe ditët në vijim pritet që të bëhet dezinfektimi i të gjithë objektit”, ka thënë ajo.

Aktualisht në Prishtinë janë të mbyllura edhe shkollat “Dëshmorët 1921”, “Anton Zako Çajupi” dhe “Prenk Jakova”. Në këtë komunë janë të infektuar 40 mësimdhënës e 85 nxënës.

Sipas drejtoreshës së Arsimit, Shpresa Shala, pothuajse në të gjitha shkollat e Prishtinës ka raste pozitive, ndërsa për mënyrën se si do të zhvillohet mësimi ka thënë se nuk vendosë Komuna.

“Kjo i takon ministrit të Shëndetësisë dhe bazohet në vendimet e IKSHPK-së dhe ne jemi për t’i respektuar ato vendime dhe duke i respektuar në përpikëri edhe rekomandimet që na jepen pas çdo testimi në secilën klasë apo shkollë, kështu që vendimin e merr niveli qendror”, ka deklaruar ajo.

Ministria e Arsimit nuk është përgjigjur për numrin e rasteve në shkollat e Kosovës dhe nëse po planifikohet të kalohet vetëm në mësim online.