Nga mëngjesi i djeshëm, të gjithë vëmendjen e opinionit kosovar e ka marrë Specialja.

Kjo e fundit, ka konfirmuar aktakuzat kundër katër pjesëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, shkruan lajmi.net.

Konfirmimi i aktakuzave ka kulmuar me dorëheqjen e Thaçit nga pozita e presidentit dhe me largimin e Kadri Veselit nga të gjitha aktivitetet politike. Këto zhvillime që ndodhën brenda 48 orësh, kanë shkaktuar një furtunë në skenën politike në Kosovë.

Por pavarësisht kësaj, ai që më së paku po afektohet nga këto zhvillime siç duket është kryeministri Hoti.

Ky i fundit nuk e ka anuluar vizitën e tij në Itali. Madje zyra e tij ka njoftuar për disa takime zyrtare që ai sot ka pasur. Me anë të një njoftimi për media, ZKM ka thënë se Hoti është pritur në takim nga sekretari i Shtetit të Vatikanit.

Ende nuk dihet se përse Hoti nuk e ka anuluar vizitën e tij në Itali, duke pasë parasysh zhvillimet dramatike në Kosovë, të cilat pritet të kenë ndikim të madh në vazhdimësinë e proceseve politike.

Vendin e Thaçit në presidencë e ka marrë Vjosa Osmani si ushtruese e detyrës, ashtu siç e parasheh Kushtetuta e Kosovës.

Ndërkaq, nga momenti në moment pritet edhe nisja e Thaçit, Selimit dhe Veselit për në Hagë.