Pak më herët ka filluar samiti i liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, derisa Kosova po përfaqësohet nga presidentja Vjosa Osmani.

Faqja zyrtare e Këshillit Evropian ka publikuar pamje të tryezës së rrumbullakët dhe vendeve ku janë ulur liderët, e ku do të diskutojnë për shumë çështje të rëndësishme për rajonin, raporton Demokracia.com.

Qytetarët e Kosovës i kanë kthyer sytë nga ky samit dhe mbledhja e Këshillit Evropian, pasi që në këto dy evente mund të diskutohet edhe heqja e vizave.

Një agjendë e asaj se çfarë mund të diskutohet është publikuar më herët në faqen e KE-së, ndërsa në orën 11:30 do të mbahet një konferencë për media, ku do të jepen më shumë detaje, raporton Demorkacia.com.

Çfarë po diskutohet në samitin BE-Ballkani Perëndimor?

Këshilli i Evropës në faqen zyrtare ka thënë se samiti do të bazohet në lidhjet ekzistuese të ngushta mes BE-së dhe këtij rajoni.

Temë kryesore që do të diskutohet është përparimi në integrimin në BE dhe sfidat që rrjedhin nga agresioni rus kundër Ukrainës, raporton Demokracia.com.

Takimi do të jetë gjithashtu një mundësi për të vlerësuar progresin në investimet kryesore në kuadër të Planit Ekonomik dhe të Investimeve për Ballkanin Perëndimor, për të diskutuar çështjet gjeostrategjike, për të eksploruar mënyra që nxisin kontaktet mes njerëzve dhe për të promovuar përafrimin me vlerat e BE-së.

Integrimi në BE

Liderët e BE-së do të rikonfirmojnë mbështetjen për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe do ta shfrytëzojnë momentumin që është krijuar nga zhvillimet e fundit, që të bëhen hapa të rinj në kontinentin evropian.

Ndër objektivat e takimit është eksplorimi i mënyrave të reja për të çuar përpara bisedimet e pranimit, nxitjen e reformave dhe përparimin në integrimin gradual midis BE-së dhe rajonit, duke u mbështetur në metodologjinë e rishikuar të zgjerimit të BE-së.

Agresioni rus në Ukrainë

Këshilli i Evropës ka bërë të ditur se ky takim do të jetë një mundësi tjetër që liderët të shprehin bashkëpunimin e mëtutjeshëm në këtë kohë kur bota i ka kthyer sytë kah agresioni i Rusisë në Ukrainë, raporton Demokracia.com.

Më specifikisht, liderët do të identifikojnë veprimet kryesore për të përmirësuar qëndrueshmërinë e partnerëve të Ballkanit Perëndimor ndaj kërcënimeve hibride, si dhe përballimin e situatës në krizën me energjinë dhe atë ushqimore.

Sfidat gjeostrategjike

BE-ja dhe Bashkimi Evropian do të vlerësojnë progresin në investimet kryesore në kuadër të Partneritetit Evropian të Inovacionit (EIP). EIP ofron fonde për rajonin për të përmbushur sfidat gjeostrategjike, veçanërisht me synimin për të rritur lidhjen dhe sigurinë energjetike, por gjithashtu duke nxitur investimet e sektorit privat për të mbështetur transformimin e gjelbër dhe digjital të kontinentit.

Kontaktet me njerëz

Liderët në këtë takim do të kenë mundësinë që të promovojnë mundësi të tjera për të rinjtë, çështjet e pajtueshmërisë dhe marrëdhëniet me vendet fqinje.

Politika e Jashtme

Liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të shkëmbejnë pikëpamjet e tyre në politikën e jashtme dhe do të diskutojnë mënyrën sesi të limitohet ndikimi i Rusisë në rajon.

Në njoftimin e Këshillit Evropian nuk jepen detaje për çështjet kyçe që këto vende presin që të diskutohen, por tashmë dihet publikisht se hapja e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, si dhe heqja e vizave për qytetarët e Kosovës do të diskutohen në këtë samit, raporton Demokracia.com.

Sidoqoftë, në këtë samit nuk mund të merret asnjë vendim lidhur me këto çështje, por ajo që vlen të theksohet është se po në të njëjtën ditë do të mblidhet edhe Këshilli i BE-së, i cili do të vendosë për Kosovën, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Deri më tani, nuk është publikuar një agjendë e plotë rreth asaj se çfarë do të diskutojnë ministrat evropianë më 23 qershor.

Ndryshe, Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk gëzon liberalizim vizash me BE-në.

Pavarësisht plotësimit të të gjitha kritereve, tash e katër vite, procesi është penguar vazhdimisht nga disa shtete anëtare të BE-së, sidomos Franca, e cila ka shprehur rezerva për lëvizjen e lirë të kosovarëve.

Franca ende nuk e ka treguar qëndrimin e saj lidhur me heqjen e vizave për Kosovën, por dje nga MPJ-ja e këtij shteti kanë deklaruar se çështja e liberalizimit të vizave për kosovarët do të diskutohet në samit.