Krahu i djathtë i Fatmir Limajt, Endrit Shala ishte shprehur shumë i bindur se koalicioni me të cilin ia mësynë zgjedhjeve të gjashtë tetorit, NISMA-AKR dhe PD-ja do t’i nxirrte triumfues. Shala kishte deklaruar në Emisionin Pressing në T7, se veç ai do t’i mposhte të gjitha partitë, madje duke pirë çaj, raporton Gazeta Express.
Shala thoshte në T7 se ish-partnerët e koalicionit PAN, po bënin çmos që të dëmtonin partinë e udhëhequr nga Fatmir Limaj nga frika që kishin nga ajo në zgjedhjet e gjashtë tetorit.
“Bashkë me do partner të cilët Nisma i ka ba kryeministra, të cilët çdo ditë të lume duke tentuar bashkë me partnerët duke tentuar ta dëmtojnë Nismën atyre unë ja jap sot një përgjigje”, kishte thënë Shala.
I njëjti, ishte zotuar se në zgjedhje të jashtëzakonshme, pa pasur mbështetjen e udhëheqësve të partisë, do të mund t’i mposhte kundërshtarët.
Shala kishte thënë se ish-partnerët e koalicionit do t’i mposhte vetë, madje, duke pirë qaj.
“Pa udhëheqjen e partisë, pa Fatmir Limaj pa Bilall Sherifi, pa Haxhi Shalën, pa Zafir Berishën, pa Jakup Krasniqin, veç unë si Endrit me strukturat e rinisë së Nismës në bastionet e Nismës i muj vetë, edhe ata t’u pi çaj, krejt qata”, kishte thënë Shala.
Tash pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme, situata me partinë NISMA nuk ka dalë siç e kishte parashikuar Shala.
Të njëjtit kanë marrë vetëm 4.94% të votave deri më tani, gjë që i le jashtë kalimit të pragut zgjedhorë.