Lokale - eSIMy

Një mosmarrëveshje e nisur për një çështje mes fëmijëve të vegjël ka përfunduar me dhunë fizike mes dy grave të reja në Gjakovë.

Ngjarja ka ndodhur më 19 korrik në rrugën “Ali Ibra”, ku sipas burimeve të Sinjalit, e dyshuara Q.T. rreth 19-vjeçare dhe viktima F.R. rreth 21-vjeçare, që dyshohet të jenë të afërta familjarisht, kanë pasur një përplasje pas një konflikti të lindur mes fëmijëve të tyre të moshës 1 dhe 2 vjeç.

Debati verbal ka degjeneruar në ofendime dhe sharje, ku më pas e dyshuara ka ushtruar dhunë fizike ndaj viktimës, duke e goditur në ballë dhe duke i shkaktuar lëndim trupor.

Viktima është trajtuar në spital dhe më pas është intervistuar nga Policia, ku ka deklaruar se ndihet e sigurt dhe ka vendosur të kthehet në shtëpinë e saj.

E dyshuara është arrestuar dhe intervistuar në prani të avokatit. Ajo ka pranuar se ka kryer veprën për të cilën ngarkohet, por ka deklaruar se është nxitur nga viktima.

Prokurori kujdestar ka urdhëruar që rasti të trajtohet si “Dhunë në familje”, ndërsa e dyshuara është liruar në procedurë të rregullt. Rasti është në hetim.