Foto: Llapi.info

KQZ do të presë rekomandimet e IKShPK-së se si do të organizohet votimi për personat që janë me COVID-19, në zgjedhjet për kryetar të Podujevës dhe të Mitrovicës së Veriut.

Në mbledhjen e sotme të KQZ-së Valdete Daka, tha se do të kenë rekomandime nga IKSHPK se si do të veprohet me personat që janë të infektuar me COVID-19.

“Sekretariati do të kontaktojë me IKSHPK që të kemi edhe nga ata ndonjë rekomandim se si të veprohet”, tha ajo.

Anëtari i KQZ-së Sami Kurteshi, tha se duhet t’i mundësohet çdo person që të ketë mundësi për të votuar.

“Për personat që sipas të gjitha pritshmërive dhe numri i rasteve është në shtim. Në komunat ku do të ketë zgjedhje nuk është i madh, KQZ e ka mundësinë që t’i identifikojë. Atyre duhet t’iu mundësohet shprehja e vullnetit përmes votës. Të identifikohen njerëzit që izolohen dhe t’iu mundësohet votimi”, tha ai

Në mbledhjen e sotme me 9 vota për dhe 1 kundër, KQZ ka regjistruar si parti politike “Yenilikçi Türk Hareket Partisi”. Kjo ndodhi pas vendimit të PZAP që kishte anuluar vendimin e KQZ-së që kishte refuzuar ta regjistronte këtë parti.

Kundër ka votuar anëtari i KQZ-së Rifat Krasnic nga partia KDTP, i cili ka kërkuar që kjo parti të mos regjistrohet.

“Ato nënshkrime 99 për qind asnjë nuk përfaqëson komunitetin turk. Donë komuniteti turk që jeton në Kosovë me e bë copa-copa”, tha ai.

Por, që kjo parti të regjistrohet ka kërkuar anëtari i KQZ-së nga LVV Sami Kurteshi.

“PZAP me vendimin e vet e ka vërtetuar një absurd të KQZ-së. Vendimi i PZAP një shuplakë shumë e madhe për KQZ, shumë e drejtë”, tha ai.