Në takimin e sotëm të jashtëzakonshëm të kryetarëve të komunave të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut e Zveçanit, është bërë publike dorëheqja e katër kryetarëve të këtyre komunave.
Kryetarët e dorëhequr kanë nënshkruar një deklaratë përmes së cilës thonë se tërhiqen nga postet e tyre dhe ndërpresin të gjitha komunikimet me Prishtinën zyrtare.
Siç u tha në konferencën për gazetarë, pas përfundimit të seancës së jashtëzakonshme, kryetarët tashmë të dorëhequr të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, kanë nënshkruar deklaratën përbashkët me katër pika, në të cilën kanë paraqitur arsyet për vendimet e tyre, transmeton Koha.net.
Pika e parë thotë se “vendimi është marrë për shkak të ngritjes së takës në 100 për qind për mallrat serbe, përmes së cilës serbëve të Kosovës u është kërcënuar e drejta për jetesë, për shërim dhe mbijetesë gjë që çon në krizë edhe më të thellë”.
Në pikën e dytë thuhet se “deklarata nënshkruhet për shkak të dhunës së vazhdueshme, rrahjes së serbëve, arrestimeve të paligjshme dhe tentimit për të vrarë Millan Radojiçiqin, gjë që po ashtu rrezikon të drejtën për jetesë të serbëve në Kosovë”.
Pika tre flet për “shkeljet e të gjitha marrëveshjeve ndërkombëtare, nga Rezoluta 1244, marrëveshjet e Brukselit, të CEFTA-s”, ndërsa pika e katërt potencon se vendimi është marrë “për shkak të shkeljes së akteve të veta nga ana e Prishtinës me të cilat duhet të respektohen të drejtat e serbëve”.