Komuna e Podujevës po u ik takimeve me media duke mos i  paralajmëruar asnjëherë takimet zyrtare brenda komunës, kështu duke u ikur pyetjeve të gazetarëve, shkruan Llapi.info.

Ani pse ligji për transparencë i detyron zyrtarët për informim të njoftojnë për takimet, ata nuk  po e bëjnë një të tillë.

Kjo praktikë është bërë rutinë e zyrtarëve për informim brenda komunës, Nazmi Elezi dhe Bujar Gimolli, të cilët nuk lajmërojnë asnjëherë për takimet zyrtare por i dërgojnë komunikatat vetëm për atë që ata vet duan ta thonë dhe duke fshehur informacione shpesh herë të rëndësishme.

Sipas zyrtarit për informim në komunën e Podujevës Nazmi Elezi, njoftimet bëhen vetëm atëherë kur vet ata i konsiderojnë të rëndësishme ato takime pavarësisht se çdo takim zyrtar për qytetarët është i rëndësishëm.

“Për të gjitha aktivitetet në komunë, seancat e kuvendit dhe takimet që jemi të detyruar sipas ligjit për transparencë t’i njoftojmë mediat dhe të jenë pjesë e atyre takimeve ne i njoftojmë me kohë dhe janë prezente mediat, ndërsa për takime të ndryshme shembull të kryetarit ne i ftojmë mediat atëherë kur ne e konsiderojmë të jenë të pranishme përndryshme nga ato takime ne lëshojmë kumtesa. Asnjëherë ne takimeve të rëndësishme nuk i anashkalojëm mediat, por disa takime që ne i konsiderojmë që nuk janë të ndonjë rëndësie shumë të madhe ne lëshojmë komunikatë nga takimi.” tha Elezi

Njohës të fushës së medieve këtë praktikë të komunave po e shohin si të dëmshme për qytetarët pasi që kjo nuk i kontribuon transparencës duke porositur zyrtarët për informim që të mos bëhen propagandues por të jenë informues.

Sipas Albinot Malokut kryeredaktor në “Gazetaere.com” kjo ndodh për shkak se kryetarit të Podujevës Agim Veliu i mungon kultura e komunikimit duke thënë se nga zyrtarët e komunës, gazetarët cilësohen si armiq përderisa duhet të shihen si urëlidhëse mes tyre dhe qytetarëve.

“Përgjithësisht të parët e institucioneve tona sillen si të ishin pronarë të institucioneve. Ata nuk e kuptojnë që s’janë veçse shërbëtorë të shoqërisë. Në rastin konkret, problemi është kultura e të parit të komunës, kultura e komunikimit me publikun, me gazetarët, pra me qytetarët. Kjo dëshmon që ai ka mungesë kulture. Gazetarët vërtetë cilësohen si “armiq” të pushteteve, por njëkohësisht shihen si ura lidhëse me qytetarët dhe pushtetarët. Një kryetar i mirë e funksionalë nuk ka pse t’u frikohet gazetarëve, ai duhet të ballafaqohet me ta, me mjete demokratike, natyrisht.” tha Maloku.

Më tej për Llapi.info ai tha se zyrtarët për informim duhet ta kuptojnë që ftesat për media duhet të bëhen me kohë dhe të mos e luajnë rolin e propaganduesve.

“Me fjalë të tjera zyrtarët për informim duhet ta kuptojnë që ftesat për media, për takimet zyrtare brenda komunës, duhet të bëhen me kohë. Mos ta luajnë rolin e propaganduesve. Sa më transparente të jetë komuna, respektivisht sa më shumë të komunikojë me publikun nëpërmjet zërit të gazetarëve, aq më  shumë do të reflektojë korrektësi, përgjegjësi dhe profesionalizëm.” tha ai.

Për ikje nga pyetjeve “të sikletshme” nga ana e gazetarëve foli edhe Nexhat Tovërlani gazetari në “Koha Ditore” i cili tha se me këtë praktikë, takimet zyrtare po mundohen që të mbahen larg syve të publikut.

“Kjo mund të shpjegohet në dy aspekte: ose takimet nuk janë protokollare, por ndodhin spontanisht, në mënyrë më shumë shoqërore, por që më vonë zyrtarët komunalë vendosin që këto takime t’i publikojnë. Dhe e dyta, zyrtarët institucionalë, nikoqirë të takimit dhe mysafirët, për t’iu ikur ndonjë pyetje nga gazetarët që mund të jetë e “sikletshme” për ta, vendosin që takimet t’i mbajnë larg syrit të mediave, por që nuk duan t’iu ikë si moment për ta publikuar (njoftimin-komunikatën) si një “takim të suksesshëm” dhe për të “treguar” se po punojnë diçka. “ tha ai.

Sipas Tovërlanit, mos ftimi i medieve për përcjelljen e takimeve zyrtare nuk është veprim i mirë dhe nuk i kontribuon transparencës për të cilën zyrtarët komunal e kanë gojën plot por në praktikë është krejtësisht e kundërta.

“Si në rastin e parë, si në të dytin, mendoj që nuk është veprim i mirë, pasi që në rast se takimet janë jozyrtare, duhet të mbesin të tilla dhe nuk ka nevojë të tregojnë se janë takuar. Në rastin e kundërt, do të duhej të njoftoheshin edhe mediat që të jenë pjesëmarrës, qoftë vetëm për një prononcim pas atyre takimeve. Sepse kjo nuk i kontribuon transparencës për të cilën zyrtarët institucionalë, qoftë të nivelit lokal qoftë ata qendror e kanë gojën plot, por që në fakt e vërteta është ndryshe, fatkeqësisht! Kjo praktikë e keqe nuk është e shfaqur vetëm në Komunën e Podujevës, por përafërsisht njësoj veprojnë edhe zyrtarët e komunave tjera të Kosovës.”, tha Tovërlani për Llapi.info.

Javën e kaluar, Veliu pati në takim dy fermer llapjan Lum Hoxha dhe Butrint Baholli, kultivues të aronisë dhe boronicës, takim për të cilin zyrtarët për informim nuk njoftuan por vetëm dërguan komunikatë për media.

Edhe nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari para pak ditësh pati marrë pjesë në një promovim për të cilin mediat nuk u njoftuan.

Gjithashtu kur kompanisë “Albini” iu dha për shfrytëzim Qendra për grumbullimin, ruajtën dhe përpunimin e pemëve dhe perimeve komuna nuk njoftoi dhe gazetarët nuk patën mundësi të bëjnë pyetje për proceduat e dhënies për shfrytëzim.

Kështu duke pasur edhe me vizitat e kryetarit të Podujevës në tregun e gjelbër të Podujevës ku as këtu mediat nuk u njoftuan për këtë vizitë./Llapi.info