Foto: Ilustrim

Rreth 100 mijë euro është vlera e shpenzuar për blerjen e 35 krerëve të lopëve nga Komuna e Gjilanit, për fermerët e kësaj ane.

Kjo shumë e shpenzuar ka aktivizuar organet e drejtësisë, derisa Prokuroria ka konfirmuar për KTV-në se ka nisur hetime për rastin.

Në përgjigjen e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, thuhet se pas dyshimeve të ngritura, është autorizuar Policia që ta fillojë grumbullimin e provave për rastin, nën dyshimin se mund të jetë kryer vepra penale ‘Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar’.

“Ju njoftojmë se, për këtë rast, Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka autorizuar Policinë, Sektorin për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, që të grumbullojnë prova, me qëllim të ndriçimit të kësaj çështjeje penale, me dyshimin për veprën penale ‘Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, në sektorin e bujqësisë, në Komunën e Gjilanit”, ka thënë Liridona Xheladini nga Prokuroria Themelore në Gjilan, raporton KTV.

E opozita në këtë komunë e ka quajtur skandaloze shumën e shpenzuar për blerjen e lopëve, derisa thotë se ka kërkuar raport të detajuar lidhur me këtë.

Por, të kënaqur janë shprehur përfituesit e këtij donacioni, të cilët thonë se me anë të kësaj edhe mbajnë familjen.

Sipas drejtorit të Bujqësisë në Gjilan, Ramiz Ramadani, komuna ka paguar 28 mijë euro, donatori 59 mijë euro dhe fermerët 14 mijë euro.

Ndonëse Ramadani thotë se të gjithë emrat e përfituesve të tyre janë në faqen zyrtare të komunës, ata nuk janë parë aty.

Komuna e Gjilanit, javë më parë, ka financuar këto kafshë për fermat e familjeve të Komunës së Gjilanit, të cilat nuk kanë kushte financiare të mira.