Fehmi Hyseni, kryetar i Komisionit Shtetëror të Maturës, ka ftuar Prokurorinë që të hetojë të gjithë shkelësit në Testin e Maturës.
Në Express Intervistën në KTV, Hyseni ka treguar se në ditën e parë të këtij testi 54 nxënësve u është ndaluar testi për shkak të shkeljeve. Ai ka thënë se asnjë nga shkelësit nuk do të falet, teksa ka shtuar se konsideron se organizimi i sivjetmë është më i miri ndonjëherë.
Duke folur për grupet e mëdha në Viber e Facebook ku po qarkullojnë testet, Hyseni ka thënë se janë duke i monitoruar të gjithë, teksa ka ftuar Prokurorinë dhe organet tjera të marrin masa të menjëhershme ndaj keqpërdoruesve.
“Është për të ardhur keq që janë hapur grupet në Viber e Facebook. Edhe ne jemi aty duke i monitoruar për të parë gjithçka. Ka më pak tash, por ftojmë organet të marrin masa ndaj keqpërdoruesve. Shteti duhet të ketë dhe ka njësitin për krime kibernetike. Duhet që policia t’i lehtësojë punët. Jo që ne të lajmërojmë një rast e të humben dy-tre orë me deklaratë. Kur të lajmërohet policia duhet menjëherë të nisë hapat. Dihen fytyrat e administruesve të grupeve, ka pas me emra e mbiemra, por tash kanë bërë me shenja. Grupi në Viber është krijuar në mënyrën më të sofistikuar sepse numrat nuk vërehen. Janë dy grupe, një 3700 e një 1500, jam anëtar e i shoh të gjithë. Nëse vërehet se dikush ka lëshuar fletën me përgjigje ne do të jemi aktivë”, ka thënë ai.
Sipas tij, prokuroria duhet ta marrë me prioritet Testin e Maturës sepse është në interes të shtetit.
“Krejt përgatitjet i bëjmë që t’i kemi nxënësit në pozitë të barabartë e të ndahet e mira nga e keqka. Një prej objektivave të kurrikulës është që të kemi nxënës të përgjegjshëm e po del që kemi shumë të pandërgjegjshëm. Shumica prej anëtarëve në grupe janë ata që provojnë të ndihmojnë. S’duhet t’i lejojë këto shteti i organizuar. 54 nxënës dje i kemi larguar dhe i kemi identifikuar në rrjete sociale. Prindërit e tyre kanë ardhur sot, me mirësjellje, por në këto raste s’do të lëshojmë pe, edhe pse do të shqyrtojmë të gjitha ankesat. Edhe prindërve u themi të mos ua lejojnë telefonat fëmijëve”, ka thënë ai duke shtuar se në çfarëdo mënyre që i zihet një telefon një nxënësi, ai duhet të ndëshkohet.
Hyseni ka thënë se të gjithë administruesit duhet të rrisin nivelin e përgjegjësisë. Sipas tij, një mësimdhënës mund të thotë se s’ka parë, por kjo s’duhet të lejohet.
Duke folur për qendrën ku shtypet testi, Hyseni ka thënë se është edhe më shumë e monitoruar se në qendrat e numërimit të votave.
Zhurmuesit për të penguar valët e internetit, sipas Hysenit, nuk janë vendosur në testin e parë për shkak të disa procedurave, por ka shtuar se në pjesën e dytë do të jenë të vendosura.
Për shkelësit, sipas Hysenit, duhet të hapen raste për shkelje penale e të hiqet edhe licenca për administruesit.
“Sot do të mblidhen të gjitha dokumentacionet për shkelësit për dy ditë dhe sekretari i përgjithshëm duhet të marrë vendime. Ne po përgatisim provat, normalisht edhe inspektorati përfshihet. Siguroj që asnjë njeri s’do të falet duke dëmtuar këtë proces në të cilin ne punojmë gjithë vitin”, ka shtuar ai.
Sipas Hysenit, matura digjitale është pilotuar disa herë dhe në shumicën e komunave ka qenë i frytshëm, por ka shtuar se ekspertët kanë pas vërejtje teknike.