Mosmarrëveshja mes disa personave që dyshohet se nisi për një borxh sot në Balincë të Malishevës, përfundoi me fatalitet, ku për pasojë humbi jetën tragjikisht i riu Shkodran Krasniqi. Për vrasjen e tij, tashmë janë arrestuar katër persona, të cilët dyshohen se janë të përfshirë në këtë rast, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se të dyshuarit që përfunduan në pranga të Policisë janë katër vëllezër të familjes Gashi, të cilët u përfshinë në përleshjen fizike me viktimës, që i parapriu të shtënave me armë.

Rasti i rëndë ka ndodhur në tregun e druve dhe motivi që çoi deri në vrasje dyshohet të ketë qenë një borxh.

Lidhur me rastin, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku po kryejnë bastisje, teksa është sekuestruar një armë zjarri.

Raportimin e Sinjalit e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë Rajonale të Gjakovës, Sheremet Elezaj.

“Sot rreth orës 13:30 kemi pranuar informatë se një person mashkull i moshës madhore është dërguar në QKMF Malishevë, dyshohet të jetë qëlluar me armë zjarri në fshatin Balincë-Malishevë. Personeli mjekësor ka konstatuar vdekja e tij. Njësitet e nevojshme policore ju kanë përgjigjur rastit si dhe është njoftuar prokurori i shtetit i cili ka dalë në vendin e ngjarjes, në konsultim me të cilin janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore. Deri më tani lidhur me rastin janë arrestuar katër persona të cilët dyshohen të jenë të përfshirë në rast, si dhe është konfiskuar një armë”, tha Elezaj.