Jacques Hogard ish-kolonel i KFOR-it francez në Kosovë, ka thënë se autoritetet e Francës duhet të tërheqin njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Ish-koloneli francez i KFOR-it, Jacques Hogard, ka thënë se Franca mund të luaj një rol aktiv në gjetjen e zgjidhjes për Kosovën, por që sipas tij, së parti duhet të respektohet rezoluta e 1244 e Kombeve të Bashkuara, pra që të respektoj sovranitetin e Serbisë dhe të tërheq pavarësinë e Kosovës.

Ish-koloneli Jacques Hogard, ka bërë të ditur se tërheqja e njohjes së pavarësisë së Kosovës, nuk është në agjendën e politikës aktuale franceze, përkatësisht të presidentit Emannuel Macron, transmeton lajmi.net.

Siç shkruan “Kosovo Online”, Hogard, ka thënë se Macron ka bërë gabim edhe në përvjetorin e përfundimit të Luftës së Parë Botërore, ku Thaçi ishte ulur afër udhëheqësve më të mëdhenj botëror.

“Unë mendoj se Macron e kuptoi që ai bëri një gabim shumë serioz në vitin 2018 gjatë 100 vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore, dhe për këtë arsye përdori tërë hijeshinë e tij kur vizitoi Beogradin”, tha Hogard.

Duke folur për rolin e BE-së në Ballkan, Hogard theksoi se Bashkimi Evropian nuk ka unitet në politikën e jashtme.

“Ju mund ta shihni këtë çdo ditë. Sipas mendimit tim, është iluzore të presësh që Serbia të ndihmohet nga BE. Unë shoh që Rusia është fuqia e vetme kryesore në të cilën mund të mbështetet Serbia. Më vjen keq që nuk është Franca”, theksoi Hogard, transmeton më tutje lajmi.net.

Ish-koloneli Jacques Hogard, po ashtu ka folur edhe për bombardimet e NATO-s.

Ai bombardimet e NATO-s, i quajti agresion duke thënë se këto bombardime kanë shkaktuar dëme të mëdha tek të gjithë në Kosovë.

“Tani, 20 vjet më vonë, mund të pendohem vetëm pse nuk e bëmë më mirë. Agresioni i NATO-s kundër Serbisë ka shkaktuar vetëm padrejtësi, dëme dhe mjerim, rrënoja dhe izolim, jo ​​vetëm për popullin serb, por edhe për romët dhe shqiptarët në Kosovë”, theksoi ai.

Ndryshe, Jacques Hogard, është njëri prej kolonelëve që serbët i janë shumë mirënjohës pasi që siç shkruan ky medium, Hogard ka arritur që ta shpëtojë Manastirin e Deviçit në Llaushë të Skenderajt nga UÇK-ja në vitin 1999.

Po ashtu, Jacques Hogard, sipas këtij mediumi, është njëri ndër personat që nuk lejoi pushtimin e veriut të Mitrovicës.

Theksojmë se në vitin e kaluar, presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, banorët e Llaushës së Skenderajt ia kishin ndaluar hyrjen në këtë fshat dhe ai nuk ka mundur që të shkojë e ta vizitojë këtë manastir për shkak të protestave të banorëve.