Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka reaguar pas arrestimit dhe dërgimit në Hagë të ish-zëdhënësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Ai ka thënë se ngritja e aktakuzave dhe arrestimi i njerëzve të UÇK-së nuk duhet të kuptohet si dëshmi për fajësinë e tyre.

“Në Kosovë nuk po i iket ballafaqimit me drejtësinë dhe zbardhjen e së vërtetës për luftën e pastër çlirimtare. Besojmë thellë në pafajësinë e luftëtarëve UÇK-së, sikurse edhe në pafajësinë e z. Krasniqi, ashtu siç vlerësojmë meritat e tyrë për lirinë dhe pavarësinë e vendit dhe të ndërtimin demokratik të Kosovës”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Ai ka thënë se ne duhet të kemi besim në drejtësinë e pavarur por sipas tij presim se do të respektohen procedura të standardeve më të larta përfshirë edhe respektimin dinjitetit të njerëzve ndaj të cilëve ngriten procedurat nga Gjykata Speciale.