Fitim Haziri, kandidat për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë, ka thënë se si pasojë e politikës së deritanishme, Kosova po vazhdon të boshatiset nga të rinjtë.
Haziri, ku edhe ka publikuar fotografi nga tubimi i mbajtur në fshatin Tërnavë dhe Buricë, ka deklaruar ky trend duhet të ndalet menjëherë, duke shtuar se njerëzve këtu duhet t’u kthehet shpresa, përkrahja e dinjiteti.
Krejt në fund të postimit në rrjetin social Facebook, Haziri ka thënë se këtë mund ta bëjë Lëvizja Vetëvendosje.
Haziri, aktualisht është shef i asamblistëve të VV-së në Podujevë dhe në garën e 6 tetorit mban numrin 94 në listë.
Postimi i plotë:
Sot 20 vjet pas, kjo kastë e poshtër politike na ka sjellë buzë katastrofës… Përpos që na i kanë bërë të gjitha të këqijat, pothuajse na e kanë vra edhe shpresën e kur ja vret shpresën dikujt ja vret të gjitha.
Shikoni të rinjtë sot, secili duke menduar të gjejë rrugë për të ikur nga Kosova. Shikoni Podujevën sot, dikur plot njerëz e gjallëruar, sot e zbrazur dhe zbehtë.
Ky trend duhet të ndalet menjëherë. Njerëzve këtu duhet t’u ofrohet përkrahja, duhet të ju kthehet shpresa e dinjiteti. Vetëvendosje ka dije, guxim e potencial njerëzor për ta bërë këtë.