Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë vizitës së tij zyrtare në Austri ka zhvilluar sot një takim me delegacionin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), të kryesuar nga zëvendës presidenti i parë i BERZH-it, Jurgen Rigterink.
Fillimisht, kryeministri Haradinaj e ka njoftuar z.Rigterink për të arriturat e Kosovës dhe përkushtimin e Qeverisë për fuqizimin e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, për stabilitetin makrofiskal dhe për angazhimin e institucioneve të Kosovës në fuqizimin e sundimit të rendit dhe të ligjit.

Kryeministri Haradinaj ka falënderuar z.Rigternik dhe BERZH-in për përkrahjen e projekteve zhvillimore të Kosovës në fushat si zhvillimi i sektorit privat, zhvillimi i sektorit të energjisë dhe zhvillimi i ndërlidhjes infrastrukturore të Kosovës me vendet në regjion.

Më tej, kryeministri Haradinaj ka kërkuar mbështetjen e mëtutjeshme të BERZH-it, në projekte që do të fuqizonin zhvillimin e zonave industriale, për korporatat, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme për të rritur produktivitetin dhe përmirësuar cilësinë, ndërmarrjet eksportuese dhe fusha tjera të cilat do të ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e mirëqenies sociale për qytetarët dhe stabilitetin e bizneseve në Kosovë.

Nga ana e tij, zëvendës presidenti i parë të BERZH-it, Jurgen Rigterink, ka vlerësuar progresin e Kosovës duke thënë se Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, do të vazhdojë mbështetjen për Kosovën në zhvillimin e projekteve dhe investimeve për të ardhmen.

Në këtë takim, të dyja palët u zotuan në implementimin e projekteve infrastrukturore, si rehabilitimi i rrjetit hekurudhor Hani i Elezit – Prishtinë, rruga Kijevë – Zahaq, ndërlidhja e Kosovës me gazsjellësin TAP, implementimi i projekteve për trajtimin e ujërave të zeza derisa në fokus të Qeverisë do të jetë ndërtimi i digave për rritjen e kapacitetit ujor të Kosovës dhe projekti Unaza e jashtme e qytetit të Prishtinës.