Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj në Samitin e Brdo-së që po mbahet në kuadër të SEECP (Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore), theksoi përkushtimin dhe angazhimin e Kosovës në forumet dhe iniciativat e bashkëpunimit rajonal, me qëllim të arritjeve të standardeve të duhura për Kosovën dhe rajonin drejt integrimit të plotë në strukturat evropiane.

Kryeministri Haradinaj falënderoi Slloveninë dhe kryeministrin, Miro Cerar për kryesimin e këtij viti të SEECP dhe për rolin lehtësues në forcimin e bashkëpunimit rajonal.

“Procesi i Bashkëpunimit i Evropës Juglindore i themeluar mbi parimet e vizionit për të ardhmen dhe për barazinë, po jep rezultate konkrete në procesin e përafrimit dhe integrimit të vendeve të Evropës Juglindore, duke ruajtur njëkohësisht vlerat e përbashkëta shoqërore, historike dhe gjeografike. Kosova ka dëshmuar përkushtimin e saj për marrëdhënie të mira me vendet fqinje, Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi dhe po vazhdon përpjekjet për të vendosur raporte të mira fqinjësore edhe me Serbinë. Kosova i përket familjes evropiane, familjes së vlerave perëndimore dhe në këtë rrugëtim nuk ka kthim prapa”, tha Haradinaj.

Ai foli edhe për qëndrimet dhe angazhimet e shtetit të Kosovës për forcimin e bashkëpunimit dhe besimit rajonal, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, stabilitetin dhe sigurinë, marrëdhëniet e zgjeruara ekonomike, luftën kundër krimit të organizuar dhe luftën kundër terrorizmit.

“Kosova po e dëshmon përkushtimin e saj në ndërtimin e raporteve korrekte me fqinjët dhe vendet e Evropës Juglindore, duke qenë pjesë dhe kontribuar në nismat dhe angazhimet e përbashkëta, në të mirë të paqes dhe të ardhmes”, tha Kryeministri Haradinaj.

SEECP është një proces rajonal i institucionalizuar i koordinuar nga shteti që mbanë kryesinë në detyrë. Misioni i tij kryesor është të nxisë perspektivën e BE-së për Evropën Juglindore dhe të punojë drejt lidhjes, sigurisë, stabilitetit dhe përparimit ekonomik të rajonit.

Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) filloi në vitin 1996 në Sofje me synimin për të forcuar bashkëpunimin dhe besimin rajonal. Pjesëmarrës në SEECP janë: Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Greqia, Hungaria, Kosova, Maqedonia, Moldavia, Mali i Zi, Rumania, Serbia, Turqia dhe Sllovenia.

Kosova do të jetë kryesuese e SEECP në vitin 2019 -2020. /Telegrafi/