Bullgaria ka një rol tejet të rëndësishëm në rajonin tonë dhe Kosova është e përkushtuar për marrëdhënie të ngushta dhe bashkëpunim ekonomiko-politik me Kosovën.

Ky ishte qëndrimi i kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në takimin me kryeministrin e Bullgarisë, Boyko Borissov, vendi i të cilit që nga janari i 2018-së kryeson me Presidencën e BE-së.

“Bullgaria e ka një aleat, Kosovën! Jemi të nderuar me prezencën tuaj në vend dhe vendet tona nuk i ndanë asnjë temë”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Ai kërkoi nga kryeministri Boyko Borissov mbështetjen e Bullgarisë për rrugën evropiane të Kosovës, për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare si dhe për procesin e njohjeve.

“Kosova ka nevojë për miqtë e saj në procesin e liberalizimit dhe anëtarësimit në BE. Bullgaria është një vend mik nga i cili presim mbështetjen në këtë proces. Kosova do të jetë gjithmonë e hapur për bashkëpunim ekonomik dhe politik me këtë vend. Ne e kemi dëshmuar edhe në të kaluarën që mund të kemi partneritet të ngushtë”, tha Kryeministri Haradinaj.

Nga ana tjetër, kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borissov, falënderoi kryeministrin Haradinaj për pritjen, duke shprehur përkushtimin e vendit të tij në forcimin e marrëdhënieve bilaterale mes dyja vendeve, partneritetit ekonomik dhe rrugën e përbashkët evropiane.

“Midis shteteve tona nuk ka çështje të hapura. Synimet tona për investimet infrastrukturore dhe në fusha të tjera e kanë në fokus edhe Kosovën”, ka thënë kryeministri bullgar, Boyko Borissov, i cili e ftoi Haradinaj në një vizitë zyrtare në Bullgari.