Rritja e numrit të grabitjeve të armatosura sidomos në kryeqytet, jo vetëm që ka shqetësuar qytetarët për sigurinë e tyre, por ka alarmuar organet e sigurisë publike, të cilat kanë rritur masat për kapjen dhe dënimin e të dyshuarve.

Për dhjetë muaj, vetëm në Prishtinë, kanë ndodhur 59 grabitje të armatosura.

Policia e Kosovës, ndërkaq, ka goditur 13 grupe kriminale që dyshohet të jenë përfshirë në këto raste.

Nga këto grupe kriminale janë arrestuar 32 persona të dyshuar të cilët ndodhen në paraburgim.

Këto të dhëna, të cilat policia e Kosovës i bëri publike për Tv 21, i përcollën me shqetësim njohësit e drejtësisë dhe të sigurisë, të cilët kërkuan që të merren masa të menjëhershme për t’i parandaluar këto raste.