Gjykata Themelore në Gjilan ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh pesë pandehurve V. H., E. N., R. I., A. S. dhe B. K., nën dyshimet për vrasjen e 21-vjeçarit Egzon Rafuna.

Sipas gjykatës, “ekziston dyshimi i bazuar se me datë 08.11.2021, rreth orës 20:40 minuta, në lagjen “Arbëria”, në Gjilan, afër shtëpisë së të ndjerit E. R., pas një mosmarrëveshje rreth një borxhi në të holla në mes të pandehurve, të pandehurit me dashje, me veprim të drejtpërdrejt kanë privuar nga jeta tani të ndjerin E. R”.

“Të pandehurit të pajisur me dy lloje të armëve, të zjarrit të llojit “Zoraki” të kalibrit 9 mm dhe 7.65 mm, kanë shkrepur shtatë fishekë në drejtim të njëri tjetrit, ku nga shkëmbimi me armë ka mbetur i vdekur E. R., dhe plagë të rënda trupore me armë ka pësuar i pandehuri V. H..”, vijon njoftimi i gjykatës.

“Me këto veprime, të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale vrasje e rëndë, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftim.