Mesdita e së premtes i dërgoi sërish zjarrfikësit e Vushtrrisë në fshatin Studime të Ulët.

Këtu u dogj ara e familjes Sfarça, që edhe të enjten u përball me flakë, që u erdhën krejt pranë shtëpisë, njofton Klankosova.tv.

“Dje kemi qenë këtu e kemi pa tymin, nuk kanë kaluar as 10 minuta, na ka rrethu, tymi ka desht me na mbytë. Me dy çika edhe djalin kemi ike andej,” tha pronarja Bedrije Sfarqa.

Njëjtë vepruan edhe 31 banorë të tjerë të këtij fshati, sepse zjarri edhe në raste të tjera shkoi deri rreth shtëpive.

E përpos në këtë zonë, zjarrfikësit punë patën edhe në 6 fshatra të tjerë.

Që të lokalizohen flakët kryesisht fushore që nisën pasdite e u shuan në mbrëmje vonë, në ndihmë u dolën kolegët nga dy komunat e Mitrovicës.

Flakët dyshohet se janë të qëllimshme, derisa një person është intervistuar dhe më pas është liruar në procedurë të rregullt, e ndaj tij dhe dy të tjerëve është iniciuar rast për “Shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”.