Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se moti gjatë javës së ardhshme do të jetë stabil.

Dita e nesërme, sipas Institutit, fillon me mot relativisht të qetë, por gjatë ditës parashihet të ketë vranësira të dendura të cilat vende-vende parashihen të sjellin riga shiu.

Nga e marta e tutje do të ketë stabilizim të motit.

Mëngjeset, sipas Institutit, parashihen të jenë relativisht të freskëta dhe në shumë vende mund të paraqitet mjegulla, kryesisht ultësirave.

Vranësira do të ketë vetëm në stadet e larta të troposferës. Lagështia relative mesatare ditore parashihet t’i shënojë vlerat rreth normales (50-75%), ndërsa sa i përket presionit atmosferik, vlerat mbeten mbi normalen (1013mb).

Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 2-8 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 16-24 gradë Celsius.

Kushtet biometeorologjike do të jenë të mira gjatë gjithë javës. Do të fryjë erë kryesisht nga juglindja e lehtë deri mesatare, thuhet në njoftimin e Institutit.