Në selinë e Bashkimit Evropian (BE), ka përfunduar Samiti BE-Ballkani Perëndimor ku 27 krerë shtetesh dhe qeverish evropiane diskutuan me kolegët e tyre nga rajoni mbi sfidat, me të cilat përballen së bashku, veçanërisht në dritën e agresionit rus kundër Ukrainës.

Konferenca për shtyp pas pjesës hyrëse të samitit, ku pritej të flisnin liderët e vendeve të BE-së dhe që ishte planifikuar të mbahej rreth mesditës, u anulua.

Siç raporton Radio Evropa e Lirë, mësohet se shumë liderë janë shprehur në favor të liberalizimit të vizave dhe presin që kjo çështje të ngrihet në të ardhmen. Ky takim nuk ishte një mbledhje vendimmarrëse.

Pas samitit BE-Ballkani Perëndimor, krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së do të takohen sërish pasditen e 23 qershorit për të diskutuar për zgjerimin. Krahas vendimit tashmë të sigurt për dhënien e statusit kandidat dy vendeve, Ukrainës dhe Moldavisë, liderët do të merren edhe me situatën në Ballkanin Perëndimor.

Në fokus të garës do të jetë mundësia e dhënies së dritës jeshile për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shkupin dhe Tiranën.

Nga Kosova në këtë takim mori pjesë presidentja Vjosa Osmani.

Gjatë fjalimit në samit, presidentja Osmani kërkoi që procesit të liberalizimit të vizave t’i jepet fund, duke theksuar se kjo çështje “ka shkuar shumë larg”.

“Qytetarët e mi ndihen të diskriminuar, pavarësisht se janë populli më pro-evropian dhe i plotësojnë të gjitha kriteret prej katër vjetësh. Ata mbeten të izoluar në zemër të kontinentit ku jetojnë”, tha ajo, duke shtuar se është e vetmja lidere në këtë samit që është dashur të pajiset me vizë për të marrë pjesë në të.

“Për t’i vënë gjërat në perspektivë, ka liberalizim të vizave për vendet e largëta si Venezuela, por qytetarët e Kosovës që jetojnë në një distancë të shkurtër me makinë, që jetojnë në fqinjësinë tuaj, nuk mund të udhëtojnë lirshëm. Kjo është një padrejtësi e madhe. Kosova ka bërë pjesën e saj, tani është radha juaj”, shtoi Osmani.