Dy propozim rekomandime sot ka paraqitur Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti lidhur me pagesën e rrymës për serbët në katër komunat veriore, ne debatin që u zhvillua edhe sot në komision mbi këtë çështje.

Propozimi i deputetes Mimoza Kusari-Lila i cili mori mbështetjen e Komisionit me 6 vota për, ishte që KOSTT-i të marrë përgjegjësinë për pagesën e rrymës edhe për gjashtë muajt e ardhshëm dhe të mos obligohet Qeveria për këtë.

Sipas saj, obligim i qeverisë mbetet që të zgjidhë këtë çështje për shtrimin e autoritetit në fushën e energjisë brenda 6 muajve në veri.

Ndërsa, kundër kësaj ishte kryetari i Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala, i cili theksoi se nuk duhet legalizuar kjo çështje për qytetarët serbë në veri.

Propozimi i tij ishte që Qeveria tek e fundit të paguaj edhe gjashtë muaj, jo KOSTT-i.

“Nuk jam për ta legalizuar për mbulimin e shpenzimeve në veri. Qeveria duhet të bëj zgjidhje, unë jam kundër pagesës, por meqë nuk keni zgjidhje, mos të rrezikohet anëtarësimi me ENTS-E”, tha ai.

Deputeti Uran Ismaili ka qenë kategorik që të ndërpritet mbulimi i shpenzimeve të energjisë elektrike për katër komunat veriore.

“Në pandemi kur shumë biznese dhe qytetarë janë në hall të madh të mbijetesës, ndërsa kërkohet që KOSTT-i me të hyrat e saj të paguaj rrymën në veri. Kjo nuk duhet toleruar, por duhet të bëj zgjidhje vet Qeveria”, theksoi ai.

Ndërsa, deputeti Pal Lekaj tha se ngarkesa e KOSTT-it me 11 milionë euro është e pa tolerueshme.

Dje ka raportuar Ministrja e Ekonomisë në këtë Komision e cila ka theksuar se ende nuk kanë gjetur mjete për kërkesën financiare të KOSTT-it.

Ndërsa, drejtues të KOSTT-it kanë thënë se kanë mjete të mjaftueshme nga të hyrat e tyre për pagesë vetëm e vetëm që të ruajnë anëtarësimin me ENTS-E.

Me 6 vota për, Komisioni votoi propozimin e deputetes Mimoza Kusari.

KOSTT-i detyrohet që për çdo dy muaj t’i raportoj Kuvendit të Kosovës për shpenzimet e rrymës në veri.