Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka njoftuar se Daut Haradinaj do të jetë kandidat për kryetar të Prishtinës.

Haradinaj ka pohuar se ai është njëri nga protagonistët kryesorë të luftës për liri dhe shtetndërtimit, transmeton Telegrafi.

“Pas konsultimeve të vazhdueshme, me kënaqësi ju njoftoj për kandidaturën e Aleancës për kryeqytetin. Për Kryetar të Prishtinës, kandidat nga AAK do të jetë z. Daut Haradinaj. Ai është njëri nga protagonistët kryesorë të luftës për liri dhe shtetndërtimit, udhëheqës në UÇK dhe TMK, deputet i zgjedhur dhe i dyti më i votuar nga radhët e Aleancës, ish shef i Grupit Parlamentar dhe jurist me profesion. Me këtë Aleanca e konfirmon respektin për kryeqytetin, të cilin e bëri me ligj, ia ktheu Pallatin e Rinisë, e përkrahu me buxhet e projekte të shumta zhvillimore”, ka shkruar ai.

Tutje ai ka shkruar “Aleanca konfirmon po ashtu, respektin për qytetarin dhe qeverisjen komunale, si dhe vendosmërinë për të fituar”.

“Qeverisja në nivel komunal, është veprimi më i afërt për të përmirësuar jetën e qytetarëve”, thotë Ramush Haradinaj në shkrimin e bërë në Facebook.

Theksojmë se Daut Haradinaj para disa ditësh ka dhënë dorëheqje nga posti i deputetit, duke ia lënë vendin kandidatit Shemsedin Dreshaj.