Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha sot se mund ta ulë taksën doganore për Serbinë, vetëm nëse kjo e fundit e njeh Kosovën.
Deklarata e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, se Kosova mund ta ulë taksën doganore për mallrat e Serbisë dhe të Bosnje e Hercegovinës vetëm nëse Serbia e njeh pavarësinë e Kosovës, ka ngjallur reagime në Serbi, shkruan lajmi.net.
Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë për “Sputnik”, se pas kësaj deklarate të Haradinajt duhet të reagojë bashkësia ndërkombëtare dhe ta tërheq edhe taksën që ka vënë Qeveria e Kosovës.
Daçiq, duke e quajtur çmenduri taksën e vënë nga Kosova, i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të reagojë para se të bëhet vonë.
“Ne i bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare për të frenuar çmendurinë që është nisur në Prishtinë derisa të jetë tepër vonë”, ka thënë Daçiq, transmeton më tutje lajmi.net.
Tutje Daçiq në këtë deklaratë dhënë për “Sputnik”, ka thënë se, Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, por që siç u shpreh ai, Beogradi është i gatshëm për dialog dhe për arritjen e një marrëveshjeje.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës dje ka marrë vendim që mallrat serbe dhe boshnjake të paguajnë taksë doganore 100 për qind për të hyrë në Kosovë.