Lokale - eSIMy

Kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi është takuar sot me ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi me të cilin ka biseduar për projektet prioritare që ka komuna e Podujevës në fushën e shëndetësisë, transmeton Llapi.info.

Në takimin ku ishin të pranishëm edhe sekretari i përgjithshëm, Naim Bardiqi dhe drejtori i ShSKUK-së Valbon Krasniqi, kryetari Bulliqi ka kërkuar mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë në realizimin e projekteve të cilat ndikojnë në ngritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore në komunën e Podujevës.

“Në fokus të takimit tonë ishte diskutimi për projektin e ndërtimit të Qendrës Urgjente në Podujevë, ku për fillimin e tij ditë më parë kemi nënshkruar një marrëveshje bashkëfinancimi me “Qatar Charity” dhe kërkuam që edhe Ministria e Shëndetësisë të përfshihet në bashkëfinancim” tha kryetari Bulliqi.

Ai gjithashtu tha se “Kërkova eliminimin e pengesave për rekrutim dhe krijimin e mundësive për rritje të stafit shëndetësor, sepse me numrin aktual është e pamundur të ofrohen shërbime cilësore dhe sipas nevojave të qytetarëve llapjanë”.

Po ashtu, në takim kryetari Bulliqi ka kërkuar ndihmën e instancave qendore të shëndetësisë edhe për funksionalizimin e objektit të ndërtuar, afër shkollës “Enver Maloku” në mënyrë që të fillohet me ofrimin e shërbimeve specialistike për pacientët llapjanë.

Edhe ministri Latifi u zotua se Ministria e Shendetësisë dhe ShSKUK brenda mundësive do ta ndihmojnë Komunën e Podujevës në realizimin e këtyre kërkesave, si dhe për projektet tjera të rëndësishme për komunën.

Në këtë takim, kryetari Bulliqi ishte bashkë me drejtorin e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Driton Veliu dhe drejtorin e Qendrës Kryesore të Mjeksisë Familjare, Ymer Llugaliu./Llapi.info