Francisco Rivera Davalosm, futbollisti i FC Llapit, ka rrëfyer për karrierën që po bën në Kosovë dhe jetën këtu.

Mesfushori 27-vjeçar doli në Evropë në vitin 2021, kur mori një ofertë për të përforcuar FC Llapin.

Në tetë vjet karrierë dhe përpara se të udhëtonte në territorin ballkanik, Cachisi, siç e njohin të gjithë, kaloi nëpër tetë klube (San Luis, América, Alebrijes, Atlante, Mineros, Querétaro dhe Veracruz), duke përfshirë një nga Venezuela (Monagas SC).

Ai ka rrëfyer për “mediotiempo” se përshtatja në Kosovë nuk ka qenë aspak e lehtë.

“Kur më erdhi propozimi, as që e dinim se ku ishte (Kosova), nuk e dija nëse ekzistonte vërtet”, tha ai.

“Nisja menjëherë të kërkoj në internet, më dukej interesante të largohesha përsëri nga vendi për të testuar nivelin tim dhe për të vazhduar rritjen”, ka komentuar ai në një intervistë për Mediotiempo.

“Fillova të hetoj se ku është, çfarë gjuhe flasin, nuk është aspak e lehtë gjuha shqipe. Anglishten e kuptoj, por nuk e përballoj 100 për qind dhe më është dashur më shumë kohë për t’u përshtatur”, pohoi ai duke e komentuar edhe jetën në Kosovë.

“Aty ku jetoj unë është një qytet shumë i vogël, nuk ka shumë për të bërë, ju jeni të fokusuar të luani. Në kryeqytet ka gjithçka, por është rreth 30 apo 40 minuta. Podujeva është një qytet piktoresk për shtëpitë dhe peizazhet. Njerëzit janë shumë miqësorë”, shtoi ai.

Ai tha se problemin më të madh e ka të ftohtin, nuk është mësuar me kohë të tillë.

Derisa foli edhe për Superligën e Kosovës, që e vlerëson shumë dhe e ka pranuar se është shumë më ndryshe ngase i është thënë para se të vijë në Kosovë.

“Nuk është një ligë fermerësh siç më kanë thënë. Është një ligë që po rritet, ka shumë shikues dhe ke shanse të dalësh nga aty në vende tjera”, përfundoi Francisco Rivera Davalosm.