Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, u prit nga Komisionari Dimitris Avramopoulos, përgjegjës për Migrim, Punë të Brendshme dhe Shtetësi, dhe me këtë rast, theksoi rëndësinë e lëvizjes së lirë për shtetasit e Kosovës, njofton kumtesa .
“Ne, nga dita e marrjes së udhërrëfyesit për liberalizmin e vizave, më 2012, nga niveli qendror dhe lokal, kemi qenë të përkushtuar për zbatimin sa më të shpejt të kritereve për liberalizim, theksoi Hoxha.
Komisionari për Punë të Brendshme i BE-së, Dimitris Avramopoulos, ka vlerësuar dhe mirëpritur angazhimin e Kosovës dhe bartësve të përgjegjësive institucionale për lobim dhe marrjen e përkrahjes nga vendet e veçanta për votimin pro në mbledhjen e Këshillit të Ministrave. Ai ka theksuar se përmbushja e kritereve për liberalizim është konfirmuar nga Komisioni, si dhe me vendimin e Komitetit të Parlamentit Evropian për Liri Civile (LIBE), dhe votimin në Parlamentin Evropian.
Ai e rikonfirmoi përkrahjen e tij të plotë për liberalizimin e vizave pranë organeve vendimmarrëse në Bruksel për votim pro në mbledhjen e Këshillit të Ministrave në fillim të dhjetorit.