Avokati i Popullit, në kuadër të ushtrimit të kompetencave dhe të përgjegjësive të tij ligjore, sot publikoi Raportin me rekomandime Ex-officio nr.567/2019, që ka të bëjë me detyrimet pozitive të shtetit të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, si dhe me nenin 2 të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut në rastin e K. V.
Sipas njoftimit të dërguar mediave, rasti është hapur sipas detyrës zyrtare me qëllim që të tërhiqet vëmendja e institucioneve publike lidhur me detyrimet pozitive të shtetit përkitazi me të drejtën për jetë në rastin e të miturit K. V., të cilit, më 11 korrik 2019, i është marrë jeta nga një person tjetër.
Gjithashtu, ky raport vlerëson se sa kanë qenë efektive dhe të shpejta veprimet e ndërmarra nga institucionet kompetente shtetërore me qëllim të respektimit të të drejtave të njeriut, në këtë rast, për mbrojtjen e të drejtave të K. V., si dhe detyrimet e shtetit për të mbrojtur jetën e qytetarëve, në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, me ligjet, si me dhe instrumentet e tjera ndërkombëtare.
“Avokati i Popullit, pas rishikimit të legjislacionit përkatës, të instrumenteve ndërkombëtare, të dokumentacionit të çështjes, të informatave dhe të dhënave që i ka, vlerëson se në rastin konkret ka pasur shkelje të të drejtave dhe të lirive themelore të njeriut, përkatësisht shkelje të detyrimeve pozitive të shtetit për mbrojtjen e së drejtës për jetë, si dhe të të drejtave të fëmijëve për mbrojtje nga dhuna dhe nga keqtrajtimi, pasi që autoritetet përkatëse nuk i kanë përmbushur detyrimet kushtetuese dhe ligjore, e as standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e jetës së viktimës, të zbatueshme në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.
Avokati i Popullit konstaton se autoritetet përgjegjëse ishin në dijeni për rrezikun të cilit fëmija viktimë i ishte ekspozuar, si fëmijë në situatë rruge dhe si fëmijë i abuzuar seksualisht, andaj edhe kanë dështuar në ndërmarrjen e masave në lidhje me detyrimet pozitive, respektivisht për mbrojtjen e jetës së viktimës.
Në bazë të analizës, të vlerësimeve dhe të konstatimeve, Avokati i Popullit në raportin e publikuar lidhur me çështjen ia adreson rekomandimet Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Policisë së Kosovës dhe Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Ky Raport me rekomandime është përcjellë tek autoritetet përgjegjëse. I njëjti u është dërguar mediave dhe është publikuar në ueb-faqen zyrtare të Institucionit të Avokatit të Popullit.