Administrata Tatimore e Kosovës njofton opinionin publik se bazuar në informatat e pranuara nga organet kompetente dhe duke u mbështetur në nenin 69 të Ligjit Nr. 03/L-149 për Shërbimin Civil të Kosovës, ka marrë vendim mbi pezullimin parandalues nga marrëdhënia e punës në ATK për dy inspektorë, të cilët janë arrestuar nën dyshimet se kanë keqpërdorur pozitën dhe autoritetin zyrtar.

Të pezulluarit nga marrëdhënia e punës janë një inspektor tatimor, si dhe inspektore e Lojërave të Fatit.

“Menaxhmenti i ATK-së siguron opinionin se çdo informatë e dëshmuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe rasteve korruptive do të dërgohet në organet kompetente për trajtim, dhe ndaj të gjithëve që shpallen fajtorë për vepra penale do të ndërmerren masat e largimit nga marrëdhënia e punës në institucionin tonë. ATK falënderon qytetarët, mediat, Prokurorinë dhe Policinë e Kosovës për mbështetjen në luftimin e dukurive negative”, thuhet në njoftimin e ATK-së.