Analisti politik, Shemsi Jashari, ka parashikuar ndryshime në Podujevë në renditje të partive politike në zgjedhjet lokale që do të mbahen në tetor, shkruan Llapi.info.

Jashari, duke shtuar se listat e kandidatëve për asamble komunale duhet të jenë më cilësore, ka thënë se në këtë Komunë, sipas tij, do të ketë balotazh.

“Në zgjedhjet lokale të tetorit, në Podujevë do të kemi renditje të re tabelare. Do të ketë balotazh, do të ketë lëvizje poshtë lartë në renditje.  Uroj që partitë politike të ofrojnë lista me kandidat me kualitet me të lartë se deri më tani për asamble”, ka shkruar Jashari.

Deri më tani, kandidaturat në Llap i kanë bërë zyrtare Lidhja Demokratike e Kosovës me Ekrem Hysenin, AAK me Besnik Tahirin, Nisma Socialdemokrate me Xhemail Hasani dhe Gazmend Islami nga Balli Kombëtar.

Kurse, në një intervistë, kryetari i tanishëm, Shpejtim Bulliqi ka thënë se do t’i hyjë sërish garës për të parin e Podujevës nga VV, ndërkohë që PDK-ja është në proces të përzgjedhjes së një kandidati.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pas përfundimit të konsultimit me subjektet politike më 2 qershor 2021 dhe në mbështetje të Ligjit për Zgjedhjet Lokale në Republikën e Kosovës ka caktuar 17 tetorin 2021, datë të mbajtjes së zgjedhjeve lokale./Llapi.info