Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, nuk e ka përjashtuar mundësinë që të kandidojë për ta marrë kreun e partisë.
Në një bisedë me Gazeta Blic, Veliu ka thënë se çështja e kandidaturave për kryetar të LDK-së do të paraqiten në Kuvendin e kësaj partie dhe se nuk mund të flas tani për këtë gjë.
“Ajo është çështje që në Kuvend do të paraqiten kandidaturat, jo më herët”, ka thënë Veliu.
Kryetari i Podujevës, ka folur edhe për koalicionin e mundshëm mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, duke thënë se tashmë nuk është koha e duhur për të folur për këtë gjë.
Veliu thotë se ai nuk flet për asnjë preferencë për koalicion me ndonjë parti politike, para se kjo gjë të vihet në diskutim brenda LDK-së.
Nënkryetari i LDK-së i ka quajtur llafe të kota secilin deklarim, qoftë edhe nga ana e zyrtarëve të LDK-së, se kjo parti duhet të bëjë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, që udhëhiqet nga Albin Kurti.
Për Gazeta Blic, Veliu tha se për të është e rëndësishme që ta forcojë LDK-në dhe ta dërgojë vendin në zgjedhje të jashtëzakonisht, pastaj siç tha ai do të flitet për secilën mundësi për koalicion me ndonjë parti tjetër.
“Për koalicione unë nuk bisedoj para momentit të duhur. Asnjë preferencë nuk e jap para momentit para se me u hap kjo bisedë. Ata që flasin tash jo duhet me këtë, jo me atë, mendoj që nuk e bëjnë punën e duhur. Se koalicionet bëhet para zgjedhjeve ose pas zgjedhjeve edhe nuk jemi në momentin e duhur që me e hap na këtë çështje. Janë organet kompetente, e jo preferencat individuale që po e shprehin njerëzit pa kurrfarë lidhje, jo po shkoj me këtë, jo duhet të shkoj me këtë.
E rëndësishme është që ta forcojmë LDK-në dhe interesi i saj. Ne duhet të punojmë, të forcohemi dhe ta dërgojmë vendin në zgjedhje, e pastaj me bisedu me variantet tjera në organet kompetente të LDK-së, e jo individë që dalin nëpër studio televizive e nëpër kafene e flasin fjalë të kota”, ka thënë Veliu.
I pyetur se a beson që brenda muajit korrik do të përfundojë procesi zgjedhor për të zgjidhur kryetarin e LDK-së, Veliu tha se nëse “ka zyrtarë të partisë të cilët kanë thënë se në korrik do të përfundojnë zgjedhjet, atëherë unë s’kam çfarë të shtojë”.
Edhe nënkryetari tjetër i kësaj partie, Lutfi Haziri, e ka lënë të hapur mundësinë që të kandidojë për kreun e LDK-së.
Sikurse Veliu edhe Haziri kanë thënë se do të vendosin në momentin kur do të mbahet Kuvendi zgjedhor i partisë, se a do t’i hyjnë garës për t’u bërë kryetar i LDK-së.
I përfolur për rikandidimin edhe për një mandat si kryetar i LDK-së, është përmendur edhe kryetari aktual, Isa Mustafa.
Ai asnjëherë nuk e ka pohuar e as mohuar këtë gjë, duke thënë kohë më parë se është herët të flitet për këto gjëra.
Agim Veliu dy javë më parë u rizgjodh kryetar i LDK-së në Podujevë, sikurse Lutfi Haziri, i cili po ashtu mori sërish postin e kryetarit të degës së Gjilanit.
Ani pse të dy këta janë zgjedhur në krye të degëve, të cilat janë vendlindja dhe bastioni i tyre, statuti i LDK-së, nuk i pengon që këta të hyjnë në garë për kreun e përgjithshëm të Lidhjes Demokratike.
Kohëve të fundit, në LDK ndodhën një sërë rrahjesh mes njëri-tjetrit.
Në Mitrovicë, Vushtrri, Ferizaj, Prishtinë dhe Podujevë, ndodhën disa rrahje mes anëtarëve të LDK-së, teksa jo rrallë herë pati edhe përplasje mes zyrtarëve të lartë për këto rrahje.