Isa Mustafa hyri në sallën e Hotelit Emerald, aty ku do të mbahej Kuvendi Zgjedhor i LDK-së, duke u mbështetur për shkopi dhe me të birin në krah që e ndihmonte, ndërsa në qafë kishte të vendosur një fashë që ia mbulonte varrën e intervenimit kirurgjik që kishte kryer vetëm pak ditë më parë në Gjermani.

Me shëndet të rënduar pothuajse tash e dy vjet, prej se u godit nga Sindroma Guillain-Barré, një sëmundje kjo që po vazhdon t’ia kufizojë lëvizjen fizike, Mustafa eci ngadalë para delegatëve të tubuar të LDK-së, zuri vend në karrige, i dha mesazhet e tij politike dhe e priti me qetësi çastin kur me aklamacion do të rikonfirmohej si lider i LDK-së.

Një natë më parë, ai kishte rregulluar gjithçka për ta mbajtur edhe më tutje në duar partinë, pasi kishte siguruar një marrëveshje e cila i eliminoi kandidatët tjerë nga gara dhe ia hapi atij rrugën për t’u ulur sërish në fronin e LDK-së.

Ambicien e Lutfi Hazirit dhe Agim Veliut për t’i hyrë garës për Kryetar të LDK-së e mbyti shpejt e shpejt dorëzimi i tyre përpara Isa Mustafës, i cili kishte dalë me idenë se duhej ta kishin një kandidat konsensual.

Dëshirën e Fatmir Sejdiut, ndërkaq, për t’u rikthyer në krye të LDK-së, e mbyti një nen i Statutit të LDK-së për kuotën që lejon kandidimin, i njëjti nen që katër vjet më parë ia kishte pamundësuar të njëjtën ëndërr Vjosa Osmanit, shkruan Periskopi.

Duke e përdorur gjendjen e tij shëndetësore, përpara së cilës rivalët e brendshëm natyrshëm u detyruan t’i zbusin kundërshtimet, me nenin që po konsiderohet se po e bën garën për LDK thellësisht jodemokratike, si dhe me një plan paraprak për nxitjen e tensioneve nëpër degë dhe krijimit të idesë së përçarjes, e rrjedhimisht shfaqjes së nevojës për një figure unifikuese, Isa Mustafa ia doli ta realizonte qëllimin e tij.

Ky ishte një abuzim i madh dhe një kalkulim i pastër në lojën politike që Isa Mustafa e luajti me sukses brenda LDK-së.

Garda e vjetër u tregua e pafuqishme, ndërsa brezi i ri u hesht tërësisht. Të fyer dhe të poshtëruar, ata zgjodhën të mos flasin për dështimin e tyre dhe të partisë, por në një përpjekje të dëshpëruar u përpoqën të japin mesazhe për partitë kundërshtare se LDK nuk ua plotësoi dëshirën për t’u dobësuar me përçarje.

Haziri dhe Veliu nuk ia mbushën mendjen opinionit me deklarimet e tyre për një proces normal zgjedhor, ndërkohë që shpërthimet e Fatmir Sejdiut dhe Melihate Tërmkollit për mundësinë e shantazheve dhe ngufatjen e demokracisë së brendshme nuk lejuan që rrëfimi për LDK-në të ishte i njëanshëm.

Lumir Abdixhiku, në një postim në faqen e tij në Facebook, tha se kjo që ndodhi në LDK i trishton kundërshtarët dhe komentatorët që kanë pritur ndarje.

E vërteta është se LDK, duke zgjedhur Isa Mustafën, trishtoi elektoratin e vet, që priste ndryshime, fytyra të reja dhe mundësi të fitores, gjë që ata e dëshironin tash e sa kohë me mish e me shpirt.

Komentet që vërshuan në rrjetet sociale ishin një vajtim masiv, një mllef i madh dhe një shfryrje të sharash.

LDK, që njihet si parti që përpiqet të trashëgojë frymën politike të liderit dhe themeluesit të saj, Ibrahim Rugova, brenda dy orësh përmbylli Kuvendin Zgjedhor me shije të hidhur, me akuza për kërcënime dhe mungesë demokracie.

Mustafa, pasi mori mandatin e tretë në krye të LDK-së, tha se tani partia e tij do të përgatitet për zgjedhjet e jashtëzakonshme, të cilat pritet të mbahen në fund të shtatorit, ose në fillim të tetorit.

Pjesa e dytë e lojës që pritet të zhvillohet është caktimi i Kandidatit të LDK-së për Kryeministër të Kosovës.

A do të jetë Lutfi Haziri, Vjosa Osmani, Kujtim Shala, apo edhe Arban Abrashi, varet nga strategjia e radhës së Isa Mustafës.